Arton Musliu: Inkriminimi penal i kryetarit Haliti


      Rrotacioni politik apriori është shpresëdhënës, rrjedhimisht i mirëseardhur. Pasoja e tij është largimi i pushtetit në detyrë, rrjedhojë e tij ardhja e pushtetit të ri. Kjo për një arsye të thjeshtë. Ndryshimi i qeverisë dhe qeverisjes, sidomos në dimenzionin lokal, lë të kuptohet se qytetarët e qytetit respektiv kanë ndëshkuar një qeverisje në detyrë, për ta zëvendësuar atë më një qeveri të re, tek e cila e shohin ndryshimin pozitiv në jëtën e përditshme të tyre si dhe në mire qeverisje në përgjithësi. Dhe një gjë e tillë natyrisht se qëndron. Fundja, sharmi i demokracisë është potencialiteti i ndryshimit përmes mekanizmit të votës. Pra pushteti ndërrohet kur njerëzit duan ndryshime. Edhe atë ndryshime pozitive. Mbi këtë bazë dhe në këtë diskurs është ndërruar edhe pushteti lokal në Viti.


 


Pikërisht duke agjituar se  shkeljet ligjore, madje edhe veprat penale, të pushtetarëve, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e detyrës zyrtare, konfliktin e interesit të personave publik, nepotizmin e shumë dukuri të tjera të dënuara me dispozitat juridiko pozitive të sistemit juridik pozitiv në Kosovë, LDK doli e para në zgjedhjet komunale në Viti. Pritjet ishin të mëdha. Sepse premtimet ishin të mëdha. Për të mos u bërë nihilist, duhet pranuar faktin që pushteti lokal në Viti përgjatë kësaj pjese të mandatit, qoftë edhe sipërfaqësisht duke rregulluar pritëset në stacionet e autobusëve, ka kryer disa projekte. Mirëpo këto projekte në krahasim me pritjet si dhe në krahasim me shkeljet që është duke i bërë Komuna e Vitisë, reduktohen në vepra minore.


 


        Në këtë kontekst duke parë indiferencën dhe inferioritetin e opozitës aktuale në Viti, duke pasur parasysh margjinalizimin shoqërisë civile si dhe mungesën e mendimit ndryshe, është e nevojshme, madje e domosdoshme që mbi bazën e fakteve të reflektohet. Është për keqardhje se si opozita në Viti, kryesisht PDK dhe VV, nuk luajnë rolin e tyre opozitar të cilin u’a ka besuar qytetari i Komunës sonë. Për mendimin tim një gjë e tillë ndodhë për shkak se në fillim të mandatit të Kryetarit të Komunës, Salih Salihu është korruptuar duke marrë leje ndërtimi për një ndërtesë personale, gjë e cila është e sanksionuar si konflikt interesi, i sanksionuar me nenin 424 të Kodit Penal të Kosovës, si vepër penale. Duke i shtuar kësaj faktin se Salih Salihu nuk ka guximin qytetar dhe kapacitetin politik të merret me çështjet që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve, atëherë është shumë e lehtë të konstatohet se VV, respektivisht FER-i, me përjashtim të dy Këshilltarëve Komunal, nuk po bën detyrën për të cilën është votuar, pra opozitarizmin. Në anën tjetër PDK në Viti nuk ka kohë të merret me opozitarizëm sepse  është e zënë me çështjen e përcaktimit të kandidatit për kryetar, dy vjet para zgjedhjeve! Vizion, apo jo!? Sidoqoftë, për mendimin tim është imanente nevoja për shpërfaqjen e keq qeverisjes së LDK-së në Komunën e Vitisë. Kjo keq qeverisje karkatreizohet nga inkriminimi permanent penal dhe është e shtrirë në disa segmente, duke filluar nga nepotizimi e deri të keqpërdorimi i autoritetit zyrtar apo konflikti i interesit. Por të shkojmë me radhë.


 


      Vepra e parë penale të cilën e ka bërë Kryetari i Komunës është keqpërdorimi i autoritetit zyrtar me ç’rast ai ka ndikuar drejtpërdrejt në asfaltimin e një rruge në të cilën ai, apo familja e tij, ka prona të paluejtshme. Këtë gjë ai e ka bërë me qëllim të rritjes së vlerës së paluejtshmërisë së tij gjë e cila është e ndaluar me dispozitat juridiko pozitive të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nr. 04/ L-082, datë  20 prill 2012 . Në bazë të nenit 424 të këtij Kodi, që ka të bëjë me Konfliktin e Interesit “Personi zyrtar i cili merr pjesë personalisht në ndonjë çështje zyrtare në të cilën ai apo ndonjë anëtarë i familjes ose një person juridik që ka të bëjë me të ka interes financiar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”. Ndërkaq paragrafi 3 i këtij neni thotë se “Për qëllime të këtij neni (pra nenit 424) shprehja ‘merr pjesë’ nënkupton ushtrimin e autoritetit zyrtar përmes vendimit, miratimit, mosmiratimit, rekomandimit, këshillimit, hetimit, ose në ndonjë mënyrë tjetër të ushtrimit të ndikimit për një çështje zyrtare”. Në kontekstin e Ligjit për VetëQeverisje Lokale kjo kategorizohet si konflikt interesi. Në bazë të nenin 59, paragrafi 2 “Kryetari i Komunës përjshtohet nga procedurat vendimmarrëse dhe administrative që kan të bëjnë me ndonjë çështje, në të cilën ai, apo ndonjë i afërm i familjes së tij, ka interes personal apo financiar”. Pra siç po shihet, Kryetari me këtë rast ka kryer vepër penale nga neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe në të njejtën kohë ka shkelur dispozitat e Ligjit mbi VetëQeverisje Lokale. Për të qenë sa më objektiv, Kryetari në fjalë një gjë të tillë, pra qëllimin e asfaltimit të asaj rruge me qëllim të përfitimit financiar, e ka pohuar para një bashkëfshatari të tij. E për kë bëhet fjalë, ai e din vet. Vlenë të theksohet se një veprim i tillë është i sanksionuar edhe me nenin 422 të Kodit Penal, e që ka të bëjë me keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar. Pwrkitazi me këtë veprimi ex officio i Prokurorisë së Shtetit është i domosdoshëm.


 


    Shkelja e dytë me radhë është prapë konflikti i interesit në kontekstin e tenderimit. Është e vertetë e pamohueshme se tenderët në Komunën e Vitisë mund të fitohen vetëm “me të njofshëm”, pra shumica e tenderëve i jepen militantëve partiak të LDK-së, apo duke i korruptuar zyrtarët komunal, rrespektivisht zyrën e prokurimit publik. Pra për të fituar një tender në Viti, i cili në suaza normale duhet të kaloj nëpër procedurat e prokurimit publik  të bazuar në Ligjin mbi Prokurimin Publik,  ose duhet të jeshë militant apo i afërt i LDK-së, ose duhet të korruptosh dikë nga pushteti, qoftë edhe Kryetarin. Në këtë kontekst do ti përmendi vetëm dy raste të tilla. Trotuari në Sodovinë të Jerlive, gjë që apriori është gjë e mirë, i është dhënë një militanti të LDK-së, ashtu si edhe meremetimi i Ambulantës së Komunës së Vitisë.


 


           Shkelje tjetër e Kryetarit është diskriminimi në baza politike. Kjo ka të bëjë me asfaltimin e rrugicave nëpër fshatrat e Komunës së Vitisë, me ç’rast është bërë diskriminim politik për shkak se rrugicat nëpër të cilat kalojnë votuesit potencial të partive tjera nuk jan asfaltuar. Shembuj të tillë ka plotë, duke u nisur nga Verbani, Zhitia e deri në Smirë. Një gjë e tillë në bazë të Kodit Penal të Republikës është vepër penale. Sipas nenit 193, Kapitulli XVII, i Kodit Penal, që ka të bëjë me veprat penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriut “Kushdo që në mënyrë të kundërligjshme i mohon ose i kufizon liritë apo të drejtat e cilitdo person të Republikës së Kosovës të parapara me Kushtetutë, ligj apo akte ndërkombëtare, ose kushdo që në mënyrë të kundërligjshme i jep ndonjë përsoni në Republikën e Kosovës çfarëdo privilegji ose përparësie mbi bazën e një dallimi apo përkatësie të tillë, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet”. Ndërsa në kontekstin e Kushtetutës së Kosovës, një diskriminim i tillë është i ndaluar në bazë të nenit 3 (barazia para ligjit), nenit 7 (vlerat), mandej nenit 24, paragrafi 2 sipas së cilit “Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera…”. Derisa këto shkelje sanksionohen edhe me dispozitat e akteve juridiko ndërkombëtare të cilat jan të aplikueshme në sistemin tonë kushtetues, e të cilat jan Deklarata Univerzale e të Drejtave të Njeriut e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (neni 1), Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, e Unionit Evropian, rrespektivisht neni 14 i saj që ka të bëjë me ndalimin e diskriminimit si dhe Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike, rrespektivisht neni 2 i këtij pakti.


