Vetëm 80 euro në muaj janë të paraparë me ligj, për një familje 15 anëtarëshe në asistencë sociale, ndërkohë që institucionet e Kosovës kanë pagat më të mëdha në rajon. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, ndonjëherë edhe detyrimit familjar, një numër i madh i fëmijëve në vend, bëjnë punë të rënda. Në të ftohtë, e gjatë netëve të vona janë rreth 100 fëmijë që kërkojnë lëmoshë rrugëve, edhe pse në Kosovë ndalohet me ligj angazhimi i fëmijëve në aktivitete që dëmtojnë zhvillimin e tyre. Për këtë organizatat që merren me të drejtat e njeriut thonë për KosovaPress se një numër i madh angazhohen në aktivitete të ndryshme në rrugë që dëmtojnë shëndetin psiko-fizik të tyre. Ata bëjnë thirrje për shtimin e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, siç është hapja e më shumë qendrave për strehimin e përkohshëm. Selvete Sadiku, udhëheqëse e Divizionit për Asistencë Sociale thotë se Prishtina është qyteti me numrin më të madh të lëmoshë-kërkuesve. Veprimtaritë e tilla bien ndesh me ligjin, sipas të cilit ndalohet punësimi i fëmijës në aktivitete që dëmtojnë sigurinë, shëndetin, moralin dhe zhvillimin psiko-fizik të tyre. Vitin e kaluar vlera mesatare e asistencës sociale ishte 75 euro në muaj, përderisa paga mesatare mujore në sektorin publik është 573 euro.(KosovaPress)
