Këshilli i ekspertëve i LDK-së, në punëtorinë dyditore për Programin Qeverisës të LDK-së për qeverinë në ardhje, në fushën e mbrojtjes nacionale, ka vlerësuar që Shërbimi ushtarak në Kosovë të jetë i obligueshëm, sipas modelit të vendeve të vogla si Zvicra dhe vendeve të tjera, shkruan shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti në profilin e tij . Sipas tij kjo masë garanton mbrojtje efektive nacionale, i rrit aftësitë fizike e profesionale të rinisë dhe i mundëson Ushtrisë së Kosovës të renditet krahas ushtrive të partnerëve tanë në NATO. Për një periudhë disavjeçare, të rinjtë do të shërbejnë për disa muaj në shërbimin ushtarak, me shkëputje, bazuar në nevojat e të rinjve për arsim, punësim dhe familje. Ai shtoi se programi i LDK-së do t’i maksimizojë përparësitë dhe mundësitë e Republikës së Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.