Arton Musliu

Arton Musliu: Ja si bëhet Gjykata Ndërkombëtare për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë

Nisma e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, për krijimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet që shteti serb i ka kryer mbi popullsinë civile në Kosovë, gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga analist e institute të ndryshme po shihet si një imagjinatë iluzive! Alamet analisti, juristi e avokati, duke përfshirë Institutin e Kosovës për Drejtësi, apo edhe avokatin Tomë Gashi, i dëgjuam duke mbyllur çdo rrugë që çon në krijimin e një tribunali të tillë ndërkombëtar! Në ndërkohë që unë mbroj qëndrimin se një gjë e tillë juridikisht edhe mund të arrihet.

Një gjë të tillë unë e argumentoj nëpërmjet: Bazës juridike ndërkonbëtare, dhe Praktikës juridike ndërkombëtare.  Baza juridike e formimit të gjykatave ndërkombëtare është në nenin 33 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, sipas së cilit zgjidhja e konflikteve mund të bëhet edhe nëpërmjet gjykimeve e vendimeve gjyqësore. Dhe, këtu askund nuk thuhet në mënyrë eksplicite se formimi i gjykatave ndërkombëtare është ekskluzivitet i OKB-së.  Kjo nuk implikon në asnjë mënyrë Kapitullin XIV, nenin 92, 93, 94, 95 dhe 96 që kan të bëjnë me themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.   Përveç GJND- së, që është  institucion gjyqësor i themeluar me Kartën e KB-së, si pasardhëse e Gjykatës Permanente të Lidhjes së Kombeve, OKB, përmes Këshillit të Sigurimit ka themeluar edhe Tribunalin Ndërkombëtar për ish- Jugosllavinë (1993), atë për Ruandën (1994), Sierra Leonen (2002) , Kamboxhen (2006) dhe Libanin (2007).

Por, ka edhe një gjykatë  ndërkombëtare e cila është formuar jashtë juridiksionit të OKB-së.

Praktika juridike ndërkombëtare ka treguar se tribunalet ndërkombëtare edhe mund të krijohen jashtë juridiksionit të Kombeve të Bashkuara. Rast tipik i kësaj parktike juridike ndërkombëtare është themelimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC- International Criminal Court), si mekanizëm i pavarur prej OKB-së dhe si person juridik ndërkombëtar i cili në bazë të Statutit të Romës ka mandat të akuzoj e gjykoj mbi personat që akuzohen për gjenocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe agresion. Kjo gjykatë është formuar në vitin 1998 dhe ka filluar punën më 1 janar të vitit 2002.  Raporti juridik ndërmjet OKB-së dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale është rregullu nëpërmjet Marrëveshjes mbi Marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy të fundit, të arritur më 4 tetor të vitit 2004, sipas nenit 2 të së cilës “Kombet e Bashkuara njohin Gjykatën (Ndërkombëtare Penale) si një institucion të përhershëm dhe të pavarur, në pajtim me nenin 1 dhe 4 të Statutit të saj, ajo është person juridik ndërkombëtar dhe ky kapacitet legal është i mjaftueshëm për të ushtruar funksionet e saj dhe për të përmbushur qëllimet e saj”.

Vlenë të theksohet se kjo gjykatë nuk procedon me asnjë rast i cili ka ndodhur para vitit 2002, atehërë edhe kur ka marrë mandatin. Përveç Kosovës, të gjithë shtetet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë, janë pjesë e saj. Mangësia e saj konsiston në mungesën e ndonjë mekanizmi ekzekutues të vendimeve të saj, dhe për rrjedhojë ekzekutimi i vendimeve të saj, apo edhe arrestimi i të akuzuarve mund të bëhet vetëm në bashkëpunim me shtetet anëtare rrespektive.

Sidoqoftë, shikuar në pikëvështrimin e të drejtës ndërkombëtare penale, nuk ka asnjë pengesë juridike që të ngritet një  gjykatë ndërkombëtare për krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.

Sepse, një kërkesë e tillë politikisht është e drejtë, juridikisht e ligjshme.

Prandaj, themelimi i një gjykate të tillë përveç që nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare penale, në të njëjtën kohë është realizim përfundimtar i drejtësisë ndërkombëtare karshi Serbisë. Padrejtësitë që Serbia i ka bërë mbi popullsinë civile në Kosovë mbase mund të gjykohen nga e drejta ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …