Arton Musliu: Prelud ekonomik drejt një marrëveshjeje politike Kosovë- Serbi!

Arton Musliu: Prelud ekonomik drejt një marrëveshjeje politike Kosovë- Serbi!

Çfarë duhet të përmbajë kjo marrëveshje, si duhet të trajtohet asociacioni dhe modelet që (s) duhet të referohen?!

Kosova gjendet në udhëkryqin më të madh politik që nga koha e shpalljes së pavarësisë së saj. Duke qenë se tashmë kemi hyrë në fazën finale të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, njëkohësisht duke pas parasysh edhe epilogun final të këtij dialogu i cili duhet të jetë refleksion i interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike të shtetit tonë, përveç se produkt i realizmit si teori qendrore në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, është e rëndësishme që të analizohet dhe sintetizohet përmbajtja eventuale e marrëveshjes finale me Serbinë, e cila objektivisht do të ketë një synim dhe një sfidë. Synimi është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë- Marrëveshja Finale, e sfida është pozita e minoritetit kombëtar (national minority) serb në Kosovë- Asociacioni

Edhe takimi i 4 shtatorit në SHBA, sipas menidmit tim, është në relacion varshmërie me çështjet e lartëpermendura. Është prelud drejt një marrëveshje finale. Sepse, ky takim po bëhet për t’i hapë rrugë marrëveshjes finale. Përkitazi me këtë, ambasadori Grenell ka përmend “Modelin Shenzhen”, një zonë e lirë ekonomike e bërë në vitin 1979 nga Kina, si model që mund të jetësohet edhe në kontestin Kosovë- Serbi. Ky qytet deri në vitin 1979 ka shërby si pikë doganore për hyrjen e mallrave nga Hong Kongu në Kinë. Pas këtij viti në këtë zonë është zhvillu ekonomia, kan ndodhë investime të mëdha si nga brenda Kinës ashtu edhe nga investitor të jashtem. Arsyeja është e thjeshtë, nuk ka procedura, nuk ka burokraci e nuk ka tatime… Por, unë nuk mendoj që ekonomia zëvendëson e shtensionon raportet politike ndërmjet Kosovës e Serbisë. Sepse problemi Kosovë- Serbi është problem politik, jo ekonomik. Për më tepër që kjo zonë e lirë ekonomike shumë lehtë mund të jetë veriu dhe një gjë e tillë nënkupton njefar Berćko të dytë. Gjithashtu, praktika tregon se investimet miliardëshe të komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë nuk kan arritë të shtensionojnë raportet etnike ndërmjet serbëve e boshnjakëve. Sidoqoftë, le të i trajtojmë këto çështje sipas pikëvështrimit analitik, për t’i sintetizuar në fund.

 

Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë- Normalizimi përmes Traktatit të Paqës

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë- Serbi, si dy shtete të pavarura dhe me subjektivitet të plotë ndërkombëtar, nuk mund të jetë një proces i lehtë. Në fakt është proces shumë kompleks, përveç se tejet sensibil. Mirëpo duhet patur parasysh se dialogu ende mbetet mekanizmi kryesor për zgjidhjen e konflikteve gjithandej. Sidoqoftë, ne duhet ta kemi parasysh faktin se normalizimi i manifestuar në kontekstin juridiko- politik nuk nënkupton ipso facto edhe normalizim të menjëhershëm të raporteve ndërmjet dy shteteve. Kështu ka ndodhur pas marrëveshjes ndërmjet serbëve e kroatëve, turqëve e grekëve, sllovakëve e hungarezëve, apo jahudive e palestinezëve.

