Dëshmori Avdyl Nimani u lind më 16. 12. 1954 në fshatin Demahmet (ish-Reçicë) të Besianës. Shkollimin fillor e kreu në shkollën e fshatit Sllatinë, ndërsa të mesmen në Besianë. Ndërkaq në vitin shkollor 1973/74 regjistrohet në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës.
Nga viti 1983 deri në vitin 1999 punoi në Fabrikën e armaturave ndërtimore “FAN” në Besianë.
Duke qenë trashëgimtar i familjes së Demë Ahmetit, Avdyli ishte përkrahës i çështjes kombëtare dhe pjesëmarrës i shumë ngjarjeve të kohës, protestave e demonstratave të organizuara kundër okupatorit shekullor serb. Kështu mori pjesë aktive në demonstratat e vitit 1981, ato të vitit 1989 dhe në protestat studentore të vitit 1997 në Prishtinë. Ishte i angazhuar edhe në fushatën kombëtare për pajtimin e gjaqeve në trevën e Llapit. Që nga viti 1997 vuri kontaktet me ilegalen patriotike për të qenë edhe më vonë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftën e lavdishme të UÇK-së. Në radhët e UÇK-së u rreshtua në vitin 1998 ku stërvitjet e nevojshme ushtarake i kreu në Shalë të Bajgorës. Ndërsa nga marsi i vitit 1999 ishte pjesëtar i Njësitit “Kështjella 30” me bazën te vendi i quajtur “Zabeli i Çitakëve”. Përveç detyrave të tjera Avdyli ishte i ngarkuar edhe në furnizimin me armë për pjesëtarët e UÇK-së. Bashkëluftëtarët e tij ishin Asllan Zymeri, Mehdi Shabani, Muharrem Ismaili etj.
Një kohë të caktuar qëndroi edhe në fshatin Revuç, prej ku më pas kaloi në Demahmet në njësitin e Sllatinës, ku kreu të gjitha detyrat ushtarake që iu besuan, deri në rënien e tij heroike më 25 maj 1999. Atë ditë, forcat serbe kishin ndërmarrë një ofensivë të ashpër në shumë drejtime, në mënyrë që ta detyrojnë të dorëzohet atë pjesë të popullatës, e cila kishte mbetur nëpër malet e Grykës së Llapit. Ato sulmojnë nga të gjitha anët, si nga Tashefci, Sllatina, Uglari, Tërnavica, Murgulla, Zhitia, Sylevica, Breca, Pollata, Repa, Metehia dhe nga Shala e Bajgorës. Gjatë asaj kohe Avdyli kishte qëndruar i palëkundur në pozicionet e UÇK –së, në fshatin Demahmet në mbrojtje të popullatës deri në rënien e tij heroike.
Nga familja e gjerë e Avdylit, në luftën çlirimtare ranë 11 veta.
Avdyli ishte pjesëmarrës në shumë beteja që u zhvilluan në këto anë si në Betejën e Bajçinës, të Kaqanollit, në Pollatë etj. dhe në betejën e fundit të zhvilluar në Demahmet ku edhe bie heroikisht te Kulla e Demë Ahmetit. Trupi i dëshmorit varroset një ditë më pas në vendin e rënies.
Avdyl Nimanit i është ngritur përmendore në vendin e rënies, te varri i tij si dhe është përjetësuar edhe në lapidarin e fshatit Pollatë, së bashku me dëshmorët e kompanisë së UÇK – së të këtij fshati dhe dëshmorëve të tjerë që ranë në betejat e kësaj ane. Gjatë tërë luftës me serbët, krahas pushkës ka pasur me vete edhe një video – kamerë, materialet e së cilës i posedon familja. Ndërkaq projekti i fundit për të deri më tash është dokumentari “Feniksi i Llapit, i incizuar në studio “Syri” në Besianë. Pas luftës familja e dëshmorit është dekoruar nga SHP UÇK – së, Zona Operative e Llapit, SHFD të UÇK-së në Besianë etj. (M. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …