Paralajmërimi i opozitës për një manifestim masiv, gjithëpopullor, në Festën e katërfishtë kombëtare, shqiptare, të 28 nëntorit, ka vënë në siklet Qeverinë e Kosovës dhe Policinë e vendit. Në përpjekje për ta zbehur këtë manifestim, i pari i Qeverisë, Isa Mustafa, po ngjall panik te qytetarët, të cilët sipas tij qenkan të rrezikuar nga aktet e mundshme terroriste.
A është me të vërtetë Isa Mustafa i brengosur për manifestuesit, apo i dhemb fakti se atë ditë, në Prishtinë mund të tubohen qindra mijëra qytetarë, me qëllim për të festuar, por edhe për t’ i dërguar një mesazh të qartë Qeverisë, e cila ka shkelur dhe vazhdon ta shkel interesin e vendit, duke nënshkruar marrëveshje, të papërgjegjshme dhe tejet të dëmshme, me Serbinë.
Dhe, nuk ka ditë më të rëndësishme të Kalendarit kombëtar të Shqiptarëve sesa Dita e 28 Nëntorit për të reflektuar në të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen, sepse realiteti faktik i mbetjes së shqiptarëve në pesë shtete të Ballkanit tregon se ende nuk e kemi realizuar programin tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Pikërisht sepse me Shpalljen e aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912, jashtë kufijve mbeten gati dy të tretat e trojeve shqiptare, kjo festë na përkujton fatin tragjik të humbjes së territoreve, të cilat Evropa dhe Rusia Cariste ua dhanë shteteve sllave në Ballkan.
Përkujtimi i 28 Nëntorit na kthen në kujtesën tonë historike amanetin e të parëve për të bërë Shqipërinë një dhe të bashkuar. Kjo ditë reflektimi kombëtar doemos se Isa Mustafës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Atifete Jahjagës e jo pak të tjerëve iu sjellë në kujtesë marrëveshjet me Serbinë, të cilat edhe pse janë nënshkruar me një presion të madh, mbase edhe të shantazhuar nga Brukseli në akord me Beogradin e Moskën, janë marrëveshje që dëmtojnë vendin, jo vetëm njëherë të dëmtuar e të cunguar.
28 Nëntori është festë kombëtare e të gjithë atyre që janë shqiptarë dhe shprehin krenari të ligjshme, realiste dhe të arsyeshme, për këtë përkatësi, komb e histori. Kjo festë e katërfishtë kombëtare, nuk është pronë e partive politike, as mund të përvetësohet. Në manifestim ka të drejtë të marrë pjesë çdo shqiptar, pavarësisht bindjes politike, fetare apo shoqërore. Pse është kujtuar opozita para pozitës që ta marrë Flamurin e organizmit, kjo është çështje e gjeturisë, vizionit dhe veprimit politik të saj. Ka pasur kohë dhe ka mundur Qeveria të paralajmërojë dy muaj më parë që organizmin për 28 Nëntor ta marrë vetë në përkujdesje. Po ka diçka që e pengon Qeverinë të marrë përsipër organizime të tilla kombëtare, meqë Qeveria nuk e trajton 28 Nëntorin si Festë kombëtare të Kosovës dhe ky është hendikepi i saj.
Qeveritarët kanë të drejtë të hidhërohen në vetvete, kanë të drejtë të marrin apo të mos marrin pjesë në manifestim, por nuk kanë asnjë të drejtë që t’ i frikësojnë shqiptarët e Kosovës, me “gogolin” e terrorizmit, me qëllim për ta zbehur organizimin e manifestimit nga opozita dhe liridashësit e vendit.
Kjo tregon se pozita ka frikë, jo nga ndonjë akt terrorist, sepse një akt i tillë i mundshëm dhe i çoroditur, do t’ i shkonte shumë për shtati, por nga fakti se manifestimi i 28 Nëntorit në Prishtinë, organizohet nga pozita e bashkuar, si gjithnjë me mesazhin, “Rreth Flamurit të përbashkuar…”
Ahmet Qeriqi
24. 11. 2015