Në këtë drejtim është shumë e rëndësishme që marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë sa më gjithëpërfshirëse. Ajo nuk guxon të jetë assesi një “modus vivendi” sepse në atë mënyrë ne nuk kemi zgjidhur asgjë. Ne duhet ta kemi të qartë që jo vetëm Kosova ka interes të përfundoj këtë proces. Ne në krahasim me Serbinë jemi ende larg BE- së, përderisa Serbia si vend me status të kandidatit për anëtar të BE-së, e ka të qartë se nuk mund të anëtarësohet në këtë institucion pa i qartësuar raportet me Kosovën. Dhe, ky adut duhet të mirëpërdoret nga Kosova. Në anën tjetër, për çdo ditë po dëshmohet fakti se marrëveshja finale me Serbinë, po mbanë peng efikasitetin dhe efektivitetin e secilës qeveri të zgjedhur pas 17 shkurtit të vitit 2008. Përveç kësaj, një situatë e tillë politike ka shkaktuar polarizim të brendshëm të spektrit politik kosovar, sikundër që kjo situatë është shndërru në një teren manipulativ nga të tjerët.  Prandaj, nga një marrëveshje e tillë kemi dobi edhe ne. Kosova si shtet i pavarur dhe me subjektivitet të plotë ndërkombëtar në këtë proces duhet të hyjë me një platformë të qartë në kuptimin e ruajtjes së shtetësisë, karakterit unitar të saj, integritetit territorial dhe përspektivës europiane e ndërkombëtare. Çdo oscilim, secila rrëshqitje mund të shndërrohet në minim të shtetësisë sonë. Prandaj, përveç diplomacisë është i nevojshëm edhe ndërmjetësimi. Diplomacia e pasuar nga ndërmjetësimi potencialisht mundëson arritjen e objektivave të parashtruara. Në këtë drejtim, roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është rol ndërmjetësuesi, sepse ndërmjetësimi nënkupton pozicionim neutral në raport me palët në konflikt/dialog. Ndërkohë që roli i Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në këtë proces mbase është komprometuar si rrjedhojë e emërimit të Borrel-it dhe Lajčak-ut. Anëtarësimi në BE është i pa parashikueshëm tani për tani në kontekstin kohor për shkak se varet nga vullneti i shteteve që po hezitojnë të njohin Kosovën, por që Kosova nga procesi i normalizimit duhet të marrë garancione të shkruara se nuk do të pengohet nga Serbia në rrugën e saj për në BE. Madje, edhe pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë, optimizmi për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është veçse imazh iluziv. Sepse shkaku i mosnjohjes së Kosovës nga Spanja, Sllovakia dhe Qipro janë katalonasit, baskët, hungarezët e turqit. Në ndërkohë që për të marrë një ulëse në OKB është i nevojshëm involvimi i Rusisë në këtë proces. E një ivolvim i tillë natyrisht se implikon situata të vështira. Tani për tani, pozicioni indiferent dhe inferior i Rusisë në këtë proces është përparësi e madhe për Kosovën. Këtë përparësi duhet shfrytëzuar gjithsesi.

Mirëpo, përkundër faktit se organizatat e lartëpërmendura janë të rëndësishme në kuptimin e çimentimit të shtetësisë së Kosovës, Kosova duhet t’i përshtatet dinamikave politike me ç’rast realizmi edhe më tej mbetet teoria qendrore rreth së cilës shtetet sillen. Në këtë kontekst, duke qenë se e drejta ndërkombëtare është sistem horizontal, edhe më tej mund të thuhet se shtetet janë aktorët dhe faktorët kryesor në rendin ndërkombëtar të, siç e quan Cassese, Kartës së Kombeve të Bashkuara. Nuk duhet harruar asnjëherë se formimi i shteteve dhe funksionimi normal i tyre ka ndodhur varësisht nga konfiguracioni i rendeve të caktuara ndërkombëtare. Shtetet fituese të luftërave të mëdha kan shartuar rendet rrespektive ndërkombëtare (europiane). Kështu ka ndodhur me Vestfalinë, Koncertin e Vjenës, Traktatin e Versajës e Kartën e Kombeve të Bashkuara. Tani, edhe pse me ndryshime të theksuara, por jo të natyrës së disbalancit formal, rendi ndërkombëtar i shartuar pas Luftës së Dytë Botërore është në një fazë të re dhe mjaft sensibile të zhvillimit të tij. Bota sot me një Gjermani pothuajse në zenit të zhvillimit dhe influencës së saj, me një Rusi me kokën lartë, me Britaninë që nuk ka armik e as mik të përhershëm, me Francën e cila bashkë me Gjermaninë i janë sipërvendosur Brukselit, me Turqinë gjeti gazin ne detin e zi dhe me një Amerikë që me gjasë nuk jemi mësuar ta shohim kështu, të gjitha këto të shtyera nga realizmi i cili botën e sheh në një anarki të vazhdueshme, nuk është edhe aq e sigurt. Për rrjedhojë, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme në raport me të gjitha këto dinamika. Sepse pavarësia e Kosovës përveç se është rrjedhojë e përcaktimit të aleatëve perëndimor në të njëjtën kohë është edhe rezultat i evoluimit të kritereve tradicionale të shtetësisë me ç’rast sovraniteti vestfalian nuk është a condition sine qua non (kusht i domosdoshëm) për bërjen e shtetësisë. Në këtë kontekst roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë dhe mbetet krucial.

Modelet që mund/duhet të ndiqen

Marrëveshja Finale për Normalizimin e Raporteve në mes të Kroacisë dhe atëherë Jugosllavisë (Serbisë), e datës 23 gusht 1996, e nënshkruar nga Ministrat rrespektiv të Punëve të Jashtme dhe Marrëveshja mbi Fqinjësinë e Mirë dhe Bashkëpunimin Miqësor në mes të Republikës së Sllovakisë dhe Republikës së Hungarisë, e datës 19 mars 1995, gjithsesi se duhet të shikohen si modele për marrëveshjen që do të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht duke kontekstualizuar objektivisht raportet Kosovë- Serbi. Marrëveshja e paqës ndërmjet ish- Jugosllavisë (Serbisë) dhe Kroacisë përveç që sanksionon njohjen reciproke të sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve (Kroacisë dhe Jugosllavisë së atëhershme), pra njohjen reciproke të pavarësisë së këtyre shteteve, njohjen dhe rrespektimin e kufijve ndërkombëtar të tyre, si dhe parimin e vullnetit dhe fqinjësisë së mirë, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, ajo njëkohësisht obligon palët që çështjet e përbashkëta t’i zgjidhin në bazë të parimit të reciprocitetit dhe parimit të fqinjësisë së mirë.

Specifikisht, çështjet që duhet t’i përmbajë Marrëveshja Gjithpërfshirëse dhe Obligative Për Normalizimin e Marrëdhënieve Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas një kërkimfalje nga Serbia për krimet e kryera në Kosovë, janë:

  • Njohja reciproke e pavarësisë së dy shteteve
  • Rrespektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të palëve, karakterit unitar të tyre, sipas të drejtës ndërkombëtare
  • Barazia e shteteve
  • Parimi i fqinjësisë së mirë në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Deklaratës së Marrëdhënieve Miqësore
  • Njohja reciproke e kufijve ndërkombëtar të dy shteteve, sipas të drejtës ndërkombëtare
  • Rrespektimi i dispozitave të Kartës së Kombeve të Bashkuara që kan të bëjnë me ndalimin e përdorimit të forcës dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore
  • Delimitimi dhe demarkimi i kufirit shtetëror në mes të palëve, që duhet bërë përmes një marrëveshje të përbashkët
  • Dhënia e garancioneve për të mos e penguar njëra tjetrën për anëtarësim në mekanizma, organizma dhe organizata evropiane dhe ndërkombëtare duke përfshirë këtu specifikisht OKB-në, BE-në dhe NATO-n.
  • Shkëmbimi i informacioneve për personat e zhdukur dhe kthimi i tyre
  • Garantimi i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës në Serbi dhe serbëve të Kosovës në Kosovë, sipas dispozitave juridiko pozitive të së drejtës ndërkombëtare
  • Ekonomia e tregut të lirë
  • Qarkullimi i lirë i njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve
  • Obligimi i secilit shtet për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të shtetit tjetër dhe për të mos e penguar disponimin dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore mbitokësore e nëntokësore
  • Pajtimi për trajtimin të drejtave të entiteteve minoritare si çështje legjitime e komunitetit ndërkombëtar
  • Mundësimi i kthimit të fondit pensional të Kosovës në Kosovë
  • Kompenzimi për pasurinë e shkatërruar apo të dëmtuar gjatë luftës
  • Suksesioni sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare
  • Trafiku rrugor, hekurudhor, ujor, ajror e postar, sipas parimit të fqinjësisë së mirë
  • Lëvizja dhe qëndrimi i lirë dhe i pa penguar e udhëtarëve dhe automjeteve të shtetasëve të shteteve rrespektive gjatë qarkullimit dhe qëndrimit në këto shtete
  • Mbrojtja e ambientit dhe ndryshimet klimatike
  • Klauzolën e regjistrimit në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara, sipas nenit 102 të Kartës së Kombeve të Bashkuara
  • Dhe të gjitha çështjeve konkrete nga të cilat Republika e Kosovës ka interes dhe dobi.

Nga një marrëveshje e tillë potenciale, nga e cila Kosova gjithsesi se është fituese, Serbia me siguri që kërkon diçka në shkëmbim. Kërkon një favor. Kërkon një kompromis. Kërkesa për kompromis mund të manifestohet përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe apo nëpërmjet shkëmbimit territorial, rrespektivisht ndryshimit të kufijve. Kjo e para me shumë gjasë do të jetë në tavolinën e bisedimeve.

Pozita e minoritetit kombëtar (national minority) serb në Kosovë- Asociacioni

Populli në bazë të së drejtës ndërkombëtare nënkupton gjithë popullatën në një territor të caktuar, duke margjinalizuar kështu dallimet etnike, gjuhësore e religjioze. Minoritetet kombëtare apo etnike, rrespektivisht popujt minoritar, janë akomoduar brenda shteteve ekzistuese duke i’u garantuar atyre të drejtat e sanksionuara në bazë të së drejtës së brendshme të shteteve dhe të drejtës ndërkombëtare pozitive. Minoritete (minoritete kombëtare apo popuj minoritar) ka gjithandej nëpër botë. Baskët në Spanjë, inuitët në Kanada, kurdët në Turqi, Siri e Irak, katangezët në Kongo, katolonasit në Spanjë, shqiptarët në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, hungarëzët në Sllovaki e Serbi, sllovakët në Hungari, tamilët në Srilankë, ibot (Biafra) në Nigeri, armenët (Nagornih Karabakh) në Azerbejxhan, suedezët (Ishujt Aaland në Finlandë), minoriteti sami në Norvegji, grenlandezët në Danimarkë, kuebekasit në Kanada, gjermanët (Tiroli Jugor) në Itali, rusët në Estoni, abkhazët e osetianët në Gjeorgji, e kështu me radhë.

Mirëpo dilema dhe paqartësia shfaqet me rastin e kategorizimit të minoriteteve si subjekte të vetëvendosjes së brendshme dhe definimi i tyre në sensin e të drejtës ndërkombëtare. Çfarë në të vërtetë kuptojmë me minoritete?! Në të drejtën ndërkombëtare nuk mund të gjendet ndonjë definicion i pranuar gjerësisht i cili definon minoritetet. Por në përgjithësi minoritetet cilësohen si grupe të cilat numerikisht janë inferiore në relacion me pjesën tjetër të popullsisë në një shtet, pra që janë në pozitë inferiore në kuptimin numerik, anëtarët e së cilave kan karakteristika të ndryshme etnike, religjioze e gjuhësore kundrejt pjesës tjetër të popullsisë që është shumicë në një shtet. E njëjta nuk mund të thuhet edhe për popujt minoritar duke qenë se ata edhe pse janë numerikisht më pak në raport më pjesën tjetër të popullsisë në një shtet, natyrisht me karakteristika të ndryshme etnike, religjioze e gjuhësore, ata nuk janë dhe nuk ndihen inferior në raport me shumicën. Njëkohësisht janë territorialisht koheziv. Ta zëmë, praktikisht shqiptarët në Maqedoni mund të cilësohen si popull minoritar në kuptimin e cilësimit të tyre si titullarë të vetëvendosjes, në ndërkohë që serbët në Kosovë apo shqiptarët në Serbi mund të cilësohen si minoritete kombëtare në kuadër të shteteve rrespektive. Për ta sqaruar edhe më tej. Kurdët në Turqi janë popull minoritar, ashtu siç janë katalonasit në Spanjë, kuebekasit në Kanada, në ndërkohë që serbët në Kosovë (dhe minoritetet tjera si turq, boshnjakë, ashkali, rom, egjiptas, kroat, malazez), sami-t në Norvegji, gjermanët në Itali, inuitët dhe minoriteti cree në Kanada e të tjerë janë minoritete kombëtare.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe

Akomodimi i të drejtave të komunitetit serb në sistemin tonë kushtetues dhe dokumentet juridiko pozitive të së drejtës ndërkombëtare përkitazi me entitetet minoritare flasin për një qasje pozitive dhe afirmative, objektivë kryesore e së cilës është ruajtja, mbrojtja dhe kultivimi i identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe religjioz të këtyre entiteteve. Por edhe të drejtat politike e civile.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (më tej asociacioni) në asnjë mënyrë nuk do të duhej të sfidonte parimin dhe konceptin konstitucional të vetëqeverisjes lokale dhe organizimin kushtetues të kësaj vetëqeverisje. Vetëqeverisja Lokale në Kosovë i kushton kujdes të veçant nevojave të komuniteteve që nuk janë shumicë. Sipas organizimin tonë konstitucional dhe ligjor, komuna është njësia themelore e vetëqeverisjes lokale. Por kjo nuk do të thotë që komunat, brenda kompetencave të tyre dhe në pajtim me ligjin dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale (më tej KEVL), nuk kan të drejtë për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar ndërmjet vete për çështje me interes të përbashkët, duke vepruar brenda autorizimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore. Madje, edhe nëse ky bashkëpunim materializohet përmes formimit të një asociacioni. Korniza jonë ligjore ka sanksionuar në mënyrë të qartë të drejtën e komunave për të formu asociacione, në pajtim me ligjin, për të mbrojtur dhe promovuar interesat e tyre të përbashkëta. Konkretisht, “asociacionet e tilla mund t’u ofrojnë anëtarëve të tyre një numër shërbimesh, duke përfshirë trainimin, ngritjen e kapaciteteve, ndihmën teknike dhe hulumtim në komptetencat komunale dhe rekomandimet politike, në pajtim me ligjin”.

Mirëpo, dilemat, paqartësitë dhe rezervat shfaqen me rastin e fushëveprimit dhe kompetencave të këtyre asociacioneve.

Marrëveshja e Parë të Parimeve që Rregullon Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, apo ndryshe Marrëveshja e Parë e Parimeve, e nënshkruar nga, tani, Presidenti Thaçi, ka pesëmbëdhjetë pika, gjashtë prej së cilave flasin për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pika e parë e kësaj marrëveshje thotë se “Do të krijohet një Asociacion/Bashkësi e komunave me shumicë serbe në Kosovë…”, derisa pika e dytë thekson se “një asociacion i tillë do të krijohet përmes statutit”. Përkitazi me këtë, ky entitet është bërë pjesë e rendit të brendshëm juridik të Republikës së Kosovës. I vetmi shqetësim në lidhje me këtë marrëveshje ka të bëjë me pikën e katërt të marrëveshjes sipas së cilës “Në përputhje me kompetencat e parapara me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë në ushtrimin e kompetencave të tyre përmes Asociacionit/Bashkësisë në mënyrë kolektive. Asociacioni/Bashkësia do të ketë mbikëqyrje të plotë mbi fushat e zhvillimit ekonomik, arsimin, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural”, rrespektivisht fraza “mbikqyrje e plotë- full overviev”. Dhe, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, ky paragraf ka të bëjë me të drejtën e asociacionit për të qenë i informuar, duke rekomanduar njëkohësisht sajimin e Dekretit (aktit juridik) të Qeverisë për formimin e asociacionit sipas këtij paragrafi të Marrëveshjes së Parë. Sidoqftë, duhet thënë që kjo marrëveshje është në nivelin e parimeve dhe si e tillë nuk sanksionon/presupozon cilësimin ligjor apo juridik të asociacionit, e as masën e kompetencave që do të ketë ky asociacion. Për më tepër, kjo marrëveshje parasheh që themelimi i asociacionit do të bëhet sipas modelit të asociacionit ekzistues (statusi i të cilit është OJQ i themeluar në bazë të Ligjit për Asociim në Organizatat Jo Qeveritare) dhe se kompetencat e tij do të jenë në përputhje me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin e Kosovës.

Përfundimisht, Marrëveshja e Parë e Parimeve, edhe përkundër faktit së është shndërru në pjesë të sistemit tonë juridik dhe kushtetues, në pjesën që ka të bëjë me asociacionin nuk prodhon asnjë efekt juridik i cili do të implikonte ndryshime në organizimin tonë kushtetues dhe vetëqeverisës, por që shërben vetëm si bazë juridke për veprime të mëpastajme. Gjithsesi, Karta Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, ndalon bartjen, tjetërsimin apo kufizimin e kompetencave të komunave si njësi themelore të vetëqeverisjes që janë. Sipas kësaj Karte e cila është pjesë e Kushtetutës sonë “fuqitë dhënë autoriteteve duhet të jenë të plota dhe ekskluzive. Ato nuk mund të kufizohen apo të minohen nga ndonjë autoritet tjetër, qendror apo regjional, përveç rasteve që parashikohen me ligj”. Kjo nënkupton se komunat nuk mund të transferojnë kompetencat ekzekutive tek ndonjë autoritet super-komunal, dhe se përgjegjësia përfundimtare për vendimmarrje mbetet tek trupat komunal.

Më 25 gusht të vitit 2015, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, siç shprehet edhe Gjykata Kushtetuese, u pajtua me dokumentin e titulluar “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë- Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore”, (më tej Marrëveshja e Dytë). Dhe është e rëndësishme të saktësohet se kjo marrëveshje ka qenë objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, jo Marrëveshja e Parë e Parimeve, e vitit 2013. Por, duke qenë se Gjykata Kushtetuese ka saktësuar se Marrëveshja e Dytë nuk është në tërësi me frymën e Kushtetutës, duke theksuar se akti juridik i qeverisë bashkë me statutin e ssociacionit do t’i nënshtrohen filtrit të saj, atëherë mund të konstatojmë se në kontekstin juridik tani për tani situata është e qartë. Pra, sipas gjykatës, asociacioni duhet të jetë një organizatë sipas nenit 44 të Kushtetutës që ka të bëjë me lirinë e asociimit. Ky asociacion në asnjë mënyrë nuk duhet të prekë organizimin kushtetues të vetëqeverisjes lokale në Kosovë, njësi themelore dhe e vetme e së cilës është komuna. Ndërkaq përkitazi me objektivat e asociacionit sipas Marrëveshjes së Dytë, të cilat kan të bëjnë me ofrimin e funksioneve dhe shërbimeve publike, siç janë: fuqizimi i demokracisë lokale, ushtrimi i vështrimit të plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale, ushtrimi i vështrimit të plotë në fushën e arsimit, ushtrimi i vështrimit të plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale, ushtrimi i vështrimit të plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural, e që kan të bëjnë me bashkëpunimin ndërkomunal, gjykata ka tërhequr vërejtjen se me rastin e elaborimit të këtyre parimeve/objektivave në aktin juridik të qeverisë dhe në statutin e asociacionit duhet të rrespektohet legjislacioni me interes vital sipas nenit 81 të Kushtetutës, i cili, përveç tjerash, parasheh që “Për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve në vijim, kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, si dhe të shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e Komuniteteve që nuk janë shumicë:

  1. Ligjet të cilat ndryshojnë kufijtë e komunave, themelojnë ose shuajnë komuna, përkufizojnë shtrirjen e pushteteve të komunave dhe pjesëmarrjen e tyre në marrëdhëniet ndërkomunale dhe tejkufitare
  2. Ligjet të cilat zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, me përjashtim të atyre të përcaktuara me Kushtetutë

