Avdi Smajl Kelmendi është lindur me 25 nëntor të vitit 1968, në fshatin Lutogllavë komuna e Pejës. Rrjedh nga një familje patriotike. Babai, Smajli, bashkë me të vllain Tahirin, ishin luftëtarë të denjë të lëvizjes kombëtare që luftonin për liri kombëtare, gjithnjë në luftë kundër serbomalazezve. Prindërit, Smajl dhe Miradije Kelmendi kishin tre djem Ibrahimi, Sadriu, Avdiu dhe dy vajza, Xufa e Bejtja.
Avdiu, ishte i pesti me radhē në mesin e vëllezërve dhe motrave. Shkollën fillore e kreu në fshatin Trestenik, ndërsa shkollën e mesme u detyrua ta ndërprej në vitin e dytë, për shkak të shërbimit ushtarak, që duhej kryer në ushtrinë jugosllave. Avdi Kelmendi nuk ju përgjigj kësaj ftese. Për këtë u detyrua të largohet për në Gjermani. Në mërgim ishte pjesëmarrës i demonstratave të shqiptarëve kundër regjimit serb në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Gjermai, Avdiu ishte në kontakt të vazhdueshëm me luftëtarin e lirisë më vonë edhe ai Dëshmor i Kombit Ilaz Kodra, ku ishin dakorduar rreth hyrjes për në Kosovë. Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avdiu i përgjigjet zërit të Atdheut. Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ju bashkëngjit në muajin shtator të vitit 1998, pikërisht pas kthimit nga Gjermania. Me formimin e Brigades 133 ″Adrian Krasniqi” sistemohet si ushtar. Kontributin e vet prej luftëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmori Avdi Kelmendi e dha në fushëbeteja të ndryshme në fshatrat e Lugut të Drinit. Duhet përmendur ofensivat serbe në Nabergjan, Lutogllavë, Trestenik, Ruhot e Trubohoc, e ku forcat e njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jo vetëm qe ju kundërvunë me devotshmëri, por edhe ju shkaktuan dëme të konsiderueshme në njerëz dhe teknikë luftarake. Më 6 maj të vitit 1999, bie në fushën e nderit dëshmori Avdi Kelmendi, në Trestenik duke luftuar për ti mbrojtur pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës nga forcat dhe sulmet e armikut serb. Ri varroset në fshatin e tij të lindjes, aty edhe ku prehet trupi në varrezat e dëshmoreve në Arbanë ish, Lutogllavë, Komuna e Pejës. Në vendin e rënies i është ngritur Lapidari. Pas rënies dëshmorë, Avdiut i lind vajza në dhjetor të vitit 1999 të cilën e pagëzojnë me emrin Eduarda. Eduarda është e vetmja shenjë nga Avdiu, e cila ka bërë krenar emrin e babait të saj. Eduarda edhe pse nuk e pa kurrë të atin, ajo e di dhe ka ndëgjuar fjalë mjaft të mira për të dhe ndihet krenare për babanë e saj. Eduarda është një vajzë e mrekullueshme e cila mburret vajza e kujt është dhe se babai i saj dha jetën që ajo dhe shumë të tjerë t’a gëzojn sot lirinë.
Vëllai Ibrahimi, në fshatin Lutogllavë ishte palgosur në fushëbetejë duke mbrojtur vijën e frontit që mos të lejohen forcat serbe të futen në fshat ku kishin për qëllim të kryenin masakrën e radhës ashtu siç kanë bërë në fshatrat përrreth siç janë fshatrat: Zahaq, Qyshk, Nabergjan,etj. Ibrahimi qëndroi deri në orët e vona në vijën e frontit edhe pse i plagosur. Por pavarëshisht kësaj mbetën të vrarë 11 persona dy nga ta dëshmorë që ishin Avdiu dhe Ganiu. Dhe nga 9 martirë, disa nga ta akoma janë të zhdukur sot e asaj dite. Nga familja e Avdi Kelmendit, në fushën e nderit ka rënë edhe djali i motrës Xufë, nipi Ajet Rrahmani, me 8 maj 1999 te ura e Trubuhocit.
Nga frika dhe traumat dhe si pasojë e sjelljeve mizore të krimineleve serb edhe motrës Bejtes i vdes djali 6 vjeqar, Arbeni me 20 prill 1999 ku sot prehet ne varrezat e fshatit Lutogllavë.
Familja e dëshmorit Avdi Smajl Kelmendi është dekoruar me Mirënjohje dhe Dekorata të shumta, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK -së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, SHP i UÇK -së ZOD, Kuvendi Komunal i Pejes, Shoqatat e dala nga lufta, etj.
Trupi i Avdiut prehet në varrezat e dëshmoreve në Lutogllavë, Komuna e Pejës.