Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Nikoqir i takimit ishte përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Hoti pas takimit iu ka thënë gazetarëve se me insistimin e tij, është diskutuar për dy çështje të rëndësishme. “Sapo e mbaruam takimin e parë në Bruksel për proces të dialogut, që po fillon pas një periudhe 20-mujore mbi parimet e qarta për këtë proces, të cilat ua kemi prezantuar edhe më parë partnerëve tanë ndërkombëtarë. Me insistimin tonë sot kemi biseduar për dy tema të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe të të dyja vendeve, nën 1 për të pagjeturit dhe 2 për bashkëpunimin ekonomik. Takimi ka qenë i vështirë”, ka treguar Hoti.
