leoni

ATK për 8 muaj inkasoi mbi 250 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës për tetë muaj ka inkasuar 250.2 milionë euro ose 31 milion euro (16%) më shumë se për periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Mirëpo, në ATK në bazë të planifikimit të tyre vjetor nuk kanë arritur ta realizojë planin e kësaj periudhe për 4 milionë e 300 mijë euro.

Ndërsa, në bazë të Ligjit për Faljen e Borxheve, ky institucion financiar ka falur 207 milionë euro që i përkasin 36 mijë tatim paguesve në vend, duke inkasuar 20 milion euro nga procedimi i kontratave për shlyerjen e borxheve.

Kështu u tha në konferencën për medie të organizuar nga ATK, ku mori pjesë edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili me këtë rast ka lavdëruar ATK-në dhe Doganën se kanë realizuar të hyra të rregullta rekorde.

“Ne kemi pasur inkasim rekord në Administratë Tatimore dhe me Doganën për të hyrat e rregullta. tatimore. Unë dëshiroj të përgëzoj drejtorin për një menaxhim shumë efikas gjatë këtij viti, dhe gjithë stafin e tij bashkëpunues për punën që po bëjnë”, tha Hoti.

Ndërsa, drejtori i ATK-së, Sakip Imeri theksoi se në periudhën tetëmujore kanë arritur të inkasojnë 31 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por që ai e pranoi se nuk kanë arritur ta realizojnë planin vjetor.

“250.2 milionë i kemi të hyra që janë realizuar në periudhën janar-gusht të vitit 2016, aktualisht jemi në 266 milionë të hyra, ku kemi edhe një tejkalim tjetër për këtë periudhë, ndërsa për periudhën janar-gusht jemi 4.3 milionë euro më pak në raport me planin”, theksoi Imeri.

Ai duke folur për Ligjin për Faljen e Borxheve, tha se janë proceduar 207 milionë e 300 mijë euro borxhe për t’u falur, dhe nga procedimi, ATK ka arritur që nëpërmjet kontratave për shlyerjen e borxheve të inkasoi mbi 20 milionë euro.

“Borxhet janë dinamike në administratën Tatimore për shkak se për pos tatimit bazë, është ndëshkimi dhe interesi të cilët kalkulojnë për çdo muaj. Është një listë e borxheve dinamike… 467.9 milionë janë në vitin e 2015 ose stoku i borxheve. Në vitin 2016 janë 298.7 milionë. Pjesa e menaxhuar është 207.3 milionë euro, ose tatimet të cilat janë menaxhuar përmes ligjit për faljen e borxheve publike”, tha Imeri.

Ai shtoi se me procesin e fiskalizimit ka një trend pozitiv, por se nuk është i kënaqur me trendet e përgjithshme në këtë fushë. ATK ka lëshuar 782 gjoba në vlerë prej 133 mijë e 250 euro.

 

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …