”Nënë e dashur, do të kthehem nga mërgimi në Kosovë, sepse nuk durohet serbi më. Por, në qoftë se vritem oj nënë pa të parë, ma bëj hallall me zemër e mos më qaj me lot.
Të fala të gjithëve nga i paharruari, Avni Kutllovci. Lamtumirë!“.
(Nga dorëshkrimi i letrës së dëshmorit Avni Kutllovci, e shkruar para se të kthehet nga mërgimi).
Avni Bislim Kutllovci u lind në Manzë të Epërme (ish-Sfarçak i Epërm), më 21 mars 1977. Ishte fëmija i gjashtë me radhë nga nëntë fëmijët e prindërve, Bislim e Sabrie Kutllovci: Vehbiu, Ilmiu, Ganiu, Agimi, Bajrami, Avniu, Sofia, Bahria dhe Sevdia.
Pas kryerjes së shkollës fillore në vendlindje e në Vushtrri, Avniu vazhdoi dhe e kreu shkollën e mesme elektro-teknike, drejtimi për kompjuterë. Asokohe mësimi zhvillohej në shtëpi private, në kushte të vështira. Avniu i përjetoi përndjekjet ndaj nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë nga policia serbe, në vitet ’90 të shekullit 20. Asokohe, arsimtarët nxirreshin dhunshëm nga lokalet mësimore private nga policia serbe dhe torturoheshin e arrestoheshin.
Veprime të tilla të përditshme mbi arsimtarët, nxënësit e prindërit, lanë gjurmë të pashlyeshme te Avniu, duke thelluar urrejtjen kundër armikut.
Pos profesionit për përdorimin e kompjuterit, ai për pasion kishte muzikën, këngën e instrumentin muzikor, sidomos çiftelinë, me të cilën këndonte nëpër oda, manifestime dhe në shoqëri kulturo-artistike. Gjatë luftës në front, bashkëluftëtarët e kujtojnë duke kënduar madje në momentet më të rënda, për t’u dhënë zemër të tjerëve, por edhe për ta kthyer betejën në mobilizim e krenari.
Për shkak të veprimtarisë së vazhdueshme atdhetare, familja e tij ka qenë gjithnjë në sy të pushtetit okupues serb. Këtë e dëshmon edhe axha i babait, Shaban Kutllovci, bashkëluftëtar i ngushtë i Shaban Palluzhës, i cili ra heroikisht në betejën e Llapit, duke sfiduar pushtuesin serb. Edhe vetë i përndjekur, Avniu fitoi urrejtje ndaj pushtuesit dhe mezi priti të fillojë lufta për liri në vitet nëntëdhjeta, sidomos me paraqitjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë, në varrimin e dëshmorit Halit Geci.
Avniu mori pjesë në manifestimet antiserbe të organizuara në Mitrovicë e Vushtrri.
Kontaktet e para me ilegalen patriotike, i mori kur ishte në mërgim në Sarajevë, pastaj në Itali, më 1996.
Për veprimtarinë patriotike, Avniu ishte i përndjekur nga pushtuesi serb në Kosovë, sidomos nga kryeinspektori i policisë komunale në Vushtrri, Dushko Janjiq. Ndërkaq, kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i pati në mars të vitit 1998, kur në Prekaz ndodhi beteja e përgjakshme, por heroike e Jasharëve, ku ndezi zemrat e rinisë shqiptare, andaj edhe të Avniut.
Si tillë, Avniu zyrtarisht mobilizohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prill të vitit 1998, së pari në njësitin special, në Junik. U bë ushtar i komandantit legjendar me famë ndërkombëtare, Bekim Berisha – Abeja, i dalluar sidomos në frontin e luftës në Kroaci, prej të cilit mori njohuri, kurajë dhe frymëzime të reja për luftë.
Stërvitjet i bëri gjatë ushtrimeve në Papaj e Babinë të Malësisë së Tropojës, ku arriti t’i përvetësojë teknikat më të nevojshme të luftës kundër armikut, nën mësimdhënien e eprorëve të shquar shqiptarë. Ishte ndër ushtarët më të dalluar të Brigadës 125 të Zonës Operative të Pashtrikut, te komandanti Nehat Basha. Djaloshi sypatrembur, gjakftohtë e trupgjatë shpejt u shqua si strateg e luftëtar i zoti. Armë personale e pati snajperin, të cilin e zotëroi me mjeshtëri.
Avniu ishte shtatlartë, i fuqishëm, i qetë, i zellshëm e zemërgjerë. Ndërkaq, për armikun ishte mjaft i rrëmbyeshëm.
Me funksion ishte komandant toge i njësitit special të Brigadës 125 të Zonës Operative të Pashtrikut, në krye me komandantin, Nehat Basha.
Në veprimtarinë e vet ushtarake, më shumë është shquar dhe angazhuar në furnizimin me armatim, përmes shkuarje dhe ardhjeve në Malësi të Tropojës, duke kaluar me ditë e orë nëpër qafa të rrezikshme kufitare, bashkë me dhjetëra bashkëluftëtarë të tjerë. Mbi trembëdhjetë herë ishte në rrugëtimin për furnizimin me armë e municion për luftëtarët e lirisë.
Avniu mori pjesë edhe në disa beteja në zonën e kufirit që ndante shqiptarët, në Gjocaj, Jasiq, Junik, në Rrasë të Zogut e në Pashtrik, ku u shqua trim i patrembur, duke u hedhur pa hamendje në radhë të para të sulmit.
Në ditën kritike, por edhe krenare për jetën e tij, më 14.12.1998, ndodhej në Pashtrik, në Has të Thatë, ku bashkë me rreth dyzet luftëtarë të tjerë bie në pritën e kurdisur nga ana e forcave policore-ushtarake serbe. Aty ishte luftëtari dhe eprori i shquar, Mujë Krasniqi – “Kapuçi” me shumë trima të tjerë nga anët e ndryshme të Kosovës. Ndërkaq, aty plagosen edhe Xhevdet Qeriqi, Bislim Muçaj, Nexhmedin Berisha, Enver Krasniqi, Riza Ibra e shumë të tjerë.
Duke luftuar heroikisht gjoks për gjoks me armikun, së bashku me Avniun ranë dyzet luftëtarë të lirisë, në krye me komandantin legjendar, Mujë Krasniqi.
Trupi i Avniut u varros në Polac të Drenicës, me ceremoni mortore e nderime ushtarake. Ndërkaq, më 1 shtator 1999, rivarroset në varrezat e Dëshmorëve, në Bletajë (ish-Stanovc) të Vushtrrisë.
Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare ishte edhe vëllai i Avniut, Agimi.
Figura e dëshmorit Avniu Kutllovci është i skalitur në përmendoren e dëshmorëve, në vendrënie, në Pashtrik, por edhe në lapidarin e ngritur në qendër të Vushtrrisë.
Familja e tij, së pari ka marrë Mirënjohje nga kryetari i parë Komunës së Vushtrrisë, prof. Xhemajl Pllana, nga Qeveria e atëhershme – Ministria e Mbrojtjes dhe më vonë nga KK i Vushtrrisë së çliruar, por edhe nga shoqatat e dala nga lufta.
Një rrugë në Vushtrri e mban emrin e tij.
Avniu e ka pasur një ditar, por iu ka djegur. Si relikte ruhet uniforma e tij ushtarake, çiftelia dhe fyelli. (Z. Gj.)