Veprimtari i çështjes kombëtare dhe shkrimtari Avni Dehari në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit është pjesë e listës e Lëvizjes Vetëvendosjes për deputet. Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka treguar se kush e ka shtyrë që të bëhet pjesë e garës zgjedhore për deputet. “Më propozuan shumë anëtarë dhe shokë nga Lëvizja Vetëvendosje! Ata me përkushtim janë përcaktuar ta bëjnë ndryshimin e madh që qytetarët e Kosovës të kenë liri dhe jetë më të mirë, për të cilën kanë luftuar me mijëra luftëtarë dhe shumë prej tyre kanë rënë dëshmorë”, ka treguar Dehari, duke shtuar se që nga themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbështetur angazhimin dhe programin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Si anëtar i këtij subjekti, propozimin që të jem kandidat për deputet e kam vlerësuar si një obligim politik dhe moral që vështirë mund të refuzohet. Sidomos kur merren parasysh vullneti dhe gatishmëria e paparë e qytetarëve të Kosovës që ta mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje! për ndryshime të mëdha dhe pritjet e tyre për jetë më të denjë se deri më tash, me shumë të drejtë, të bëjnë të mos e kursesh angazhimin deri në fund. Fundja unë jam ky që jam falë shokëve atdhetarë, prandaj nuk refuzova kërkesën e tyre”, ka thënë Dehari.
Duke folur për moscertifikimin e listës së Vetëvendosjes nga ana e KQZ-së, Dehari ka thënë se ai nuk mund të mos besojë se përpjekja për t’ia pamundësuar Albin Kurtit që t’i prijë listës së kandidatëve në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk ka prapavijë politike. “Kjo është dëshmuar edhe në të kaluarën e afërt. Të gjithë jemi dëshmitarë se lufta për ta penguar, për ta rrëzuar atë nga qeverisja është zhvilluar në rrethana të papranueshme demokratike, ka qenë e padrejtë, aspak njerëzore dhe tepër e egër”, është shprehur Dehari…