(Pjesë e shkëputur nga libri i Adem Lushajt për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë në vitin 1999)
“…Jo rastësisht institucionet shtetërore politike, ushtarake dhe të sigurisë së ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë, shpesh herë kishin bashkëvepruar në koordinim të plotë për dhunë dhe terror. Përpos në luftën e Bosnjës, është dëshmuar se edhe në Kosovë autoritetet më të larta shtetërore, sidomos ato të ushtrisë, ishin përgatitëset kryesore të terrenit dhe vinin në posedim një pjesë domethënëse të infrastrukturës për të jetësuar projektet shfarosëse/eliminuese, e cila ndikonte drejtpërdrejt në kryerjen e akteve të dhunës dhe të krimeve të sipërpërmendura, të cilat në masën më të madhe janë produkt i forcave të rregullta dhe speciale të policisë, si dhe të njësiteve paramilitare.
Aplikimi i metodës së tokës se djegur, djegia dhe shkatërrimi i monumenteve historike, atyre të kulturës dhe të objekteve fetare, fushatat sistematike dhe të koordinuara për dëbimet masive të popullsisë shqiptare, plaçkitja e pasurisë private dhe përvetësimi i shtëpive për banim, plaçkitja e pronave të ndryshme dhe të mirave ekonomike-materiale, përbën një fakt tjetër, i cili është tregues për veprimet dhe mizoritë më ç´njerzore të aplikuara në Kosovë, të cilat, me mbështetje të institucioneve kryesore të Serbisë, kishin për qëllim pastrimin etnik dhe përfundimin e kolonizimit të Kosovës, të filluar, së fundmi, gjatë viteve të luftërave në ish-Jugosllavi dhe në fund serbizimin e Kosovës.
Veçanërisht vlen të theksohet se me intervenimin e NATO-s në Kosovë, nuk bëhet fjalë për një agresion apo sulm për luftë ndaj një shteti në kohë paqeje, por për intervenim me qëllim të parandalimit të një konflikti, i cili kishte eskaluar në luftë me pasoja gjithnjë në rritje për popullatën civile dhe pengimin e zgjerimit të një katastrofe humanitare, me tendencë shtrirjeje edhe në vende të tjera në rajon. Duhen vlerësuar faktet e paraqitura, sidomos në rezolutat e KS të OKB-së gjatë vitit 1998 (1160 dhe 1199), në të cilat NATO e ka mbështur vendimin e saj për gjendjen alarmante dhe ka justifikuar ndërhyrjen/intervenimin ushtarak humanitar në konfliktin e Kosovës, i cili ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Po ashtu, pavarësisht kësaj, edhe shtetet anëtare të Aleancës nuk kanë vepruar njëanshëm, por në koordinim të ligjshëm në aspektin politik dhe të drejtës ndërkombëtare, pasi së bashku me partnerët e tyre brenda Aleancës, në vazhdimësi kanë bërë apo kanë qenë pjesë e përpjekjeve dhe të iniciativave të shumta për të shmangur shtypjen e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, arritjen e paqes, të sigurisë, të stabilitetit dhe pengimin e dëbimeve të paligjshme të shqiptarëve të Kosovës nga vendi i tyre.
Aleanca Veri-Atlantike, së bashku me Grupin e Kontaktit, por edhe me iniciativa vetanake politiko-diplomatike të shteteve me influencë (SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania), “…nuk kanë lënë asgjë, absolutisht asgjë, pa provuar gjatë javëve dhe në muajt e fundit, para intervenimit, për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë”
Ish-Jugosllavia dhe Serbia, në krye më Millosheviçin, në vazhdimësi kishte vepruar kundër zotimeve të dhëna para palës ndërkombëtare dhe nuk kishte pushuar, në anën tjetër me fushatën e dhunës dhe të terrorit ndaj shumicës shqiptare në Kosovë. Pra, vazhdimisht gjatë gjithë procesit të negociatave dhe të përpjekjeve paqësore, bashkësia ndërkombëtare ishte tradhtuar.
Për muaj të tërë, përfaqësuesi special i BE-së, Ambasadori Volfgang Petriç dhe ai i SHBA-ve, Ambasadori Kristofor Hill, përmes të të ashtuquajturës ”Shuttle Diplomacy”, kishin bërë përpjekje përmes bisedimeve intensive me të dy palët e përfshira në konflikt, për të gjetur një kompromis dhe për të përgatitur terrenin për një marrëveshje të drejtë, e cila do të garantonte një zgjidhje të qëndrueshme. E tërë bota kishte qenë dëshmitarë për negociatat disajavëshe në Rambuje dhe në Paris, ku, përpos vendeve të perëndimit, kishte qenë bashkëkryesuese edhe Federata Ruse. Vet fakti se ishte sjell një përfundim, i cili kishte një marrëveshje që garantonte të drejtat e njeriut të shumicës shqiptare në Kosovë, por edhe integritetin territorial të Republikës së Jugosllavisë, kishte lënë shumë shpresë se palët do të akordoheshin.
Por, edhe këtu faji bije pikërisht mbi delegacionin jugosllav dhe serb, pasi kishte refuzuar të nënshkruante marrëveshjen në Rambuje, përderisa pala shqiptare ishte pajtuar dhe kishte nënshkruar atë.
Përveç kësaj, siç e kemi paraqitur edhe në kapitujt e mësipërm, nga regjimi i Millosheviçit dhe forcat ushtarako-policore jugosllavo-serbe në Kosovë, nuk ishte ndalur, por ishte intensifikuar dhuna dhe terrori, i cili kishte kaluar të gjithë parametrat e deriatëhershëm, të cilët kishin ndodhur gjatë muajve të parë të konfliktit në Kosovë.
Megjithatë, deri në momentin e fundit, përpjekjet për ta bindur Millosheviçin të ndërpriste dhunën dhe terrorin, si dhe të pranonte marrëveshjen e Rambujesë, kishin vazhduar deri në orët e fundit para intervenimit të NATO-s, të cilat ishin bërë nga ana e personaliteteve të politikës dhe të diplomacisë ndërkombëtare, të cilët i kishin bërë thirrje publike apo ishin takuar drejtpërdrejtë me të.
Në mesin e këtyre personaliteteve të larta veçojmë: Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, J. Fisher, në cilësinë e Presidentit të Këshillit të BE-së, pastaj Ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Ivanov, Kryetarin e OSBE-së, K.Vollebek dhe, i fundit, në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve, i cili e kishte takuar Millosheviçin, ishte Ambasadori, Riçard Holbruk.
Prandaj, si përfundim, duke u bazuar tek dëshmitë e ofruara dhe të përpjekjeve të vazhdueshme deri në momentin e fundit nga ana e komunitetit ndërkombëtar, si dhe duke qenë i përfshirë edhe vet KS të OKB-së, me qëllim për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe në rajon.
– po ashtu, duke u bazuar në raportet e vazhdueshme nga brenda dhe jashtë për shkelje të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Kosovë;
– duke u bazuar në të dhënat për konfliktin, i cili kishte eskaluar në një luftë më përmasa të paparashikueshme në vitin 1998/99;
– duke u bazuar në dhunën sistematike dhe terrorin e organizuar nga autoritetet më të larta politiko-ushtarake nga regjimi në Beograd, si dhe eskalimi i tyre me dëbim të dhunshëm masiv, i cili kishte për qëllim pastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët;
– si dhe duke u bazuar nga leksionet e mëparshme nga luftërat në ish-Jugosllavi (sidomos lufta në Bosnjë), mund të vijmë në përfundim se operacionet e NATO-s në Kosovë, të cilat kanë pasur qëllim pengimin e mëtutjeshëm të akteve të dhunës dhe terrorit ndaj popullsisë civile, si dhe të pengimit të një katastrofe humanitare, janë të justifikueshme dhe legjitime, pasi që ato kishin kryekëput të bëjnë më një intervenim ushtarak të karakterit të pastër humanitar.
Përfundimisht, duke analizuar faktet e paraqitura rreth situatës dhe zhvillimeve gjatë gjithë procesit, si dhe duke marrë në konsideratë edhe aspektet juridike dhe të të drejtës ndërkombëtare, vlerësojmë se përgjegjësia për dështimin final për të arritur paqen dhe sigurinë në Kosovë, i atribuohet, pikërisht, udhëheqjes jugosllave-serbe për mungesë vullneti për bashkëpunim dhe jo tolerancë ndaj çdo propozimi të ofruar, përderisa, në anën tjetër, intervenimi humanitar ushtarak i NATO-s ka pasur për qëllim rivendosjen e paqes dhe të sigurisë në rajonin e trazuar, sidomos i fuqizuar pas dështimit të të gjitha përpjekjeve të mëparshme politiko-diplomatike në këtë aspekt”.