Asociacioni i Komunave të Kosovës themeloi Kolegjiumin e zyrtarëve komunalë për kthim dhe komunitete

Asociacioni i Komunave të Kosovës në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Advancing Together” ka themeluar Kolegjiumin e zyrtarëve komunalë për kthim dhe komunitete.

Kjo nismë synon rritjen e efikasitetit të këtyre zyrave në ofrimin e shërbimeve gjithëpërfshirëse dhe cilësore për të gjitha komunitetet në territorin e Kosovës.

Kolegjiumi do të shërbejë si një mekanizëm shtesë për adresimin e sfidave dhe iniciativave legjislative që ndërlidhen me funksionimin e këtyre zyrave.

Gjatë takimit të parë u zgjodh edhe Kryesia e Kolegjiumit ku me shumicë votash, z.Lendrit Qeli, Shef i Zyrës për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Rahovecit, u zgjodh Kryesues i Kolegjiumit. Kryesia përbëhet nga 9 anëtarë – përfshirë një zëvendëskryesues dhe 7 anëtarë të tjerë duke respektuar barazinë gjinore dhe etnike.

Në fjalën e tij pas zgjedhjes, z. Qeli theksoi rëndësinë e këtij mekanizmi në mbrojtjen e interesave të komuniteteve, me fokus në forcimin e pozitës dhe kapaciteteve të Zyrave për Komunitete dhe Kthim, përmirësimin e komunikimit me nivelin qendror, si dhe adresimin e sfidave të tjera si mungesa e buxhetit dhe e stafit të kualifikuar.

Asociacioni i Komunave të Kosovës mbetet i përkushtuar për të mbështetur dhe fuqizuar kapacitetet e komunave, me qëllim të avancimit të një qeverisjeje sa më gjithëpërfshirëse dhe efikase për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kolegjiumi do të mblidhet së shpejti për të hartuar planin e tij të punës për vitin 2025, për të përcaktuar objektivat prioritare dhe për të identifikuar nevojat për zhvillim të mëtejshëm të kapaciteteve.

Këto aktivitete do të realizohen me mbështetjen e “Advancing Together” si përkrahje të Kolegjiumit me Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Iu dha lamtumira e fundit, veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haki Limani

Në ambientet e Teatrit “Adriana” në Ferizaj, të dielën u mbajt mbledhje komemorative në kujtim …