Enver Hoxha

Artjom Ulunjam: Enver Hoxha, ishte përgatitur për ndërhyrje ushtarake kundër Jugosllavisë, pas vdekjes së Josip Broz Titos

Historiani rus, Artjom Ulunjam, në tekstin e tij “Operacioni i fshehtë “Shpërthimi”, shkruan se udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, ishte përgatitur për ndërhyrje ushtarake ndaj Jugosllavisë, pas vdekjes së Josip Broz Titos.

Shkrimi i historianit rus është publikuar nga gazeta kroate “Jutarnji List”.

Sipas tij, Enver Hoxha mendonte se pas vdekjes së Titos në Jugosllavi do të shpërthente konflikti mes forcave politike pro amerikane dhe atyre pro ruse. Për këtë arsye, në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar, në takime sekrete të drejtuesve komunistë shqiptarë u planifikua operacioni ushtarak “Shpërthimi”. Përmes tij planifikohej marrja e Kosovës, pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë, në të cilat shqiptarët përbëjnë shumicën, – shkruan Ulunjam.

Udhëheqësit komunistë shqiptarë, kanë shpresuar në një skenar, sipas të cilit pas vdekjes së kryetarit të Jugosllavisë së atëhershme, Josio Broz Tito, do pasonte një luftë për pushtet mes  liderëve të ish republikave të Jugosllavisë, luftë nga e cila Shqipëria mund të përfitonte aneksimin e pjesëve të rajonit, me ndihmën e shumicave shqiptare që jetonin aty. Ulunjam, i njohur si ekspert për lëvizjen komuniste të shekullit XX në Ballkan, punon për Institutin Rus të Historisë dhe informacionet i ka marrë nga memuaret e ministrit të atëhershëm të mbrojtjes.

Sipas fjalëve të tij, Enver Hoxha ishte përgatitur për “Kaos pas Titos”.

Edhe më herët është spekuluar se ekzistonte një operacion i tillë i fshehtë, i planifikuar nga udhëheqësi komunist shqiptar. Plani i plotë ushtarak i ishte prezantuar rrethit të ngushtë të bashkëpunëtorëve të Hoxhës në vitin 1977. Prej atëherë kishin filluar përgatitje serioze për çastin e vdekjes së Titos. Në arkivat ruse, ekzistojnë prova se Enver Hoxha ka qenë i përqëndruar veçanërisht te rimarrja e Kosovës, gjë që u vërtetua edhe në Samitin e Helsinkit në vitin 1975, në të cilin Shqipëria refuzoi të nënshkruante dokumentin në bazë të të cilit definoheshin kufijtë e Evropës së pasluftës. Historiani rus shkruan se burimet e tij citojnë Enver Hoxhën të ketë thënë se “nuk duhet kursyer asgjë për të marrë Kosovën, sepse në të ardhmen kjo do na shpërblehet”.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …