Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shkruar se tenderët njëburimor janë rritur si kurrë më parë. Raporti i BE-së thekson se 21% e prokurimeve janë kryer përmes negocimit pa procedurë të hapur tenderuese. Vlera e kontratave të nënshkruara me negocim është 78 milionë euro, apo 14% e gjithë vlerës së kontratave të nënshkruara. Me siguri shumë të madhe, shteti po paguan më shtrenjtë krahasuar me tenderimin e hapur me shumë oferta. Numri i ankesave që ofertuesit dorëzojnë në Organin Shqyrtues të Prokurimit është shumë i lartë, rreth 1,200 ankesa brenda vitit. Shumë prej ankesave miratohen, duke i detyruar institucionet publike të rivlerësojnë ofertat, apo të anulojnë aktivitetin e prokurimit. Pasojat e kësaj janë investimet kapitale më të ulëta historikisht në Kosovë. Është e pakuptueshme që nuk aktivizohet plotësisht prokurimi elektronik i instaluar që nga Qeveria Mustafa, i cili duhet të lidhet me të gjitha sistemet në institucione të ndryshme për të siguruar transparencën e plotë”, ka shkruar, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
