Kryeministri, Avdullah Hoti, në një postim të tij ka shkruar se IKShPK-ja është duke u angazhuar në sigurimin e pajisjeve të nevojshme teknike për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinës në të gjitha komuna. “Po punojmë shumë në sigurimin e vaksinës. Jemi pjesë e koalicionit COVAX dhe presim të marrim vaksina për 20 për qind të popullsisë. Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë është në kontakt me kompaninë prodhuese të vaksinës, si dhe po punojmë me vendet partnere për të kërkuar mbështetje direkte nga to. IKShPK-ja po punon në sigurimin e pajisjeve të nevojshme teknike për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinës në të gjitha komuna. Instituti ka bërë gati planin e vaksinimit, duke vendosur me prioritet të moshuarit dhe qytetarët me sëmundje kronike, krahas punëtorëve shëndetësorë të cilët janë në ballë të kësaj beteje”, ka shkruar Hoti në një postim të tij.