        Shkelja e katërt ka të bëjë me punësimin e militantëve partiakë nëpër institucionet shkollore të Komunës dhe, çka është edhe më brengosëse, mundësimi i mësimdhënies së paautorizuar. Për Kryetarin e Komunës e Drejtorin e Drejtorisë për Arsim nuk ka fare rendësi nëse një psikolog jep lëndën e të lirive dhe të drejtave të njeriut!. Kjo me të vërtetë është paradoksale dhe në kundërshtim flagrant me dispozitat juridike të ligjeve speciale në këtë fushë. Dua të them se punësimi në arsimin fillor dhe të mesëm është përgjegjësi e Komunës. Në bazë të nenit 17 të Ligjit nr. 03/L-040 Për Vetë- Qeversije Lokale, të dates 20 shkurt 2008, mbi kompetencat vetanake të Komunës “ Komunat kan kompetenca të plota dhe ekskluzive, për sa i përket interesit lokal, duke i rrespektuar standardet e përcaktuara në legjislacionin e zbatueshëm, në fushat që vijojnë: …Ofrimin e arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit (neni 17, paragrafi h). Për ironi, mënjëher pas këtij paragrafi parashihet kompetenca e Komunës për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut (neni 17, pargrafi i). Me këtë rast Komuna jo vetëm që nuk promovon të drejtat e njeriut, siç është e drejta themelore për ekzistencë, apo e drejta për trajtim të barabartë, apo e drejta për punësim, por shkelë në mënyrë flagrante dhe të paprecedentë mbi këto të drejta. Këtë çështje e rregullon edhe neni 35, paragrafi 3 i Ligjit nr. 04/L-032 Për Arsimin Parauniversitar Në Republikën e Kosovës, që ka të bëjë me zgjedhjen ose emërimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, mësimdhënesve , bashkëpunëtorëve profesional, asistentëve dhe instruktorëve,   sipas së cilit “Autoritetet që bëjnë emërimet, siç përcaktohet me këtë ligj, krijojnë procedura të drejta, të hapura dhe transparente për angazhim bazuar në kualifikimet dhe nevojat e postit”. Pra, siç edhe po shihet, në bazë të dispozitave të sistemit arsimorë të Republikës, përzgjedhja e mësimdhënësve duhet të bëhet duke pasur parasysh kualifikimin adekuat për secilin. Rast konkret të mosrrepektimit të këtyre normave është Gjimnazi në Viti, shkollë në të cilën mësimdhënës të caktuar me kualifikime jo adekuate japin lëndët të cilat nuk jan në fushën e arsimimit të tyre universitar. Përtej kësaj, një gjë e tillë në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është vepër penale (shih nenin 193 të Kodit Penal në pikën 3 të këtij teksti). Derisa në bazë të nenit 222, paragrafi 1 të këtij Kodi “Kushdo që ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njejta, ashtu siç është paraparë me ligj, denohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet”.


            Përfundimisht, këto veprime të pushtetit aktual të Komunës së Vitisë  dhe të Kryetarit të kësaj Komune Sokol Haliti, kan karakter inkriminues penal dhe si të tilla duhet edhe të trajtohen. Kësisoji, Kryetari Haliti dhe pushteti lokal në Viti kan shkelur në mënyrë flagrante dispozitat juridike të Kushtetutës së Kosovës, Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Ligjin për VetëQeversije Lokale, Ligjin për Arsimin Fillor dhe të Mesëm dhe parimet e përgjithshme juridike më të cilat duhet të qeverisë doemos një pushtet.


