Autoritetet afgane kanë njoftuar se të paktën 57 persona janë vrarë dhe 119 të tjerë janë plagosur. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Najib Danesh ka thënë se sulmuesi ka ecur në këmbë dhe ka shpërthyer eksplozivët e tij kur i është afruar turmës. Njerëzit ishin mbledhur për të marrë letërnjoftimet e tyre, përpara zgjedhjeve që parashihen të mbahen më vonë gjatë këtij viti. Në mesin e të vrarëve dhe të plagosurve ka shumë gra dhe fëmijë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Vahidullah Majruh. Grupi militant, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Dashte Barchi, zonë e cila është e populluar me shiitë. IS shpesh ka kryer sulme ndaj minoritetit shiitë në Afganistan. Presidenti afgan, Ashraf Ghani ka dënuar sulmin, por ka shtuar se sulme të tilla “nuk mund të na largojnë nga synimet tona apo të dobësojnë këtë proces demokratik”. Më 14 prill, në Afganistan ka nisur regjistrimi i qytetarëve për votim. Zgjedhjet parlamentare janë paraparë të mbahen gjatë muajit tetor. Zyrtarët zgjedhorë kanë pranuar se siguria është shqetësim i madh gjatë zgjedhjeve, pasi talibanët dhe grupet e tjera militante kanë nën kontroll pjesë të ndryshme të territorit në Afganistan.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …