Ndonëse unë mendoj të njëjtën gjë me tjetrin dhe meqenëse vloj nga emocioni për ta shpreh atë mendim, është një forcë e madhe psikologjike e cila ma ndalon në fyt atë që dua ta them! Ndonëse nuk e them dot atë që e mendoj, ndjenja e frustrimit është rrjedhojë normale dhe e pashmangshme. Sepse të mos e thuash publikisht atë që e mendon do të thotë ta burgosësh atë që e ndjenë. Kjo nuk vjen si pasojë e presionit nga të tjerët, por si rjedhojë e nevojës për t’u përshtatur me dike, apo interesit qe kemi, edhe nëse ai interes është imagjinar dhe në pritje të papërcaktuar kohore. Në rastin kur nuk e themi mendimin tonë për shkak të presionit nga të tjerët, kemi të bëjmë më censurën. E në rastin kur nuk e themi atë që e mendojmë për shkak se supozojmë se mund ta humbim mundësinë, edhe nëse ajo mundësi është iluzion, atëhër kemi të bëjm me vet- cenzurë. Vet- cenzura është kataklizma e paramenduar njerëzore. Ajo është kancer për karakterin dhe personalitetin e njeriut. Vet- cenzura të kontrollon pamëshirshëm. Më shumë se çdo kush tjetër. Më shumë se çdo force tjetër. Sipas Oxford Dictionaries, “vet- cenzura nënkupton ushtrim të kontrollit mbi atë se çka thotë e çka bën njeriu, veçanarisht për ta parandaluar kritikën; ajo reflekton frikë dhe hipokrizi”. Vet- censura është karakteristika fundamentale e shoqërisë sonë në përgjithësi.
Është e keqja e ‘domosdoshme’.
Mirëpo, kush janë ato shkaqe të cilat na kanë futë në këtë situatë të mjerueshme politike e publike? Për mendimin tim, vet- cenzura është prezente pothuajse të shumica e atyre të cilët merren me çështje publike e politike. E shkaqet të cilat na kan de personifikuar si qenje intelektuale janë interesi personal politik dhe nevoja për ekzistencë. E para është puro subjektive, e dyta është objektive dhe e natyrshme. Vet- cenzura politike është si pasojë e funksionimit të partive politike në Kosovë, pa dallim. Sepse vetëm duke qenë i tillë mund të ngritesh në pozitë. Në të kundërtën, në rastin më të mirë vendnumëron, e në rastin më të keq degradohesh. Është krijuar një përshtypje që vetëm si i heshtur dukesh intelektual dhe vetëm duke mos u përballur me askënd je pretendent për emancipim. Pra, vet- cenzura prodhon heshtjen në shërbim të sajimit të intelektualit dhe abstenimin në shkëmbim të emancipimit. Ama, ta kemi të qartë. Formimi intelektual nuk është pasojë aksidentale e heshtjes, si derivat i vet- cenzurës, por rrjedhojë e natyrshme e karakterit të fortë dhe studimit kualitativ. E emancipimi, nuk vjen duke abstenu por duke i ballafaquar idetë, mendimet e qëndrimet. Prandaj, poshtë vet- cenzura. Vetëm atëher kur ta kemi mposhtur atë, mund të flasim si njerëz, ashtu siç na ka hije dhe ashtu si mundemi.