Avni Dehari

Avni Dehari: Një tufë poezish

Avni Dehari lindi më 3. 5.1947, në fshatin Sllupçan të Kumanovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme, gjimnazin, e mbaroi në Preshevë, kurse u diplomua në Fakultetin e Filologjisë – Gjuhë dhe Letërsi shqipe, në vitin 1974, në Prishtinë. Deri më tash i ka botuar këta libra: poemën për fëmijë “Dielli”, me pseudonimin Agim Vardari, monografinë “Arif Seferi – në shërbim të popullit”, në bashkautorësi me Destan Hajdinin, përmbledhjen poetike për të rritur “Pas rrezes së diellit”, librin për fëmijë në prozë “Saja fluturuese”, përmbledhjen me poezi për fëmijë “Hëna në dritare”, “Kënga e Drerit Fjalëpak”, “Flokëhapareshuri” dhe “Gjergji i Arberisë”. “Nxin e qesh natyra” është libri i tij i nëntë. Avni Dehari që nga viti 2001 jeton në Prishtinë. Dy vite më parë Avniut  ka vdekur djali, Arbnori, ndërsa sot ende në rrethana të pasqaruara, në Burugn e Prizrenit ka vdekur edhe djali i dytë, Astriti.

 

Dëshmorëve: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka

Të dashuruar pas rrezes së diellit,

Në udhën e rrahur ndër shekuj,

Ranë shokët tanë,

Vdekjen me vdekje e mundën,

Ditë e natë pranë nesh qëndrojnë

Si yj që nuk shuhen kurrë.

Nderim e lavdi

Ata paçin përjetë,

Se amanet na i lanë:

Gjakun,

Kurrë të mos na ndalet hovi rinor,

Gjuhën,

Zemrat të na i zbutë e të na i forcojë,

Sytë,

Horizonteve ta hedhim vështrimin,

Këmbët,

Hapin ta kemi të gatshëm për marshim,

Grushtin,

Shtrigat t’i shkallmojmë,

Krahët,

Agimet e kuqërremta t’i përqafojmë,

Zemrat, oh zemrat,

Kambanë për ditën e madhe.

Heu, kush shkel mbi gjakun e tyre,

Dritë e diellit e verboftë,

Mallkimi i tokës nënë e zëntë!

 

Mall përvëlues

Nëntëmbëdhjetë vjet

Në dhe të huaj

Në mallin tënd u poqa,

U përcëllova,

Gati u treta,

Vendi im, oqean malli!

Nëntëmbëdhjetë vjet

Ballin nuk ma përkëdheli

 

Rrezja e diellit

Në agimet e tua të trëndafilta,

Vendi im liqen lotësh!

Nëntëmbëdhjetë vjet,

Pa gurgullimën e krojeve të tua,

Shekuj m’u bënë,

Vendi im,

Ujëvarë bjeshke!

Nëntëmbëdhjetë vjet

Butësinë e ograjave,

Në dhe të huaj

Më kot ta kërkova,

Vendi im,

Ëndërr fëmijërie!

Nëntëmbëdhjetë vjet

Mezi i plaka

Pa urimin “Tungjatjeta!”

Rit i fisit tim,

Vendi im,

Gurrë jete!

Nëntëmbëdhjetë vjet,

Pa cicërimën e ëmbël

Të zogjve pranverorë,

Vendi im,

Vetull ylberi!

Nëntëmbëdhjetë vjet

Pa mugullimin e marsit,

Dehje për kthim,

Etje për lirinë e shumëpritur!

Vendi im prehërngrohtë,

Vendi im krahëhapur,

Shekujt nuk po më dalkan,

Ta shuaj mallin

Në kraharorin tënd magjepsës!

 

Përgjërimi

 

(Frymëzuar nga protesta e organizuar

në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve,

më 30 gusht 2010 në Prishtinë)

 

Në zemër të Prishtinës

Mbi pllaka mermeri,

Si mbi rrasa të ftohta varresh,

1837 palë këpucë,

Të vogla,

Të mesme, Të mëdha.

Këpucë fëmijësh,

Nxënësish,

Studentësh,

Punëtorësh;

Këpucë malësorësh,

Këpucë të grisura udhëtarësh,

Këpucë nusesh me vel,

Këpucë dhëndurësh,

Festash e dasmash,

Vëllezërish,

Motrash,

Nënash,

Etërish;

Këpucë që mbi pllaka mermeri,

Si një det i thellë dhembjeje,

Si një oqean i pafund malli,

Me nga një pikëpyetje,

Kordele në qafë,

Me nga një fjali:

“Ku janë?”,

Pyesin:

Ku është njomëzaku im,

Ku është babai im bujar,

Nëna ime diell dashurie,

Gjyshi im përrallëtar i rrallë,

Gjyshja ime zemërbardhë,

Vëllai im me yll në ballë,

Motra ime sypërlotur?…

Pyesin:

Pse na shikoni si të huaj?

Nuk na njihni!?

Nuk na keni parë!?

Fotografitë tona në kangjella

Para Kuvendit të Kosovës,

Që dhjetë vjet,

Si gjethe pemësh,

I tund era në pranverë,

Në verë, në vjeshtë, në dimër.

Që dhjetë vjet

Fotografitë tona,

Me sy – liqene pikëllimi,

Buzëplasur përgjërohen:

Na ktheni në vendin tonë!

Që dhjetë vjet

Fotografitë tona zverdhen

Por nuk bien,

Si gjethe vjeshte nuk pikojnë.

Që dhjetë vjet

Zbehen fotografitë tona

Nga dielli, shiu,

Acari, veriu, koha,

Por malli nuk zbehet,

Çdo ditë më shumë shtohet,

Bëhet vullkan,

Zemra nënash përvëlon,

Zemra fëmijësh sëmbon,

Zemra motrash shkrumbon,

Zemra të dashurish

Me afsh i përcëllon.

Zbehen fotografitë,

Por jo shpresa për kthim

Shtatë pashë në zemër palosur.

Nuk zbehet malli i nënave,

Det i thellë, oqean i pafund.

Nuk zbehet

Dashuri e brishtë,

Malli i fëmijëve njomëzakë,

Që çdo ditë

Me rrezen e parë të diellit

Mirëmëngjesi

Dhe në të ngrysur

Natën e mirë na thonë;

Na njomin me lot,

Me doçka na ledhatojnë.

Që dhjet vjet

Në fotografitë tona

Sytë thellohen,

Buzët përgjërohen,

Vendlindjen mëtojnë.

Zbehen fotografitë,

E humbin shkëlqimin,

Bashkë me eshtrat tona,

Që në dhe të huaj mërdhijnë,

Nuk gjejnë qetësi,

Nuk pushojnë.

Njerëz,

Mos na harroni,

Kërkoni kthimin tonë!

Pushtetarë,

Bëni urëvarë,

Me eshtrat tona

Që nëpër të,

Si në legjendë,

T’ia mësyjmë vendit tonë.

Bashkohuni me nënat,

Syburim pashterur,

Me etërit,

Që gulçimin nyjë

Në fyt shtrëngojnë,

Me fëmijët,

Që shpresën,

Bashkë me lotin,

Në qerpik mbajnë,

Me motrat,

Që qëndismat me lot i lajnë!

Bashkohuni me mallin tonë,

Që nuk tretet

Për një copë tokë vendlindjeje,

Sa për një varr,

Shtrat për eshtrat tona,

Për diell Kosove,

Për një grusht dhe të shkriftë

Mbi trupin tonë,

Për një vizitë,

Për një lulenuse,

Për një lutje shqip

Mbi varrin tonë!

Bashkohuni me lutjen tonë

Për kthim

Pranë nënave,

Fëmijëve,

Motrave,

Vëllezërve,

Pranë nuseve tona,

Pranë të dashurve tanë.

Njerëz,

Mos na harroni!

 

Dielli lot në Vlorë

 

Para llucë e shi,

Prapa ngricë e borë,

Fërfëllizë e llucë,

Isa për në Vlorë.

 

Llucë e shi përpara,

Prapa ngricë e borë,

Nëpër zhgan ujqish

Rrugës për në Vlorë.

 

Vit bëhej dita,

Shekull një natë,

Llucë, acar e shi,

Breshër e shtrëngatë.

 

Shqipëria në Vlorë

Shkrifej në Diell të ri,

Prapa ngricë e borë,

Para llucë e shi.

 

Isën nuk e çeli

Ditë e parë në Vlorë,

Çante rrugën trimi,

Si ortek me borë.

 

Ditën e dytë Dielli

Ndiqte retë në Vlorë,

Bubullimë prapa,

Fërfëllizë e borë.

 

Plaku i Pavarësisë

Me Flamur në dorë,

Biri i Kosovës

Plisin Sharr me borë.

 

Shkrihen në përqafim

Si vëllezër të vërtetë,

Zjarr e afsh në gji,

Zhdavaritin retë.

 

Afshin e Kosovës

Isa derdh në Flamur,

Shteg mali ballin,

Gjoksin sikur furrë.

 

Afshin e Shqipërisë

Ai e derdh në Vlorë,

Edhe njëqind vjet

Prapa ngricë e borë.

 

Njëqind vjet dimër,

Njëqind vjet verë,

Diell Vlore andej,

Këndej zi e terr.

 

Afshi i Shqipërisë,

Dielli lot në Vlorë,

Shkrinin në Kosovë

Akull shekullor.

 

Faqe ndërroi moti,

Fryu një erë tjetër,

Acar, llucë e shi,

Një kujtim i vjetër.

 

Rruga për në Vlorë

Pa llucë e pa shi,

Shend e verë përpara,

Prapa Diell i ri.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …