ASHAK: PAMFLETI MË I RI I PROF. DR. HAKIF BAJRAMIT XHEVAHIR I RADHËS ME SHPIFJET E MËSYMJET E TIJ FRONTALE KUNDËR ASHAK-ut

ASHAK: PAMFLETI MË I RI I PROF. DR. HAKIF BAJRAMIT XHEVAHIR I RADHËS ME SHPIFJET E MËSYMJET E TIJ FRONTALE KUNDËR ASHAK-ut

(Reagim në shkrimin e dr. Hakif Bajramit, botuar në Radion-Kosova e Lirë -Analiza e dt. 6.9.2017, me titull, “Akademia e plagjiatorëve, aktivistë të LKJ-LDK-së i turret Institutit Albanologjik dhe atyre që nuk janë pjesë e klaneve mafioze-politike”)

Kriza politike, ekonomike dhe shoqërore në Kosovë, që për fat të keq, ka marrë përmasa shqetësuese për shumicën e qytetarëve tanë, ka hapur shtigje për daljen në skenë të tendencave më retrograde e rrënuese të disa jurishnikëve të njohur qysh në kohën e dalldisjeve shfrenuese të shovinizmit serb kundër Kosovës e shqiptarëve, përkatësisht pas 1981-it, të njohur e të shijuar me pelimin më helmues kundër zhvillimit normal të një rrugëtimi që patëm marrë asokohe. Këto elemente të etura qysh atëherë me vullnetin e tyre të “hekurt” për të zënë vende e pozita të pa merituara në hierarkinë intelektuale, institucionale e politike të kohës, u bënë aleatet më ofensivë në procesin e rrënimit tonë shoqëror, ekonomik, kulturo-arsimor e social, të njohur si procese diferencuese, pasoja këto që i kemi vuajtur në lëkurën tonë.

T’i lëmë me një anë ngjashmëritë e periudhave historike dhe t’u kthehemi zhvillimeve të sotme konkrete. Aktualisht, eshalloneve ndëshkuese mbi emrin dhe veprimtarinë shkencore e kadrovike të Akademisë tonë iu ka bashkangjitur me tërë arrogancën dhe mjerimin e tij intelektual e njerëzor një zë sa i njohur e anakronik me primitivizmin e tij antiqytetrues, me një vokabular e terminologji denigruese sa që ua kalon edhe njerëzve më ordinerë. Ky tip kritikuesi identifikohet me emrin e Hakif Bajramit famoz. Sigurisht që në rrethana normale të lëvizjeve shoqërore reagimi ndaj një veprimi të tillë do të ishte nonsens. Mirëpo, nëse bëhet analiza e nevojshme ndaj këtyre atakimeve të ulëta e përbuzëse, të cilat po bëhen të sinkronizuara periodikisht, të imponohet një konkluzion logjik, se këto forma primitive që po marrin hov dita ditës nga jo kompetenca e gjykimit agresiv, që komandohen nga një qendër e cila ka për qëllim të zhvleftësoj gjithçka të arritur me mundin dhe sakrificat e panumërta të inteligjencës dhe të popullit të shumë vuajtur të Kosovës. Përfundimisht kuptohet që kjo qendër mëton për të rrënuar dhe mashtruar opinionin tonë publik lidhur me të kaluarën dhe vlerat e kësaj Kosove, në mënyrë që klima shoqërore të jetë një amulli ose si një kënetë e ideve destruktive për të vu shenjat e barazimit midis të mirës dhe të keqes, dhe definitivisht t’u mundësohet elementeve shpirtëshitura e karrieste më famëkeqe, të cilët kurdoherë kanë qenë dhe janë të gatshëm që “si setra të rrotulluara” t’i ofrojnë shërbimet e tyre “intelektuale” të gjitha regjimeve me parulla demagogjike-patriotike dhe kështu, Kosovën ta shndërrojnë në një “kanton të pandreqshëm historikisht”, në mënyrë që të vlerësohet si domosdoshmëri e një rregullimi të ri nën kamxhikun ruso-serb, i cili do të mund ta sjellte në vete këtë popull “të çmendur” që nuk di se çka dëshiron sipas tyre.

Ajo që bën përshtypje e të lë të çuditur se si u lihet hapësirë e lirë këtij soji kritikuesish, janë disa mjedise e media të cilat vetëquhen progresive e në shërbim të “çështjes tonë të madhe”, siç është rasti me “Analizën e Radio Kosovës së Lirë” e dt. 6.9.2017 si dhe disa mediave tjera.

Sa i përket nevojës për të dalluar tipat e tillë komprometues, të cilët s’pritojnë të përdorin sharjet dhe ofendimet më të vrazhda në adresë të ASHAK-ut – është e kuptueshme, por gjithsesi duhet shtruar pyetja se në emër të çfarë interesi këto media i lansojnë “zbulimet” e këtyre biçim “shkencëtarësh” me biografitë e tyre plotë njolla e vepra kontraverse pa asnjë minimum vërtetësie e ndjenje morali.

Sa për ilustrim dua t’u shtrojë disa pyetje konkrete të tillëve, që besoj se do të duhej të gjejnë përgjigjen e duhur nga redaktorët dhe kompetentët që i yshtin jurishnikët revolucionarë për t’i reformuar institucionet tona?!

A është e mundur të mos dini ju kompetentë të kësaj kakafonie shurdhuese se kush ishte dje dhe cili është sot në Kosovë që përfaqësonte pishtarët e idesë së përforcimit ideologjik të jugosllavizmit kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar?!

Historianët dhe filozofët e tipit që personifikon prof. dr. Hakif Bajrami i juaj i cili sot po vajtuaka si një kukuvajkë e shndërruar në viktimën e “akademikëve të pamerituar”, duke u thirrur në dëshmitë e disa figurave të shquara të së kaluarës sonë, të cilët që dy e më shumë decenie janë mbuluar me dheun e zi të kësaj toke, e që ky kritikues rrejshëm i prezanton si dorëzanët e mjeshtërive të tij profesionale, në mënyrë që të merret më bindës nga opinioni i të pa informuarve sa duhet. Me shpresë se megjithatë këto media duhet të jenë në radhë të parë lansuese të vërtetave të dokumentuara e jo pjesë e lojërave djallëzore e disa qarqeve intrigante të individëve me vlera kontestuese morale e profesionale. Së këndejmi do të duhej shtruar disa pyetje në të cilat mund të përgjigjet edhe opinioni ynë publik e intelektual:

Si mbahet mend sundimi policor i rreth 10 vjetëve i Hakif Bajramit në Arkivin e Kosovës dhe i aleatëve e bashkëmendimtarëve të tij në Institutin e Historisë së Kosovës. Sa për ilustrim ia përkujtoj atij shantazhet dhe kushtëzimet që i bënte asokohe një zonje, e cila ishte përzënë nga puna për shkak se regjimi i kishte burgosur politikisht të shoqin;

Duhet përkujtuar se “lavdraçi Goni Trozovaçi” ynë kishte harruar për t’i shënuar në listën e kontributeve të tij e të bashkëmendimtarëve, projektin famoz “Velike bitke za Jugoslaviju” si dhe projektin e turpit të tyre “Kosova – Të vërtetat dhe mashtrimet” (Kosovo – Istine i zablude) e botuar në disa mija ekzemplarë serbo-kroatisht e shqip, e shkruar prej tij dhe ortakëve tjerë shkencorë e mercenarë kosovarë, por me emrin e “patriotit të devotshëm” Sinan Hasani. Natyrisht, e gjithë kjo me shpërblime galla në Brezovicë e Beograd;

Po kush se mban mend rrenën ma monstruoze në shërbim të ofensivës shoviniste serbomadhe kundër figurës së Sekretarit të asaj kohe të OKB-së dhe mikut të popullit shqiptar – Kurt Valdhajmit;

Kush ishte ai që pengoi  ardhjen e Prof. Fehmi Aganit dhe Prof. Muhamet Tërrnava në institut sipas shkresës së Nebi Gashit;

Hakif Bajrami ishte ai “bamirësi i ndjeshëm për vëllazërim-bashkim” dhe shih për këte e me qëllim të krijimit të favoreve për të shkuar profesor në fakultet, e pranoj Jugosllav Gjorgjeviçin i sapo diplomuar në vend udhëheqës në Arkivin e Kosovës. Për të qenë çudia edhe më e madhe, këtij beqari do të ia dhuron banesën e dedikuar për sekretarin e asaj kohe të Arkivit.

Gjithashtu ky Hakif Bajrami është autor “i merituar” i shumë artikujve dhe kontributeve kontraverse të dizajnuara sipas metodologjisë selektive shkencore të sforcuar e të ideuar nga Beogradi zyrtar për figurat e historisë sonë më të re si Bedri Pejani, Adem Boletini, Tahir Zajmi, Bajram Curri edhe shumë akteve tjera të shëmtuara;

Kush s’u trishtua me kryeveprën e turpit e të mjerimit intelektual të ndjekjes dhe mbylljes së derës së Institutit për Profesorin dhe Akademikun tonë të shquar Ali Hadri, emrin e të cilit e thërret në ndihmë për të justifikuar konstruksionet e tij në artikullin e sipër përmendur. Duke vepruar kështu ky fakir edhe me rrenat e fundit në Radio Kosovën e Lirë mëton të duket i besueshëm në opinion.

Prandaj, në emër të së vërtetës dhe të korrektësisë profesionale kërkoj nga Radio Kosova e Lirë që të distancohet nga shkrimi inkriminues i Hakif Bajramit – “kolonelit në rezervë” të shpifur të UÇK-së.

Përfundimisht ky emër, synonim i ndjekjes, shantazheve dhe etiketimeve monstruoze politike ndaj kolegëve të profesionit dhe intelektualëve të tjerë, do të duhej së paku të heshtë e të pushoj së shkruari pamflete me improvizime të tij hallucinative, sepse besoj se është i lodhur shumë me këto “barrë të rënda” të veprimtarisë së tij kreative. Këtë radhë vetëm kaq sa për t’i kujtuar Hakif Bajramit dhe të tillëve si ai se nuk na ka lanë kujtesa për kreativitetin dhe veprimet e tyre të turpshme në një kohë shumë të ndjeshme për Kosovën.

Prishtinë, 26.9.2017     Akademik Jusuf Bajraktari

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …