Duke komentuar kërkesën e kryeministrit Albin Kurti ndaj Bashkimit Evropian për ta shkëputur procesin e dialogut me Serbinë nga procesi i integrimit të Kosovës për në BE, sh-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti shkruan se është shprehur i habitur se si delegacioni i Kosovës nuk e ka kuptuar gropën ku ka rënë me marrëveshjen e Ohrit. “Tani kur është bërë dëmi, kur Kosova po vuan nga sanksionet e Bashkimit Evropian që kanë bllokuar rreth 300 milionë për projekte të ndryshme, në Shkup, kryeministri kërkon që të shkëputet procesi i integrimit evropian i Kosovës nga marrëveshja e Ohrit. Gjithë ai aparat qeveritar, me gjithë ata këshilltarë, e me presidenten juriste, si nuk e kanë kuptuar gropën ku kanë rënë me pranimin e marrëveshjes së Ohrit? Është e kuptueshme tani injorimi që iu bënë BE-ja kur kërkojnë të shkëputet procesi i integrimit evropian të Kosovës nga zbatimi i marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar Avdullah Hoti, në një postim të tij.
