Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha sot se krejt shërbimi diplomatik i Kosovës është vënë në funksion të përmirësimit të imazhit të kryetarit, Hashim Thaçi. “Disa vende kanë dhënë shenja se do ta ri-shqyrtojnë njohjen e Kosovës. Nuk bëhet fjalë për njohje të reja. Sukses sot i diplomacisë kosovare konsiderohet parandalimi i tërheqjeve të njohjeve. Ministri i Jashtëm përflitet për pjesëmarrje në borde të ndryshme krahas personaliteteve të dyshimta ruse. Kjo është diplomacia e Kryeministrit Haradinaj dhe Kryeparlamentarit Veseli, si dy partnerët kryesorë të koalicionit. Komprometimi më tutje i shtetit të Kosovës duhet të ndalohet sa më parë”, ka shkruar Hoti.