 


      Prandaj, në mungesë të zërit opozitar dhe alternativës opozitare e vetmja shpresë për vendosjen e ligjshmërisë është veprimi ex-officio i organeve të shtetit, përkatësisht Prokurorisë së Shtetit. Rivendosja e ligjshmërisë, rrjedhimisht përgjegjësia penale dhe politike e Kryetarit aktual dhe pushtetit komunal, është prekonditë fundamentale për funksionimin normal, profesional dhe objektiv të organeve komunale, me ç’rast rrjedhojë normale do të ishte ecja e shoqërisë dhe shtetit  drejt ligjshmërisë, respektimit të rendit juridik të vendit dhe avnacimit të përgjithshëm shoqërorë e shtetror.


 


 


Arton Musliu: Të flasin qartë dhe shqip


 


Për të qenë objektivë nuk është e thënë të jemi subjektivë. Objektiviteti apriori margjinalizon subjektivitetin.  E për të qenë objektiv duhet ti themi gjërat ashtu qysh janë e jo ashtu se si duam e anojmë. Jemi objektiv sepse duam dhe i shohim gjërat ashtu si janë natyrshëm. Jemi subjektiv sepse duam dhe i shohim gjërat ashtu siç nuk janë, apo ashtu siç duam ne. Në kontestin aktual kosovar kemi dy palë të cilat mëtojnë të paraqesin objektivitetin meqenëse të dyja janë subjektive.


Pra objektiviteti na çon kah e përgjithshmja e subjektiviteti kah një agjendë e caktuar. Ironia më e madhe e kësaj është se njeriu gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij mëton të jetë objektiv, ani pse në vetëdijen e tij e din se është ekstra subjektiv. Dhe këtu fillon loja me fjalë. Ka apo nuk ka shkelje të Kushtetutës me rastin e Marrëveshjes mbi Parimet e Krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe!? Politikanët, duke qenë se janë politikan, pra pashmangshëm subjektiv, mbrojnë agjendat e tyre politike. Dhe kjo është deri diku në rregull.


Ajo për të cilën ne duhet të angazhohemi është fakti i artikulimit të qartë dhe të saktë të asaj që e themi. Nëse themi se ka shkelje atëherë duhet ta kemi parasysh se bëhet fjalë për një akt juridik, dispozitat e të cilit shkelin normat dhe frymën e Kushtetutës Mirëpo, çka nënkuptojmë me akt juridik? Akti juridik është një dokument i cili rregullon një marrëdhënie të caktuar në kuadër të rendit juridik të caktuar dhe i cili ka efekt pozitiv, pra të zbatimit. Në rastin tonë cili është ai akt juridik i cili ka fuqi juridike e me të cilin shkelet Kushtetuta e Republikës? Politikanët subjektivë pa u hamendur do të thoshin, dhe po thonë, se me Marrëveshjen mbi Asociacionin është shkelur Kushtetuta e Republikës.


Kjo është non sens juridik për shkak se Marrëveshja mbi Asociacionin nuk ka efekt juridik për derisa nuk shndërrohet në një akt juridik, çfarëdo qoftë ai, e i cili do të kishte fuqi juridike. Pra nuk ka shkelje të Kushtetutës për shkak se duhet të ekzistoj një dokument i cili e shkelë atë. Kjo fjalë përdoret në kohën e tashme të vazhduar dhe si e tillë duhet të akceptohet.


Ndërkaq në anën tjetër duhet të thuhet se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Marrëveshja mbi Asociacionin nuk është në tërësi me frymën dhe disa dispozita të Kushtetutës. Në këtë rrafsh nuk duhet abstrahuar përgjegjësinë politike të atyre të cilët e kanë arritur këtë marrëveshje. Për shkak se i kanë tejkaluar autorizimet shtetërore. Përfundimisht, mund të themi se ne duhet të flasim shqip dhe qartë. Nuk ka shkelje për derisa nuk ekziston një dokument juridik i cili është shkelës i Kushtetutës. Qeveria ka   tejkaluar autorizimet dhe si e tillë duhet të jap përgjegjësi politike.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …