Të anatemosh e të tjerrësh të shkuarën sipas interesit është bërë prej kohësh “sport” pas viteve 90. Në këtë rendje të ethshme për të shtuar kredenciale “demokratike” apo shfryrë duf historik, më të zellshmit i gjejmë tek politika e ditës që sajon CV “demokratike”, si për karrierë ashtu edhe lobim tek bota por, nuk mbetet pas edhe revanshizmi historik që mendojnë se u bë deti kos dhe i futen me këmbë me iluzionin se kolaboracionizmit i ka dalë era pas rënies së socializmit!
Kësaj kuturisje iu bashkua së fundmi edhe Kisha Katolike(!) me merakun e saj ndaj “neo-komunizmit” duke kërkuar dënimin e apologjisë së komunizmit! Befasi kjo, kur mendon raportin tradicional politikë-besim me fenë në punën e grigjën e vet, ndaj të “mallkosh” sot nostalgjinë të përzjerë me krenari, ndaj punës e luftës së brezave të tërë, vetëm era “besim” nuk mban!
Filmat, librat, fotot, 29 nëntori që sapo festuam, nuk janë jetëshkrimi i një personi, qoftë ky dhe Enveri por e shumicës së një shoqërie që me mund e sakrifica dha gjithçka në emër të një ideali po aq të shtrenjtë sa edhe besimi për grigjën e dikujt.
Nga martirët (sikurse të tillë ka edhe krishtërimi) e veteranët e LANÇ pa të cilët Shqipëria mund të coptohej nëse do të damkosej nga bota fitimtare si kolaboracioniste (fashizmin pati edhe individë me rraso mes apologjetëve të tij) dhe më tej sakrifica e brezave të tërë për të bërë shtet 45 vjet.
Të shkuarën nuk ka thes që e nxë!
E para gjë në demokraci është liria për të qenë e për të menduar ndryshe, argument kryesor ky me të cilin sot anatemohet e futet në një thes e gjithë periudha e socializmit tek ne duke mos kursyer as vetë luftën para saj. Por monizmi nuk çrrënjoset me qasje moniste dhe “Adami” i fesë tregon se molla e ndaluar josh më shumë ndaj, në do t’a popullarizosh e nxisësh kurreshtjen për diçka, shpalle të paligjshme!
E sa për neo-monizmin, donkishotizmi nuk ka brirë sepse ai vate që kur na mbytën lloj-lloji partish, çdokush e ka një tapi, njerëzia e nis ditën me shpresën të fitojë dhe sektori privat zotëron pothuajse gjithçka!
E shkuara, duke përfshirë edhe atë fetare, nuk është bardhë e zi e nuk e nxë një thes i vetëm! Duhet ndarë shapi nga sheqeri, idealja nga ekstremizmi dhe pastaj, “gurin” t’a flakë ai që nuk ka bërë prapësi! Feja vetë ka plot dritë-hije në histori nga Kryqëzatat e përgjakshme, Inkuzicioni famëkeq, bekimi i ushtrive pushtuese, flirti me nazizmin, ngacmimet e abuzimet seksuale të fëmijëve e femrave nga priftërinjtë, e dukuri të tjera që janë bërë nën hijen apo frymëzimin e simboleve fetare etj.
E nëse gjithçka që ndodh në këtë dynja është vullnet hyjnor, atëhere faji është gjetiu dhe “fali se nuk dinë” apo “urrejtja nuk shëron”, vlen për të gjithë e të gjitha periudhat historike, ndryshe humbet kuptim.
Moda e anti-darvinizmit e vlera që bashkojnë
Besimi fetar është e drejtë individuale e qetësimit të shpirtit dhe duhet të mbetet e tillë. Politika jonë e shquar për qasjen makiaveliste për pushtet, sot e ka bërë modë e “blasfemon” Darvinin e shkencën duke u shndërruar në zgjatim të pushtetit të fesë në shoqëri. Politika në ambicjen e saj për pushtet e ka për detyrim të flasë në emër të gjithçkaje që na bën bashkë, në emër të të gjithë qytetarëve të pa-gojë pa dallim. Nuk ka punë as ta yshti e as të bëhet palë me fenë, sikurse e ka bërë tashmë huq deri dhe kur Kushtetutën e nisin me të që në krye!
Shoqëria njerëzore është më shumë se besimi e prej shekujsh bota ka përqafuar evolucionin, shkencën e sot vetë Universi është në hartë që mbahet në xhep! Shqipëria është më shumë se grigja e dikujt dhe historia e saj është kontribut brezash që nuk ka “mrekulli” e lutje që e fshin dot nga kujtesa e kombit.
Demokracia, bashkë me lirinë e besimit solli edhe atë të qenët ndryshe, duke përfshi qëndrimin ndaj së shkuarës dhe monopolin e së vërtetës dhe rolin e kohës nuk e ka askush, as ata që mendojnë se janë zëdhënës të amshimit!
Besimi nuk është ekskluziv i institucionit fetar. Ai lidhet më së pari me vlera universale, të përjetshme sa vetë njeriu sepse u shfaqën bashkë me të para vetë besimit fetar e formësojnë identitet. Nga vëllazërimi, toleranca e mirëkuptimi, solidariteti dhe gjendja pranë tjetrit në nevojë, dashuria e sakrifica për tokën e të parëve etj vlera e tipare që bëjnë njeriun e shoqërinë dhe që sot i ndan edhe besimi fetar dhe deri dje, edhe komunizmi si ide. Feja e komunizmi nuk janë në varkë por ndajnë plot vlera e besime në parim, nga mirësia e vëmendja ndaj tjetrit, respekti ndaj shoqërisë e të mirave të krijuara me mund e sakrifica etj. Idetë, të mira a të këqija qofshin, dalin mbi ne e ligjin dhe ndonjëherë, edhe e keqja zë vend në emër të së mirës dhe këtu askush e asgjë, nuk është qelibar për t’i drejtuar gishtin tjetrit. Ajo që na mungon si shoqëri është mesazhi i vëllazërimit dhe i ecjes përpara. Jo ato të ndarjes dhe pykat që përçajnë që nëse trashëgohen marrin peng të ardhmen. E këtu institucionet fetare kanë rol të rëndësishëm, nëse janë ato që thonë dhe nuk duhet të bien në kurthin e politikës ngjalë e të “pafe” që majmet në kanalet e “ujërave” të zeza të historisë. (Dita)