Asllan Pireva (1961 – 1981)

Asllan Shahin Pireva u lind në vitin 1961, në fshatin Prapashticë. Për shkaqe ekzistenciale, babai i tij me krejt familjen shpërngulet në Prishtinë, në vitin 1966. Në vitin vijues shkollor Asllani regjistrohet në shkollë fillore “Emin Duraku” të Prishtinës. Babai i tij, Shahini kishte  qenë shtatëvjeçar në kohën kur regjimi serb kishte organizuar dhe kishte kryer njërën ndër masakrat më barbare të kohës, duke vrarë e masakruar qindra shqiptarë të fshatrave: Prapashticë e Kaqekollë, me qëllim për t’i shfarosur banorët e për t’i  rrënuar në tërësi edhe themelet e shtëpive. Rrëfimet për tragjedinë e madhe njerëzore. që serbët kishin shkaktuar në Prapashticë, kundër banorëve të pambrojtur shqiptarë, ishin pjesë e kujtesës së krejt familjes, por edhe e Asllanit të ri, i cili nuk i kishte harruar përjetimet e babait dhe gjëmën që kishin përjetuar shqiptarët e kësaj ane të Kosovës në vitin 1920.

Në vitin 1968, Asllan Pireva u regjistrua në shkollën fillore “Emin Duraku” të cilën e kryen me sukses. Pastaj në vitin 1977 regjistrohet Shkollën e mesme teknike “Miladin Popoviq”, në Prishtinë. Në kohën e shpërthimit të protestave e demonstratave të marsit e prillit të vitit 1981, Asllani ishte në vitin e katërt të Shkollës së Mesme Teknike, në paralelet  që zhvillonin mësim në objektin e ish Normales së Prishtinës, më vonë Akademia Pedagogjike.

I edukuar kombëtarisht nga familja, i frymëzuar nga literatura që lexonte në kontakt me disa nga profesorët e tij, Asllan Pireva, edhe pse relativisht i ri në moshë, me kohë ishte përcaktuar për qëndresë dhe kundërvënie aktive regjimit të huaj. Demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981 e kishin gjetur të përgatitur fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht për të qenë pjesë militante e atyre zhvillimeve. Së bashku me shokun e gjeneratës, Naser Hajrizi, pastaj Ilaz Zhitia që ishte shok i klasës, si dhe shokët e tjerë si Fatmir Graiçevci, Rrahim Rama, Naim Mahmudi, Lutfi Maqedoni e shumë të tjerë në ditët e 1 dhe 2  prillit ishin tok  në radhën e parë të demonstratave që u zhvilluan në qendër të Prishtinës.

Më 2 prill 1981 Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi  ishin në krye të organizatorëve të  demonstratave të shkollës elektroteknike. Drejtori i shkollës, Jusuf Shushka kishte dhënë urdhër që të mbylleshin dyert dhe asnjë nxënës të mos lejohej të shkonte në demonstratë. Mirëpo, Asllani, Naseri, Fatmiri, Ilazi e qindra të tjerë kishin kërcyer nga dritaret. Në përleshjen e parë me milicët, pas ndërhyrjes brutale të milicëve, shumica syresh të ardhur nga Serbia, demonstruesit ndahen në grupe, njëri prej të cilëve ishte  pozicionuar në sheshin midis Bankës Popullore ( Sot Kryeministria), Shtëpisë së Mallrave dhe Postës. Në krye të protestuesve me flamurin kombëtar në duar ishin: Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi. Dy të rinjtë, rreth orës nëntë, para dite, u goditën me armë zjarri nga oficerë ushtarakë, të vendosur në objektin e Bankës Qendrore. (A.Q.)

Fjala e mbetur peng  e Ahmet Qeriqit në evokim të dëshmorëve të 2 prillit të vitit 1981, Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi, në Akademinë e mbajtur  për 35-vjetorin e rënies së dy dëshmorëve. Edhe pse organizatorët, Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Komuna e Prishtinës,  kishin paraparë në skenar që fjala e tij në evokim kujtimesh të mbahej në kuadër të pjesës tematike, profesori i dy nxënësve dëshmorë, Ahmet Qeriqi  nuk u ftua për ta mbajtur fjalën. Nuk u dha as një sqarim në fund të Akademisë.

 

Këto janë kujtimet  që ishte paraparë të thuheshin para të pranishmëve në këtë Akademi

Të respektuar familjarë të dëshmorëve, të nderuar organizatorë të aktiviteteve në nderim të dëshmorëve të 2 prillit të vitit 1981!

Çka të kujtoj më parë për Asllan Pirevën, Naser Hajrizin  dhe për gjeneratën e tyre?

Asllani, ishte edhe sinonim i emrit, por gjithnjë i buzëqeshur, i gatshëm për të vepruar në çdo rrethanë, pa hezitim. Në qenien e tij, gjatë ditëve të marsit të vitit 1981  vërehej sikur kishte shpërthyer me plot hire forca djaloshare, vrulli i papërmbajtur për Kosovën Republikë.

Naseri, kishte shikim kureshtar dhe natyrën e të riut të përmbajtur, natyrën e një djaloshi të burrëruar para kohe. Të dy kishin shpërthyer në mënyrat e veta, të dy ishin në mesin e një dyzine shokësh e shoqesh, të cilët më 2 prill të vitit 1981 maturuan me diplomat e dëshmorëve të kombit. Ata, me grushtin lart e flamurin edhe më lartë, jo rastësisht u gjenden në ballin e demonstruesve, jo rastësisht u ballafaquan edhe me mizorinë serbe, që ishte strukur në Ndërtesën e Bankës Qendrore, ( tani Kryeministria) përballë sheshit dhe kishte zgjedhur për të goditur, më të përkushtuarit, sikur zakonisht ndodh në sulme të tilla, mizore.

Naser Hajrizit i kam dhënë mësim në vitin e tretë të Shkollës së mesme Teknike, ndërsa Asllan Pirevës në vitin e katërt. Në vitin e katërt, lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë, Naser Hajrizit  i ka dhënë, profesori, Zenun Gjocaj, tash i ndjerë. Por jo vetëm unë dhe Zenun Gjocaj  u  kemi dhënë mësim atyre dhe shokëve e shoqeve të tyre. Unë isha vetëm njëri nga profesorët e tyre, por paksa më ndryshe në komunikim me ta, mbase sepse ishte përfolur fakti se pikërisht në moshën e tyre, kisha qenë i arrestuar dhe i dënuar dy muaj burg, për propagandë armiqësore kundër Jugosllavisë. Më bënte përshtypje fakti se sidomos ata të dy, por edhe Fatmir Graiçevci e Ilaz Zhitia më shikonin më ndryshe nga shumica e nxënësve, madje  me respekt e përfillje të veçantë. Edhe pse relativisht të rinj në moshë, dukeshin të pjekur dhe të gatshëm për të vepruar, për të shtruar pyetje ndër më të ndryshmet, që nuk i bënin secilit prej profesorëve.

Më kujtohet fare mirë se në gjysmën e dytë të marsit  vitit 1981, Drejtoria kishte caktuar një temë të detyruar hartimi për kryetarin, Tito, që kishte vdekur afër një vit më parë. Unë kokë më vete kisha shtuar edhe një temë të lirë, për nxënësit ku jepja mësim. Në klasën e Asllanit, ishte edhe Ilaz Zhitia, më vonë i dënuar me burg të rëndë. Këta dy dhe disa të tjerë ishin shprehur të gëzuar për mundësinë alternative në zgjedhjen e  temës së hartimit, që iu kisha dhënë. Në fund kisha vërejtur se shumica dërrmuese e nxënësve të klasës së katërt, kishin hartuar temën e lirë. Kjo fliste shumë për mua, sidomos fakti se nxënësit nuk ishin përcaktuar për temën zyrtare të Drejtorisë së shkollës. Dëshmi janë fletoret e nxënësve, nëse ato janë ruajtur në objektin e Akademisë Pedagogjike ku punoja dhe nëse nuk janë tërhequr me qëllim të caktuar,  pasi isha arratisur, më 3 prill të atij viti.

Për Naserin e dija se kishte xhaxha, Zeqir Hajrizin, të cilin e kisha njohur shumë vjet më parë dhe komunikonim kohë pas kohe.  Mbaj mend se në një bisedë, në korridor, kur po përgatitesha të hyja në klasë, Naserit  i kisha preferuar të shoqërohej me Asllan Pirevën, Fatmir Graiçevcin, Rrahim Ramën, Naim Mahmudin, Lutfi Maqedonin e ndonjë tjetër. Ai më kishte njoftuar se i njihte mirë të gjithë, ndërsa kishte veçuar faktin se Asllanin e kishte shok të fortë. Me aq ishim marrë vesh,  mes 11 marsit dhe 1 e 2 prillit  të vitit 1981.

Ditën kur ata ranë në qendër të Prishtinës, në orët e para ditës unë isha në mesin e nxënësve, shumë prej atyre të cilëve iu jepja mësim. Ne ishim  pozicionuar në “Lagjen e Muhaxhirëve”  dhe te Fakulteti Teknik, në kohën kur kishte filluar parakalimi i tankeve të Ushtrisë jugosllave, në rrugën prej qendrës së qytetit deri te “Mensa e Studentëve”. Papritmas  një oficer serb kishte nxjerrë kokën jashtë tankist, kishte nxjerrë revolen dhe kishte goditur në drejtimin tonë. Kisha parë se dy apo tre protestues të rinj ishin plagosur, por ishte e pamundur të lëvizje nga masa e stisur e protestuesve. Tri ditë më vonë, i arratisur,  kam mësuar se në qendër të Prishtinës, kishin rënë, Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi, dy ndër flamurtarët e parë të Republikës së Kosovës.

Ata, me gjakun e njomë, me frymën liridashëse të tyre, kishin përskuq  Sheshin e Prishtinës dhe për të fundit herë kishin thithur ajrin e bërë shkrumb të qytetit, nga tymi e arma vrastare serbe e jugosllave.

Në mendjen time edhe sot pas 35 vitesh sa herë përmenden emrat e tyre, më shfaqet imazhi i takimit me ta. Naserin e përfytyroj në korridor të Shkollës, para derës, në klasën ku mësonte, në mos për diçka tjetër, atëherë  të më përshëndetur, ndërsa Asllanin për pyetjen e fundit, pse drejtoria kërkon  të shkruajmë për Titon, profesor? Mbaj mend sesi kishte reaguar plot emocione kur iu kisha përgjigjur. ( -“Të vdekurit për së gjalli”, le të shkruajnë për të vdekurin e vdekur).

Lavdi dëshmorëve të vitit 1981, lavdi të gjithë të rënëve për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.

 

Prishtinë

  1. 4. 2016

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …