Dëshmori Asllan Batusha, kishte ditë më ditë 16-vjeç e shtatë muaj e katër ditë jetë kur ra për lirinë e Kosovës. Ai u ishte bashkuar tre vëllezërve të tij: Isufit, Brahimit e Ramizit (dëshmor). Biri i shtrenjtë i Sadik e Hatë Batushës, Asllani u lind më 10 korrik të vitit 1983, në Baballoç të komunës së Deçanit. Ai ishte i shtati fëmijë me radhë nga gjashtë vëllezërit e dy motrat e veta. Shkollën fillore e kreu në Gramaçel, ndërsa Gjimnazin e filloi në Rrezar (ish-Irzniq), por e ndërpreu, për shkak të dëshirës për pjesëmarrjes në luftën çlirimtare të Kosovës. Më 24 mars 1998 u njoftua për së afërmi me zhvillimet e betejës së asaj dite në Gllogjan. Atë ditë i shprehet nënës:”Nënë, kam ardhur për hir tëndin, përndryshe, kur me sytë e mi e pash betejën dhe trimat tonë të uniformuar e të armatosur, nuk kisha ardhur, sepse me dëshirë do të kisha luftuar me ta, qoftë edhe po të bie për liri!”.
Herën e fundit, kur është ndarë nga familja e vet, e strehuar në teçen e sheh Nekiut, vetë i treti merr rrugën për Gllogjan. Në fshatin Katundi Ri (ish-Novosellë), takon një të njohur dhe i thotë: “Të lutem, ma lajmëro familjen time, që të mos bëhet merak, se unë jam nisur për luftë”. Dy-tri ditë më vonë, motra e tij, Nuria, arrin në Ratishë për ta bindur të kthehet në familje, se mjaftonte pjesëmarrja në luftë e tre vëllezërve e tij më të mëdhenj. Asllani i përgjigjet: “Motër, le që unë nuk do të vij, por është mirë që edhe ti të mbetesh në luftë, si këto trimëreshat këtu”. Dhe e merr një kallash të varur atypari dhe ia vë motrës në krah, duke i thënë: “sa hije të paska!” Kur motra nuk arrin ta bindë, niset për në shtëpi ku ishte e strehuar familja e tij. Ishte hera e fundit e takimit të Asllanit me një anëtar të familjes.
Mobilizimi i UÇK-së në trevën e Dukagjit ishte i rrufeshëm, sidomos pas luftimeve në Drenicë, ku u kurorëzua një rezistencë fituese ndaj sulmeve të armikut dhe u shndërrua në mobilizim frontal, masiv e të shpejtë, krenar e motivues. Asllani u inkuadrua në UÇK, në fillim në shtabin lokal të vendlindjes, në Baballoç, fshat i cili u bëri ballë sulmeve kriminele të armatës serbe muaj të tërë. Ai u mobilizua në Ratishë, pikërisht më 21 prill 1998.
Me risistemimin e UÇK-së, Asllani u radhit në Batalionin e Parë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të ZOD. Fillimisht në luftë u kyç në detyrën e ushtarit të frontit, në pikën e parë dhe të dytë, te Suka e Hereqit. Mori pjesë në luftimet në Baballoç, Prapaqan, Piskotë e gjetiu.
Rënia e vëllait të Asllanit, Ramizit, e motivoi edhe më shumë luftëtarin e ri, jo vetëm për hakmarrje të vëllait të tij, sa për kryerjen e detyrës që i kishte vënë vetes të luftojë deri në çlirimin e plotë të Kosovës, apo deri në frymën e fundit.
Pas një beteje heroike, Asllani ra dëshmor në Piskotë të Gjakovës, më 12 maj 1999, afër shkollës fillore, ku edhe varroset, kur po përpiqej të arrinte te familja e vet në Piskotë, për të cilën ishte përhapur lajmi sikur ajo ishte masakruar në teçen e sheh Nekiut.
Pas tetë muajsh rivarroset në varrezat e dëshmorëve në Baballoç.
Familja e dëshmorit Asllan Batusha është nderuar me mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme, nga Shtabi i ZOD-it, KK Deçan dhe shoqatat e dala nga lufta.
Pllaka përkujtimore dëshmorit i është vënë te vendi i rënies, në Piskotë, ndërsa lapidari në Baballoç. Një rrugë e lagjes Piskotë, tani mban emrin “Asllan Batusha”. (Z. Gj.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …