Autoritetet e larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shprehur të gatshëm të takohen me Iranin për programin e tij bërthamor, duke i lehtësuar masat kufizuese për diplomatët iranianë, të akredituar në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork. Administrata e Joe Bidenit njoftoi po ashtu Këshillin e Sigurimit të OKB-së se ka anuluar një mekanizëm, me të cilin ish-presidenti amerikan, Donald Trump, do të rikthente të gjitha sanksionet e OKB-së kundër Iranit. Richard Mills, ushtrues i detyrës së ambasadorit të SHBA-së në OKB, tha në një letër se sanksionet që pritej të riktheheshin në gusht, “mbeten të përfunduara”. Të gjitha këto lëvizje paraqesin një ndryshim në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit, të cilat kishin stagnuar dhe ishin përkeqësuar gjatë administratës së ish kryetarit, Donald Trump.
