Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se për katër vjet, Kosova nuk ka arritur të implementojë projekte të rëndësishme që dalin nga marrëveshja e Uashingtonit të cilën e kishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Hoti ka vlerësuar se implementimi i kësaj marrëveshje do të kishte impakt në ekonominë e Kosovës. Gjatë kohës sa ka qenë kryeministër, Hoti ka thënë se ka punuar me aleatët në mënyrë që Kosova të ecë përpara sa i përket integrimit si dhe të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Hoti ka thënë se nuk po duket që në të ardhmen e afërt mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë, andaj, sipas tij duhet të fokusohen në ekonominë e vendit. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mbajtur tryezë diskutimi lidhur me katërvjetorin e marrëveshjes historike për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga presidenti, Donald Trump.
