Historiani rus, Artjom Ulunjam, në tekstin e tij, Operacioni i fshehtë “Shpërthimi”, shkruan se udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, ishte përgatitur për ndërhyrje ushtarake ndaj Jugosllavisë, pas vdekjes së Josip Broz Titos. Shkrimi i historianit rus është publikuar nga gazeta kroate “Jutarnji List” dhe është përkthyer dhe botuar në shqip nga gazeta DITA. Sipas tij, Enver Hoxha mendonte se pas vdekjes së Titos në Jugosllavi do të shpërthente konflikti mes forcave politike pro amerikane dhe atyre pro ruse. Për këtë arsye, në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar, në takime sekrete të drejtuesve komunistë shqiptarë u planifikua operacioni ushtarak “Shpërthimi”. ërmes tij planifikohej marrja e Kosovës, pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë, në të cilat shqiptarët përbëjnë shumicën. Historiani rus shkruan se burimet e tij citojnë Enver Hoxhën të ketë thënë se nuk duhet kursyer asgjë për të marrë Kosovën, sepse në të ardhmen kjo do na shpërblehet.