Qëndresa heroike dhe titanike e Prekazit e 5, 6 dhe 7 marsit e vitit 1998 ka qenë njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke përfshirë tërë lagjen.
Shembullin e Adem Jasharit për të mos u dorëzuar e kanë ndjekur edhe Hamit Jashari me tërë familjen e tij, pastaj Hajzer Zymer Jashari po ashtu me tërë familjen, Faik Jashari e shumë të tjerë.
Për tri ditë rresht mbi shtëpitë dhe mbi anëtarët e këtyre familjeve u zbrazën të gjitha llojet e makinerisë së krimit serb. Nuk mbeti shtëpi, pullaz, mur, bodrum pa u granatuar me predha tankesh, me minhadhës, me topa kalibrash të ndryshëm me praga e mitralozë të rëndë.
Gjatë atyre tri ditëve të sulmit më barbar të okupatorit serb kundër familjeve Jashari, ranë heroikisht dhe u martirizuan 57 pjesëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari, duke përfshirë edhe disa miq, të cilët u ndodhen te të afërmit e tyre.
Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej fëmijëve e vajzave të mitura deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata, që rezistuan me armët që kishin dhe që për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan.
Familja e Zejnë Jasharit, lirisë së Kosovës i fali tre bij në lulën e rinisë: Abdullahun, Bujarin dhe Blerimin. Së bashku me bijtë kishte rënë edhe nëna e tyre, Bahtije Jashari.
Avdullahu lindi më 27 maj të vitit 1982. Shkollën fillore dhe tetëvjeçare i kreu në Skënderaj me sukses të shkëlqyeshëm. Ka vazhduar mësimet në shkollën e mesme, drejtimin e Informatikës. Ka qenë shumë kureshtar për të mësuar dhe për t’u pajisur me njohuri në drejtimin, të cilin e kishte zgjedhur. Edhe pse i ri, ai përcillte me vëmendje lëvizjet që bënin familjarët. Ishte në dijeni të aktivitetit që zhvillonin Jasharët, duke iu kundërvënë pushtetit serb.
Avdullahu, tok me vëllezërit dhe kushërinjtë e tij të moshës rinore, krahas obligimeve në mësim, bënin edhe vëzhgimin e terrenit, duke përcjellë lëvizjet e forcave serbe, të cilat po përforcoheshin dhe po përgatiteshin për të sulmuar Jasharët e Prekazit.
Sidomos prej kohës së daljes publike të UÇK-së, më 26 nëntor të vitit 1997, familja e ngushtë dhe e gjerë Jashari e Prekazit, kishte marrë të gjitha masat për të rezistuar kundër forcave okupatore. Pothuajse çdo natë mbaheshin tubime në odat e këtyre trimave, të cilët po projektonin rezistencën, e cila parashihej të përfshinte tërë Kosovën. Shumica e burrave të Jasharëve ishin të armatosur.
Natën e 4 marsit të vitit 1998, Zejnë Jashari me bashkëshorten Bahtijen dhe bijtë, Avdullahun, Bujarin dhe Blerimin ndodhet në shtëpinë e Halitit, ndërsa Valdeti ndodhej në shtëpinë e Hamit Jasharit. Atë natë roje vëzhgimi ishte Abdullahu. Me rastin e shpërthimit të luftimeve Zejnë Jashari ndodhet në bodrumin e shtëpisë, ku pas shpërthimit të një granate të forcave serbe goditet nga dera, e cila e kishte zënë përfundi dhe disa orë mbetet pa vetëdije.
Sulmi brutal dhe barbar i forcave ushtarake e policore serbe kundër Jasharëve, kishte filluar para orës 6 të mëngjesit të 5 marsit. Në të njëjten kohë, me predha artilerie qenë goditur shtëpia e Legjendarit, e Halit Jasharit e Hamit Jasharit, ku edhe kishte filluar rezistenca e armatosur.
Forcat serbe kishin zënë pocizion te vendi i quajtur Mali i Premë, rreth 200 metra përballë shtëpisë së Halit Jasharit nga ana lindore. Baza ishte sulmuar nga serbët edhe nga Fabrika e Municionit. Jasharët po sulmoheshin me armë të rënda të artilerisë nga të gjitha anët. Goditjet ishin fatale për të gjitha familjet nën rrethim. Sapo pushonte granatimi dhe forcat e këmbësorisë merrnin turr drejt kullave, ata ndeshnin në breshërinë e kallashëve të Jasharëve çlirimtarë. Këmbësoria sërish tërhiqej dhe sërish fillonte sulmi nga artileria e rëndë. Në një gjendje të tillë të sulmit mizor Jasharët e Prekazit rezistuan rreth 80 orë. Në shtëpi, të rrethuar nga të gjitha anët ndodheshin: Abdullah Zejnë Jashari, me prindërit dhe vëllezërit Bujarin e Blerimin, pastaj Murtez Zymer Jashari, Hajzer Zymer Jashari, Mihrije Jashari, nëna e Murtezit dhe motrat e tij Sabrija e Hanifja. Ndodhej edhe Halit Imer Jashari, me bashkëshorten e tij, Elhemen.
Prej ditës së parë të sulmit të forcave ushtarake e policore serbe kanë rezistuar me armët e tyre: Abdullah Zejnë Jashari, Murtez Jashari, Hajzer Jashari dhe Halit Jashari.
Në rrethana të një rrethimi të hekurt, të goditur nga të gjitha anët me armë të rënda të artilerisë kanë rënë në altarin e atdheut: Avdullah Zejnë Jashari
Murtez Zymer Jashari, Hajzer Zymer Jashari, Halit Imer Jashari, Elheme Jashari, Mihrije Jashari, Bahtije Jashari, Sabrije Zymer Jashari, Hanife Zymer Jashari, Bujar Zejnë Jashari dhe Blerim Zejnë Jashari.
Në ditën e kartët, serbët kishin thyer rezistencën e Jasharëve dhe kishin tërhequr kufomat, të cilat fillimisht i dërguan në “Servisin” e Lah Tushilës, në dalje të Skënderajt.
Trupat e këtyre dëshmorëve dhe dëshmoreve të kombit prehen në Kompeksin e varrezave në Prekaz, ku janë varrosur të gjithë të rënët, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, së bashku me legjendarin e UÇK-së, Adem Jashari.
Para shtëpisë së rezistencës së Halit Jasharit është ngritur një kompleks përkujtimor, ku janë skalitur në mermer fotot dhe emrat e këtyre 11 të rënëve, të kësaj dege të lagjes Jashari të Prekazit.
Nga familja e Murtez Jasharit kanë shpëtuar: Zejna, Miradia, Valbonja, Xhevdeti Valdeti dhe Lendita.
Familja e Zejnë Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Skënderajt për të rënët: Abdullahun, Bahtijen, Bujarin e Blerimin.
Emrat e Abdullahut dhe Murtezit, janë skalitur në mesin e emrave të nxënësve dhe arsimtarëve dëshmorë e martirë, në pllakën përkujtimore të ngritur në oborrin e shkollës së mesme “Anton Çetta” në Skënderaj.
Jasharët sërish kanë ngritur kullat e tyre dhe me bijtë, bijat, nipat e mbesat po vazhdimësojnë jetën, krenarë për veprat e baballarëve, nënave, motrave e vëllezërve, që u bënë gurë themeli për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. (A. Q.)