Ofrimi i funksioneve dhe shërbimeve publike nënkupton “ushtrimin e vështrimit të plotë” në fushat si zhvillimi i ekonomisë lokale, edukimi, kujdesi shëndetësor primar dhe sekondar dhe planifikimi urban e rural. Përkitazi me kuptimin e frazës “ushtrimit të vështrimit të plotë” gjykata kushtetuese duke potencuar ambiguitetin e kësaj fraze dhe dallimin/ndryshimin me verzionin në gjuhën angleze dhe serbe, ka theksuar se formulimi që do të bëhet në aktin juridik të qeverisë dhe statutin e asociacionit në lidhje me këto objektiva/kompetenca, duhet të jetë kompatibil me terminologjinë dhe formulimin e përdorur në pikën e katërt të Marrëveshjes së Parë. Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e saj, ka shqyrtuar edhe aspektet tjera të Marrëveshjes së Dytë, të 25 gushtit të vitit 2015, si verzioni i gjuhës së përdorur, struktura organizative, statusi juridik i të punësuarëve, raportet me autoritetet qendrore, nismat legjislative e buxheti,  shtjellimi i të cilave do të rriste konsiderueshëm numrin e faqeve të këtij dokumenti.

Modeli që duhet të ndiqet

Në aspektin praktik modeli i Marrëveshjes mbi Fqinjësinë e Mirë dhe Bashkëpunimin Miqësor në mes të Republikës së Sllovakisë dhe Republikës së Hungarisë, e datës 19 mars 1995 (i ratifikuar nga Parlamenti i Sllovakisë, dhe shoqëruar nga një klauzolë kufizuese, pas një viti, më 26 mars 1996, ndërsa nga ai hungarez më 13 qershor të po këtij viti), mund të konsiderohet si një udhërrëfyes idal për trajtimin e shteteve rrespektive por edhe në pikëvështrimin e rrespektimit dhe garantimit korelativ të të drejtave të minoriteteve kombëtare në këto shtete rrespektive. Duke qenë se ka hungarezë në Sllovaki, ashtu siç ka sllovak në Hungari (hungarezë në Sllovaki ka më shumë se sa që ka sllovak në Hungari), atëherë krahasimi si mënyra më e mirë për vlerësimin dhe analizimin e proceseve vjen në shprehje gjithsesi. Në këtë kuptim, modeli i kësaj marrëveshje për trajtimin e minoriteteve kombëtare mund të përdoret, duke e kontekstualizuar, edhe në rastin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përveç tjerash, neni 15 i kësaj marrëveshje sanksionon të drejtat që lidhen me ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të personave që i përkasin minoriteteve në Sllovaki (hungarezë) dhe Hungari (sllovak) përkitazi me identitetin e tyre etnik, religjioz, gjuhësor, kulturor por edhe të drejtat politike deri në të drejtën për asocime politike e në fushat tjera. Vlen të theksohet edhe neni 34 i kushtetutës së Sllovakisë sipas së cilit minoritetet kombëtare kan të drejtë të bashkohen në asociacione. Gjithashtu, në bazë të paragrafit 15, nënparagrafi 2, f, të kësaj marrëveshje, palët janë pajtuar që realizimi i të drejtave rrespektive të këtyre minoriteteve do të bëhet në pajtim me legjislacionin e brendshëm të secilit shtet, palë në marrëveshje.

Skenarët që duhet evituar në çdo rast

Skenaret qe duhet evituar në secilin rast të negociatave dhe përmbajtjes së marrëveshjes finale me Serbinë, e të cilët do të minonin pakthyeshëm substancën e shtetit të Kosovës, janë dy:

  1. Skenari i Ishujve Aaland
  2. Kategorizimi juridik i gabuar i entitetit minoritar serb

Skenari i Ishujve Aaland

Statuti mbi Autonominë e Ishujve Aaland (Act on the Autonomy of Åland), 16 gusht 1991, në mënyrë implicite është fillimi i ndarjes entitetit suedez nga Finlanda. Është betonim i rrugës drejt, së pari, vetëqeverisjes autonome dhe, më vonë, shkëputjes përfundimtare nga Finlanda. Në bazë të këtij Statuti, Ishujt Aaland janë autonom, ndërkohë që terminoligjia e përdorur në të përkitazi me kategorizimin e këtij entiteti është ekuivalente me subjektin e të drejtës për vetëvendosje, rrespektivisht secesionin. Përdorimi i nocionit të popullit në këtë statut është shtegu përmes së cilit justifikohet secesioni potencial i Ishujve Aaland nga Finlanda. Ky statut, i hyrë në fuqi më 1 janar 1993, është miratuar nga Parlamenti i Finlandës, e poashtu edhe nga Asambleja Legjislative (Parlamenti i Ishujve Aaland) me votat e 2/3 e përfaqësuesve dhe mund të amendamentohet apo shfuqizohet vetëm në mënyrën e njëjtë si është hyrë në fuqi. Pra, nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e të dy parlamenteve rrespektive.

Ndarjet në mes të Finlandës dhe Ishujve Aaland janë evidente. Këto ndarje shkojnë aq largë sa që të lindurit, me vendbanim në këto ishuj nuk janë të detyruar të marrin pjesë në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Në bazë të këtij dokumenti organi përfaqësues i Ishujve Aaland është Asambleja Legjislative e cila përfaqëson popullin e Ishujve Aaland (neni 3), ndërkohë që në këto ishuj ekziston edhe Qeveria Lokale si dhe organet administrative. Përdorimi i gjuhës, e drejta për përdorimin e flamurit dhe stemës gjithshtu janë premisa të sajimit të një mini shteti brenda Finlandës. Të drejtat e tyre shkojnë aq larg sa që janë pyetur dhe kan mbajtur referendum për përfshirjen e tyre në BE me rastin e anëtarësimit të Finlandës, në vitin 1994.

Pra, siç po shihet nga ky elaborim i shkurtër, Kosova në asnjë rast nuk guxon të futet në lojëra të tilla. Kësisoji, diskursi që ne zgjedhim dhe afirmojmë përveç që prodhon orientim ideal ideo politik për akomodimin e komunitetit serb në Kosovë dhe atij shqiptar në Serbi, në të njëjtën kohë shërben edhe si preventivë për të mos shkuar rrugës së gabuar, rrugës me gjemba.

Kategorizimi juridik i minoritetit serb në Kosovë dhe definimi legal i këtij minoriteti/komuniteti

Duke qenë se në të drejtën ndërkombëtare nuk mund të gjendet ndonjë definicion i pranuar gjerësisht i cili definon minoritetet, atëherë kategorizimi i tyre në kuptimin e definimit si subjekte të vetëvendosjes së brendshme, është vendimtar. Është krucial. Është pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes. Sepse çdo oscilim në këtë definim teorik mund të ketë pasoja kardinale për të ardhmen e shtetit të Kosovës.

Sanksionimi në marrëveshjen finale i nocionit “minority people” (popull minoritar) për minoritetin/komunitetin serb në Kosovë është bombë e kurdisur e cila mund të eksplodoj në çdo kohë. Prandaj, në aspektin juridik cilësimi i sakt dhe objektiv i entiteteve minoritare nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës (neni 57, paragrafi 1 i saj, minoritetet/komunitetet i cilëson si grupe kombëtare apo etnike) si dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO130/15, për vlerësimin e përputhshmërisë së parimeve të “Asociacioni/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”, janë korniza të qarta juridike përtej të cilave nuk bën dhe nuk duhet dalur. Dokumentet tjera juridiko- pozitive ndërkombëtare, siç janë: Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Politike dhe Civile, Konventa për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare, e Këshillit të Europës, Deklarata mbi të Drejtat e Personave që i Përkasin Minoriteteve Kombëtare apo Etnike, Religjioze dhe Gjuhësore, e Asamblesë së Përgjithshme të OKB- së, e veçanarisht Karta Europiane për Vetëqeverisje Lokale, janë dokumente relevante ndërkombëtare të cilat mund të referohen. Sidoqoftë, tashmë asociacioni i komunave me shumicë serbe është kategori kushtetuese. Është bërë pjesë integrale e sistemit tonë kushtetues. Pra, intenca është tek rezistenca dhe konsistenca e palës kosovare në lidhje me mënyrën e përbrendësimit dhe jetësimit të këtij asociacioni.

Modelet në të cilët duhet të insistohet

Pra, përveç modeleve që duhet injoruar, na duhen të tjerë të cilët duhet shtyrë e në të cilët duhet të mbështetemi. Të tilla modele ka mjaftueshëm, por tani po i trajtojmë dy të tillë:

  1. Modeli i Marrëveshjes ndërmjet ish-Jugosllavisë (Serbisë) dhe Kroacisë-
  2. Modeli i Marrëveshjes ndërmjet Sllovakisë dhe Hungarisë

Mishërimi i elementëve të marrëveshjes ndërmjet serbëve dhe kroatëve që ndërlidhen me pavarësinë, njohjen, sovranitetin, integritetin territorial, fqinjësinë e mirë, të pagjeturit, suksesionin e çështje tjera të tilla, me elementet e marrëveshjes ndërmjet Sllovakisë dhe Hungarisë të cilat kan të bëjnë me statusin kushtetues, juridik dhe politik të minoriteteve, të kontekstualizuara sipas raporteve Kosovë- Serbi, sipas pikëvështrimit tim, do të prodhonte një marrëveshje pozitive për Kosovën.

Përfundime

“Një shtet, një territor, një popull, një qeveri”- Hans Kelsen

Për herë të parë në historinë e shteteve moderne Kosova nga një spektatore që ishte para luftës çlirimtare, u shndërrua në një aktor dhe faktor pas saj. Deri atëherë ishte veçse objekt diskutimi, jo edhe subjekt siç është tani. Shteti i Kosovës si një produkt normal i të drejtës së popujve për vetëvendosje është refleksion i dinamikave të reja në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Njohja e shtetësisë së Kosovës nga njëqind e gjashtëmbëdhjetë shtete gjithandej botës, në mesin e të cilave janë edhe shumica e Fuqive të Mëdha, e shoqëruar nga Mendimi i GJND- së përkitazi me legjitimitetin e deklaratës së pavarësisë dhe anëtarësimi i saj në shumë organizma e organizata regjionale, europiane e ndërkombëtare, si dhe orientimi i saj konsistent pro perëndimor dhe euroatlantik janë prekondita të qëndrueshme të cilat tregojnë se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës është i pakthyeshëm, i pathyeshëm dhe në funksion të paqës dhe stabilitetit.

Procesi në të cilin tashmë ka hyrë Kosova shënon një fazë të re politike që duhet të finalizohet përmes Marrëveshjes së Paqës apo Normalizimit me Serbinë, e cila në planin e brendshëm doemos duhet të siguroj ruajtjen dhe mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial shtetëror, funksionimin e brendshëm unitar të saj, shfrytëzimin e resurseve natyrore dhe ekonomike të vendit pa pengesa dhe rezerva, sikundër që në planin e jashtëm duhet të  siguroj njohje nga Serbia, përspektivë të qartë për rrugën e Kosovës për anëtarësim në OKB, BE dhe NATO si dhe rrespektimin e reciprok të të drejtave të minoritetit serb në Kosovë dhe atij shqiptar në Serbi, sipas standardeve dhe dokumenteve juridiko pozitive të së drejtës ndërkombëtare që kan të bëjnë me këto entitete.

Sa i përket pozitës së minoritetit kombëtar serb në Kosovë, çdo oscilim përtej asociacionit i cili do të sfidonte dhe lëndonte organizimin konstitucional dhe ligjor të vetëqeverisjes lokale dhe komunën si njësi themelore të saj, duhet të jetë i pa pranueshëm.

Për të gjitha këto çështje, institucionet e vendit duhet të ketë qëndrim politik të qartë, unik dhe pragmatik. Përkitazi me këtë, Republika e Kosovës duhet të mbështet përmbylljen sa më të shpejtë të Marrëveshjes Finale me Serbinë, në një proces të udhëhequr nga SHBA dhe të mbështetur nga BE. Çdo vonesë, ashtu edhe siç e ka vërtetuar koha, shkakton (ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktoj) dy pasoja të mëdha dhe asnjë rrjedhojë. Pasoja e parë lidhet me orentimin e kushtëzuar të secilës Qeveri në dialogun e Brukselit me ç’rast energjia që është humbë në këtë proces nuk ka sjellë sukses. Në fakt, ka shkaktu regres. Ngecjet në zhvillimin socio ekonomik, polarizimi shoqëror, gjykata speciale, izolimi ndërkombëtar (liberalizimi), ngecja me njohjet dhe tërheqja e tyre, janë vetëm disa nga sekuencat e kësaj pasoje. Derisa pasoja e dytë ka të bëjë me sajimin e terenit politik manipulativ nga brenda përkitazi me dialogun dhe rezultatet/efektet e tij.

Republika e Kosovës në mënyrë kategorike duhet të refuzoj të mbështesë çfarëdo marrëveshje me Serbinë e cila serbëve të Kosovës i referohet me frazën “national minority- popull minoritar”. Kategorizimi juridik i minoritetit serb në Kosovë dhe definimi legal i këtij minoriteti/komuniteti është bombë e kurdisur e cila mund të eksplodoj në çdo kohë. Artikulimet terminologjike mund të rezultojnë fatale.

Republika e Kosovës në asnjë mënyrë nuk duhet të mbështet Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe i cili cënon parimin dhe konceptin konstitucional të vetëqeverisjes lokale dhe organizimin kushtetues të kësaj vetëqeverisje. Komuna është dhe mbetet njësia themelore dhe e vetme e vetëqeverisjes lokale në Kosovë.

Republika e Kosovës duhet të njoh dhe rrespektoj të drejtën e secilit entitet komunal për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar në pajtim me Kushtetutën e Republikës, ligjet rrespektive në fuqi dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Por, kjo e fundit ndalon bartjen, tjetërsimin apo kufizimin e kompetencave të komunave si njësi themelore të vetëqeverisjes që janë. Kjo nënkupton se komunat nuk mund të transferojnë kompetencat ekzekutive tek ndonjë autoritet super-komunal, dhe se përgjegjësia përfundimtare për vendimmarrje mbetet tek trupat komunal.

Krejt në fund, takimi i 4 shtatorit në Shtëpinë më të rëndësishme në botë, është prelud për një marrëveshje finale e cila duhet të reflektoj vullnetin dhe interesat e Kosovës. Kjo marrëveshje finale do të jetë në formën e parimeve dhe një gjë e tillë është shumë e rëndësishme në kuptimin sajimit terminologjik të këtyre parimeve duke qenë se parimet në vetëvete janë të diskutueshme, të debatueshme e të interpretueshme. Shpeshherë shprehje e qëndrimeve të kundërta të palëve.

Se a do të jetë e suksesshme qasja: ekonomia pastaj politika, mbetet të shihet. Unë nuk besoj në një teori të tillë!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …