Ndonëse moti ishte i paqëndrueshëm dhe kohë pas kohe rigonte shi, edhe nata e dytë e edicionit të 29 të festivalit “Hasi jehon” u mbajt në ambient të hapur. Ansambli “Shqiponja” nga Shkupi nuk u ndal edhe pse në vallen përmbyllëse të programit të natës së dytë filloi të bie shi. Ansambli “Shqiponja” u paraqit me valle burimore, valle me jatagan dhe një kolazh të valleve të krahinave të ndryshme.
ShKA “Hajvalia” nga Prishtina e hapi natën e dytë me një program të pasur me motive popullore, ndërsa Grupi polifonik “Bilall Golemi” nga Gjirokastra solli magjinë e këngës polifonike, Ky Grup u paraqit me këngët: “Çka ka toka që lëshon flakë”, “Kosovë kreshnike”, “Gërshetat hedhur mbi supe”, “More Naim Shqipëria” dhe këngën për Bilall Golemin. Në mbrëmjen e dytë kryesisht me këngë dhe me valle koreografike u prezenatua ShKA “Anadrinia” nga Dejni i Rahovecit, ndërsa në natën e dytë përveç Ansamblit “Shqiponja” nga Shkupi me një program të pasur shkëlqeu ShKA “Zëri i Kosovës” nga Fushë Kosova.
Festivali “Hasi jehon” ka krijuar traditë të gjatë të prezantimit të vlerave autoktone, jo vetëm të kësaj treve të Hasit por në përgjithësi nga Kosova nga Maqedonia nga Shqipëria, Mali i zi, Presheva e Bujanovci, dhe nga një festival që në fillimet e veta u quajt “Dasmë hasjane” u shndërrua në një dasmë ku prezantohet tradita jonë burimore e të gjitha trevave shqiptare, duke e krijuar identitetin e vet të veçantë të prezantimit të këtyre vlerave.
“Hasi jehon” vit pas viti po shndërrohet në një dasmë gjithëkombëtare duke e mbajtur primatin e njërit nga festivalet më të mira që mbahen në trevat shqiptare.
Me një përkrahje më domethënëse institucionale “Hasi jehon” pritet të shndërrohet në një krye ngjarje kur ruhet tradita jonë, folklori i pasur, veshjet, rritet, doket dhe zakonet.
Publiku është ndër elementet më motivuese për pjesëmarrësit në festival, ndërsa shenja dalluese e festivalit në 29 vite të organizimit është publiku që e përcjell festivalin në numër të madh.
Drejtori i Festivalit Haziz Hodaj thotë se në natën e tretë juria do t’i ndaj çmimet tradicionale të festivalit “Sigurisht që çmimet janë motivim shtesë për grupet që paraqiten. Ne iu kemi ik çmimeve klasike: vendi i parë, vendi i dytë, vendi i tretë, sepse është e pamundur që të vlerësohet folklori burimor, është e pamundur që të vlerësohen ritet, doket e zakonet sepse secili në vete e ka vlerën e vetë. Organizatori për shkak të motivimit i ka paraparë çmimet tradicionale kryesore:
Juria e përzgjedhur në përbërje: Dilaver Kryeziu- koreograf, Sami Piraj – kompozitor, Hisen Dida – rapsod, Shaqir Hasi – profesor i muzikës në përfundim të natës së tretë do të ndajnë këto çmime tradicionale të festivalit “Hasi jehon”: çmimi e parë “Malësori”; çmimi i dytë “Malësorja”; çmimi i tretë “Lahuta”; çmimi “Nazmije Tota”; valltari dhe valltarja më e dalluar; koreografia më e mirë; kostumet; rituali; rapsodi më i mirë, instrumentisti më i dalluar etj. (Hazizi Hodaj)