BBC raporton se kompania farmaceutike AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit do të rinisin testimet për vaksinën kundër sëmundjes COVID-19, e cila shkaktohet nga virusi korona. Testimet për vaksinën u pezulluan më 8 shtator pasi një vullnetarit nga Mbretëria e Bashkuar iu përkeqësua gjendja shëndetësore. AstraZenaca më pas tha se do të hetojë nëse përkeqësimi i shëndetit të vullnetarit ishte efekt anësor i vaksinën që kjo kompani po zhvillon. Por, të shtunën, Universiteti i Oksfordit tha se e konsiderojnë të sigurt vazhdimin e testimeve të vaksinës potenciale kundër COVID-19. Vaksina, që po zhvillohet nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit në Britani, është një prej projekteve më premtuese në luftën kundër sëmundjes COVID-19. AstraZeneca është një prej tri kompanive që kanë arritur në fazën e tretë të testimeve të vaksinave për koronavirus në Shtetet e Bashkuara, meqë atje janë siguruar mijëra vullnetarë për marrje të vaksinës.
