Autoritetet më të larta të Shqipërisë, presidenti, Bajram Begaj dhe kryeministri, Edi Rama kanë thënë se Shqipëria do të jetë përherë në krah të Kosovës. Presidenti, Bajram Begaj ka thënë se sulmi i armatosur kundër Policisë së Kosovës është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë të Kosovës. “Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës” ka theksuar kryetari i Shqipërisë, Bajram Begaj. Kundër këtij sulmi ka reaguar edhe kryeministri, Edi Rama. Ai ka thënë se tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë. “Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin” ka tërhequr vëretjen, kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama.
Kontrolloni gjithashtu
Nisma Socialdemokrate nesër, ditë e diel, mbanë Konventën dhe bën prezantimin e programit e kandidatëve për deputetë
Nisma Socialdemokrate ka njoftuar për aktivitetin partiak në mbajtjen e Konventës për prezantimin e programit …