Avdi Ibrahim Xhaçku lindi më 10 janar të vitit 1971 në shatin Hogosht, në lagjen e quajtur Xhaçku, komuna e Dardanës (ish-Kamenicë). Rrjedh nga një familje bujare dhe liridashëse, me gjendje ekonomike mesatare.
Ibrahim Avdi Xhaqku dhe bashkëshortja e tij, Zylfije Xhaçku – Lipovica, janë prindërit e 6 fëmijëve, dy djemve e katër vajzave: Rexhepit, Sheribanes, Avdiut, Naimes, Sadberes, Mejremes. I treti me radhëishte Avdiu.
Klasën e parë të shkollës fillore, Avdiu e filloi më 1977/78, në shkollën fillore “Skënderbeu” në Hogosht, ndërsa shkollën e mesme e filloi më 1985/86 në Hogosht. Të gjitha klasat i ka mbaruar me sukses të shkëlqyeshëm, duke qenë i dalluar edhe me sjellje shembullore.
Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, nuk arriti t’i vazhdojë studimet, kështu që pushoi një vit, ndërsa më 17 mars të vitit 1991 shkoi në shërbimin ushtarak në radhët e armatës jugosllave, në Pozharevc.
Dy muaj më vonë filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe konflikti në mes të Kroacisë dhe Serbisë së identifikuar me Jugosllavinë. Ishte shpallur mobilizimi i ushtrisë jugosllave për të marrë pjesë në luftimet kundër Kroacisë. Prandaj, edhe njësinë ku Avdiu ishte duke shërbyer e përfshiu ky mobilizim. I vetëdijshëm për rrjedhat politike të kohës, i kishte dhënë detyrë vetes që të mos luftojë nën flamurin e Serbisë, sepse e dinte historikisht që Serbia kishte bërë luftëra grabitçare dhe njihej si një shtet barbar që dëshironte t’i okuponte dhe t’i vinte nën diktatin e saj të gjithë popujt joserbë të ish-Jugosllavisë. Avdiut i kujtohen edhe rrëfimet e babait të tij, Ibrahimit, që kur ishte si fëmijë, për vuajtjet e popullit shqiptar nga okupatori serb e sidomos familja e dajave të tij. I kujtohet asokohe edhe aktiviteti i tij si nxënës i shkollës së mesme në Hogosht, në drejtimin kimiko-teknologjik të vitit 1988/89, kur mori pjesë në protestat dhe demonstratat e nxënësve në mbrojtje të autonomisë së Kosovës që e kishte deri atëherë, e në mbështetje të minatorëve të “Trepçës”. Avdiu tërë kohën mendonte se si të vepronte dhe të shpëtojë nga kthetrat e ushtrisë serbe. Së bashku me njësitin e Pozhorevcit edhe Avdiu hyri në frontet kundër Kroacisë, por duke e ditur se populli kroat zhvillonte një luftë të drejtë, Avdiu qëndronte pasiv në luftë.
Avdiu një ditë, pas shumë peripecive arrin që të largohet në mënyrë ilegale nga ushtria Serbe. Ishte 25 tetori i 1991, kur e braktisi armatën jugosllave dhe arriti në shtëpi, në familjen e tij në Hogosht. Por atij iu bë i pamundur qëndrimi në shtëpi, sepse e kërkonin organet serbe, meqë trajtohej si dezertor. Më 30 tetor 1991, i pajisur me pasaportën e të vëllait të madh Rexhepit, pasi e ndërron fotografinë në këtë dokument, merr rrugën për në Zvicër ku u vendos në qytetin e Bazelit, ku filloi jetën e azilantit.
Herë- herë edhe punonte kur gjente punë. Në kamp u njoh me Imer Imerin, nga Ferizaj, i cili kishte statusin e azilantit.
Në Kosovë ishte mbyllur Universiteti si qendër e arsimit superior për studentët e Kosovës. Ishin mbyllur edhe të gjitha institucionet e tjera.
Në diasporë, të rinjtë shqiptarë nuk qëndruan duarkryq dhe u solidarizuan me vuajtjet e vëllezërve të tyre që jetonin në Kosovë. Organizonin protesta kundër pushtuesit serb, në qytetet e Zvicrës, Gjermanisë dhe shteteve të tjera të Evropës Perëndimore. Në të gjitha protestat që organizoheshin në Zvicër, Avdiu ishte aktiv, shumë herë edhe në radhët e organizatorëve.
Lufta në Kosovë kishte filluar. Serbët kishin masakruar shumë shqiptarë, ishin djegur shumë shtëpi, e tërë Kosova ishte përfshirë në flakën e luftës. Avdiu, duke qenë i brumosur me ndjenja patriotike, por edhe duke i ditur planet fashiste të ushtrisë serbe në Kroaci, parandiente ditë të vështira për popullin shqiptar në Kosovë. Prandaj, duke propaganduar për UÇK -në ai kërkonte që sa më parë të radhit ej në strukturat ushtarake të saj, për t’i dalë në ndihmë atdheut.
Gjatë bisedave me shokët e idealit, Imer Imerin nga Ferizaj dhe bashkëvendësin e tij nga Shipashnica e Epërme, Jeton Hajrullah Dërmakun, shfaq interesim se si t’i bashkohen UÇK-së. Avdiu zhvillon shumë kontakte me njerëz, të cilët kishin lidhje me zhvillimet e luftës në Kosovë.
Me shpalljen e mobilizimit të përgjithshëm nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të dëgjuar këtë lajm, Avdiu ishte shumë i gëzuar. Me shokët e tij, Imer Imerin nga Ferizaj, Jeton Dermakun nga Shipashnica e Dardanës, Sami Zekën nga Lubishta e Vitisë, Fadil Qerimin nga Skifteraj (ish-Gjylekar) i Vitisë dhe Mentor Ramën nga Ceroviku i Klinës, u takuan në Bazel të Zvicrës dhe lidhën besën që të gjithë t’i përgjigjen thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizim dhe të nisen sa më parë për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Komandanti i Kompanisë II -të të Brigadës I, Halil Ramadani – “Tigri” III, nga Lloshkobarja e Ferizajt thotë: “Pas të gjitha përpjekjeve që sa më parë të ktheheshim në atdhe, në Arau të Zvicrës u desh që të pritej afro 15 ditë, derisa të bëhej grumbullimi i vullnetarëve të caktuar për hyrje të organizuar në luftë. Avdiu me shokë mezi priste ditën kur do të niseshim për në Kosovë, sepse kishte vullnet të fortë për ta çliruar Kosovën. Më 1 maj 1999, ishte caktuar dita e nisjes nga Arau për në Kosovë. U tubuan aty afro 120 të rinj të aftë për luftë e të ngazëllyer që po i dilnin në ndihmë atdheut, me këngë në gojë shkonin drejt thirrjes së atdheut.
Aty ishte edhe Halil Ramadani, më vonë komandant togu dhe të gjithë shokët e tij, njëherit luftëtarët e ardhshëm të UÇK-së. Halili dhe Imeri flasin se me autobus arritën deri në Bari të Italisë, e prej andej me trajekte deri në Durrës.
Më 2 maj arritën në Durrës dhe vazhduan rrugën deri në Feken, që ishte qendër stërvitore. Aty i filluan stërvitjen taktiko – strategjik me armë të të gjithë kalibrave. Në Feken, stërvitjet vazhduan 20 ditë. Avdiu shumë herë i mllefosur që po vonoheshin në luftë, në shenjë proteste nuk dilte në ushtrime dhe bënte thirrje që sa më parë të shkojë në front, sepse Kosova po digjej në flakë. Avdiu thoshte se nuk kemi kohë të presim dhe sa më shpejtë duhet të hyjmë në luftë dhe ta thyejmë kufirin e ta ndjekim shkaun nga Kosova. Prej Fekeni, më 25 maj 1999, ku arritën në Elshan, fshat në Shqipëri. Pas dy ditësh nga Elshani arritëm në Krumë, aty ishte edhe depoja kryesore për armatim.
Kaluam afro 12 orë në këmbë dhe iu afruam vijës së parë të frontit, fillimisht të rreshtuar në Brigadën e Parë, që quhej “Syri i shqiponjës”, me afro 1780 ushtarë, nën komandimin e Bilall Sylës nga Medvegja. Kompania e Parë të cilën e komandonte Halil Ramadani – Tigri III, shtrihej prej majës së Pashrikut deri afër Drinit të Bardhë.
Më vonë vepronte operacioni “Shigjeta”. Togu i parë i Kompanisë së Dytë i komanduar nga Imer Imeri, ku dhe si një shenjtar me mitraloz vepronte edhe Avdi Xhaçku, ishte pozicionuar në maje të Pashtrikut, kurse Kompania e Dytë e Batalionit të Parë ishte e pozicionuar në vijën e parë të zjarrit.
Formacionet e UÇK-së ishin pozicionuar në vijën e parë të zjarrit, më 28 maj 1999, në mëngjes rreth orës katër. Ishte atmosferë lufte, në çdo kënd vinte erë lufte. Komandantët ndanin detyrat, jepnin urdhrat që të pozicionoheshin nëpër istikame ushtarët dhe t’i presin urdhrin për zjarr kundër ushtrisë serbe.
Lëvizjet e komandantëve ishin shumë të shpeshta duke vizituar secilën njësi, dhe duke mbajtur moralin e ushtarëve dhe duke treguar se po shënoheshin suksese gjatë ofensivave tona kundër ushtrisë serbe. Armatimi ishte në nivel, përgatitja e ushtarëve ishte e nivelit të duhur.
Detyrat ndaheshin nga komandanti i Brigadë 126-127, Bilall Syla dhe nga zëvendëskomandanti Rrahim Bekteshi nga Suhareka. Mandej një pjesë e frontit udhëhiqej nga zëvendëskomandanti i operacionit “Shigjeta”, Fadil Zejnullahu “Lepuri”, nga Llausha e Skënderajt.
Ende ushtarët e kësaj zone ishin duke u pozicionuar. Papritmas filloi një ofensivë me breshëri plumbash nga të gjitha anët nga pala serbe, ku dhe filluan granatimet e pandërprera. Pasoi komanda që së shpejti të koncentrohemi në kundërsulm dhe filluan të qëllojmë në drejtim të ushtrisë së armikut.
Avdiu ishte mjaft i përgatitur dhe kishte përvojë në luftë. Ai dispononte një mitraloz që posa e futi në funksion të zjarrit goditi serbët pa mëshirë.
Ishte 1 qershori i viti 1999. Në orët e pasditës, lufta zhvillohej me mjaft intensitet. Vriteshin ushtarët e okupatorit nga plumbat e ushtarëve të UÇK-së. Luftëtarët e UÇK-së filluan dallohen përnga trimëria dhe vullneti për luftë kundër ushtrisë serbe, ata vërsuleshin duke kontaktuar me shokët që ishin më afër me pozicione, numëronin se sa ushtarë të okupatorit po vriteshin nga plumbat e ushtarëve të UÇK -së.
Trimi, Avdi Xhaçku, nuk mund të duronte për të goditur nga istikami, u ngrit në këmbë me mitraloz në dorë dhe hapi zjarr në drejtim të pozicioneve të armikut.
Komandanti, Imer Imeri e urdhëroi Avdiun të ulej në pozicion e pastaj të qëllojë mbi armikun, por ai ishte i papërmbajtur. Ai vazhdon të luftojë si luan, në stilin e Mic Sokolit historik, dhe deshi që të flas edhe njëherë, por nuk foli ashtu edhe trimi Avdi Xhaçku. Një snajperist serb e kishte vërejtur këtë trim dhe e godet. Ishte ora 17.30 e një qershorit të vitit 1999, kur trimi i Pshtrikut ujiti një vend të tokës me gjakun e njomë të një shqiptari. 30 metra larg kur ra Avdiu breshëri plumbash vinin në atë drejtim dhe bashkëluftëtarët nuk mund të afroheshin derisa të ndalej breshëria e plumbave.
Afër Avdiut ishin bashkëluftëtarët Mentor Rama nga Ceroviku i Klinës, Arsim Smajli nga Qirezi Skënderaj dhe Jeton Dërmaku nga Shipashnica e Epërme e Dardanës.
Me 2 qershor 1999 u bënë përgatitjet për varrimin e Avdiut. Ishte aty edhe ekipi i shërbimit sanitar, në krye me Lulzim Kabashin nga Suhareka. Në orët e mbrëmjes u bë varrimi në maje të Pashtrikut. Bashkëluftëtari gjerman i Avdiut, vullnetari Michael, pas rënies së Avdiut filloi sulmin mbi serbët, me snajperin e tij. Ai vrau shumë ushtarë serbë. Komandant, Halil Ramadani thotë se luftimet me serbët zhvilloheshin në një distancë shumë të vogël, në vijë ajrore rreth 50 metra. Në majën e Pashtrikut u varros heroi dhe trimi i madh i UÇK-së, me nderime ushtarake ku mori pjesë një numër i madh ushtarësh. Avdiu pati si bashkëluftëtarë edhe trimat që luftuan në Zonën Operative të Pashtrikut:
Imer Imeri nga Ferizaj, Sami Zeka, nga Lubishta – Viti, Jeton Dermaku, Shipashnicë, Fadil Qerimi, Xhylekar, Mentor Rama, Cerovik-Klinë, Arben Doçi, Klinë e Skënderajt, Lulzim Rushiti, Kapit-Medvegjë, Milaim Rukiqi, Drenicë, Ali Cakiqi, Terstenik-Drenicë, Shkumbim Duraku nga Krusha e Madhe, Eshtref Veliqi, Polac – Drenicë, Mejdi Elshani, Rahovec, Sadri Ahmetxhekaj, Rahovec, Sami Zenaj, Izniq – Deçan, Lejla, ushtare nga Presheva, Nazikterja, ushtare nga Kumanova, Ndue Daka nga Klina, Hysniu nga Drenica e shumë të tjerë. (H. K.)