Avni Nezir Selmani (10. 2.1975 – 24.12.1998)

Avni Nezir Selmani (10. 2.1975 – 24.12.1998)

Avni Nezir Selmani u lind më 10 shkurt 1975 në fshatin Vendenis (ish Gllamnik) të Besianës në një familje atdhetare e cila kryesisht është marr me tregti. Familja Selmani është njëra ndër familjet e njohura llapjanë që nga viti 1920. Kjo njihet si familja Beha nga Llapashtica e cila në vitet 1925 – 26 si shumë familje tjera nga vise të ndryshme të Kosovës edhe pse kishin pasuri të mjaftueshme u detyruan nga pushteti i atëhershëm që të lëshojnë trojet stërgjyshore dhe të shpërngulen për në Turqi. Në trojet e tyre Krali vendosi familje serbe. Kulla e njohur Brahë Selmanit të cilën atë kohë e la kjo familje gjendet edhe sot në këtë vend. Familja e Brahë Selmanit në Turqi qëndroi vetëm katër muaj dhe nga malli dhe atdhedashuria për vendin e vetë ata u kthyen. Mirëpo në pamundësi që të kthehen në truallin e tyre sepse tashmë në tokën e tyre ishin vendosur sllavët ata u vendosën në fshatin Vendenis (ish Gllamnik) që është ngjitur me fshatin e tyre të lindjes Llapashticën. Aty ndërtojnë shtëpinë e cila ka qenë si urë lidhëse apo konak për veprimtarët atdhetarë të të gjitha kohërave.

Në këtë familje patriotike u lind dëshmori i kombit Avni Selmani më 10 shkurt 1975. Bashkëshortët Nezir dhe Vahide Selmani kishin katër djem e dy vajza (Azizja, Enveri, Avniu, Afërdita, Afrimi dhe Bashkimi). Avniu ishte fëmija i tretë i cili që herët u vrenjtë së është një fëmijë i shëndosh dhe më pas u bë i mençur dhe i fuqishëm. Që në moshën pesë vjeçare derisa kthehej nga dajë posa zbriti nga autobusi iku nga dora e nënës dhe duke kaluar rrugën e goditi një kamion dhe e përplasi për tokë por shpëtoi sepse nuk e deshi atë vdekje deshi që në një të ardhme të vdes për lirinë e Kosovës. Avniu shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani “në Besianë. Si nxënës i gjimnazit Avniu çdo herë gjendej në ballë të protestave dhe demonstrative të vitit 1989 ku protestohej kundër thellimit të barbarizmit të okupatorit kur donte të shkatërronte çdo gjë shqiptare. Në vitin 1990 kur okupatori helmoi nxënësit shqiptarë edhe në Llap dhe më pas mbylli shkollat shqipe . Avniu si edhe shokët e tjerë të tij shkollimin e vazhdoi në shtëpitë shkolla ku edhe pse kushtet ishin të vështira Avniu në vitin 1993 e përfundon shkollën e mesme me sukses të shkëlqyeshëm.

Pas përfundimit të shkollës së mesme edhe përkundër dëshirës së madhe për të vazhduar shkollimin e mëtutjeshëm Avniu detyrohet për ta ndërprerë atë për shkak të kushteve ekonomike ngase edhe babin e Avniut si edhe të punësuarit e tjerë e kishin larguar nga puna që deri atëherë punonte në KNI “Ramiz Sadiku”.Kështu ai filloi të punonte për të siguruar ekzistencën e familjes. Pati edhe oferta të shkoi në punë jashtë atdheut por këtë nuk e pranoi dhe tha se nga këtu nuk largohem derisa të jetë Kosova e lirë. Fillimisht ai punoi punë krahu ku mund të gjente punë derisa filluan të merren me tregti bashkë me babë Nezirin dhe vëllain Enverin. Disa herë ata kanë qenë të keqtrajtuar nga policia serbe dhe shumë herë u është konfiskuar edhe malli që e kishin për shitje. Avniu edhe kur ua merrnin mallin policia serbe shokëve të vetë u jepte moral dhe u thoshte se këtë këta po na e bëjnë vetëm të na humbin moralin dhe të na detyrojnë të largohemi nga trojet tona por ne duhet të jemi të fortë dhe për asnjë çmim nuk do ta lëshojmë Kosovën. Ne duhet të punojmë dhe të përgatitemi që edhe të luftojmë për Kosovën tonë thoshte Avniu . Kështu duhet të veprojmë se jemi vëllezërit e Adem Demaçit, ngase idol e kishte atë dhe në çdo bisedë për çështje kombëtare ai nuk e lente pa e përmendur Ademin.

Në vitin 1995 Avniu nëpërmes të vëllait Enverit njihet me Naim Kadriun (njërin ndër themeluesit e UÇK-së në Llap) me të cilin ka vazhduar lidhjen dhe bashkëpunimin ku njëherësh nga Naimi është pajisur edhe me literaturë e cila i ka ndihmuar të mësoi shumë gjëra për rrugën në të cilën veç kishte hyrë. Ndër librat që i siguronte Naimi, Avniut më së shumti atë e kishin gëzuar librat e simbolit të rezistencës shqiptare Adem Demaçi.

Me të dëgjuar për daljen në skenë të UÇK-së Avniu u interesua që të bashkëngjitet radhëve të luftëtarëve të lirisë. Këtë ia kishte shprehur edhe në bisedë Naimit i cili i sugjeron që ai të vazhdoi edhe për një kohë punën e tij në treg dhe të gjejë mënyrën dhe të angazhoi sa më shumë njerëz që ta ndihmojnë edhe materialisht UÇK-së. Këtë detyrë Avniu e pranon me shumë dëshirë dhe punon me përkushtim ku dha një kontribut të madh në këtë drejtim.

Në qershor të vitit 1998 radhëve të UÇK-së u bashkëngjitet vëllai i Avniut, Enveri i cili ka qenë edhe në grupin e parë të ushtarëve të UÇK-së që kanë shkuar për të sjell armatim nga Shqipëria . Pas angazhimit të Enverit në UÇK, Avniu udhëtoi disa herë për në Turqi që njëherësh ka pasur edhe për detyrë të sjell uniforma dhe gjësende të tjera për ushtarët e lirisë.

Pas fillimit të organizimit dhe vendosjes së UÇK-së në fshatrat përgjatë magjistrales Prishtinë – Besianë, Avniu së bashku me axhën Agimin, djalin e axhës Avdiun dhe kushëririn Fatmirin (tashmë dëshmor i kombit) shkojnë në malet e fshatit në vendin e quajtur “Shator” ku kontaktojnë me komandantin e togut Bashkim Qerimin – komandant Hoxha. Avniu aty takon edhe shokun e klasës nga shkolla fillore Arsim Islamin (Cimën) i cili kishte ardhur nga Gjermania për t’ju bashkangjitur radhëve të UÇK-së. Pas bisedës me komandant Hoxhën , Avniu dhe të tjerët që ishin shkuar bashkë atë ditë fillojnë ushtrimet ushtarake por Avniu meqë ishte i ngarkuar edhe me punët e logjistikës orari i ushtrimeve i caktohet në ditët e lira që kishte. Pas bisedës me shokun e klasës Arsimin, Avniu shef se tek ushtarët e UÇK-së ka mungesë të dorëzave dhe kapelave të dimrit të cilat ai ua siguron pas dy ditësh për tri togje që ishin aty në afërsi (togu i Hoxhës, Ajetit dhe Dulit).

Në nëntor të vitit 1998 pas organizimit të Mbrojtjes Civile, Avniu angazhohet nga i vëllai Enveri i cili njëherësh ishte komandant i MC që të bëjë roje në lagjen e tyre, punë të cilën ai e kryente me vullnet dhe shumë përpikëri.

Më 29 nëntor 1998 komandant togu në këtë pjesë caktohet Rifat Maloku (Shpati) i cili vendoset në lagjen e Kërtokëve në shtëpinë e Hasan Abdullahut dhe Avniu kërkon nga komandant Shpati që të kyçet në radhët e UÇK-së në togun e tij. Mirëpo edhe komandant Shpati vlerëson se ende Avniu është më i nevojshëm që të punoi në logjistikë për të furnizuar ushtarët me gjëra të nevojshme punë të cilën e kishte bërë me shumë sukses edhe deri tani. Ai i tha se duhet shfrytëzuar kohën sa ende janë rrugët e hapura dhe kur të mbyllen këto rrugë vendin e ka në togun e tij. Vlen të ceket se edhe shtëpia e Avni Selmanit ka qenë vend vëzhgimi pasi që e kishte edhe pozitën e përshtatshme për këtë punë ku mund të vëzhgohej magjistralja që nga Besiana e deri tek shkolla e fshatit Vendenis.

Më 24 dhjetor Avniu bashkë me Fatmirin kanë qenë në roje detyrë të cilën e kanë kryer gjithmonë bashkë. Avniu që në mëngjes kur shef se fshati ishte rrethuar nga forcat serbe përshëndetet me familjen e tij dhe nënës i thotë se nëse vdes në frontin e luftës të mos më qani por duhet të mburreni se po e jap jetën për liri.

Ai edhe një javë para se të binte në altarin e lirisë në bisedë me familjen e tij u kishte thënë prindërve katër djem i kini dhe mos mendoni se do ta fitoni lirinë pa ja falë Kosovës një djalë. Ndërsa motrës Afërditë i kishte thënë se nëse bie për liri të cilën e kamë dëshirë pranë varrit dua të mi lexosh disa vargje për liri. Këtë amanet ia plotësoi motra Afërditë në ditën e varrimit të dëshmorit të kombit.

Me të arritur tek komandant Shpati ,Avniu i kishte thënë se jam nën urdhrin tuaj dhe dua të më caktohet pozicioni prej nga do ta mbrojë tokën e Kosovës dhe do ta luftoi okupatorin me gjithë forcën që kam. Komandant Shpati e kishte caktuar në pozicionin në anën e djathtë të magjistrales Prishtinë- Besianë së bashku me ushtarët Lulzim Restelica, Mentor Toplica, Shpëtim Beselica (Studenti), Abdyl Cakiqi, Agim Selmani (axha i Avniut), Fatmir Selmani (dëshmor) si dhe nipi Nexhmi Mani. Granatimet e okupatorit drejtë pozicioneve të UÇK-së kanë filluar rreth orës tetë . Forcat e okupatorit kanë përdorur armatim të rëndë, tanket, minahedhësit nga 62 mm-120mm etj. Ata u përpoqën që të thyejnë pikën ku ishte Avniu me shokë e të depërtojnë nga prapa në pikën tjetër dhe për të vazhduar ashtu rrugëtimin deri tek Shtabi i UÇK-së të ZOLL-it në Lalpashticë të Epërme. Por, edhe përkundër përdorimit të gjithë kti armatimi trimat e lirisë nuk lejuan depërtimin e tyre më thellë duke mos u lëkundur për asnjë hap ushtarët e lirisë.

Rreth orës 11-të bëhet e ditur se tre ushtar të cilët ishin të vendosur në anën e djathtë të magjistrales janë plagosur nga predhat e minahedhësit. Komandanti urdhëron Enver Selmanin që e njihte mirë terrenin që të depërtoi atje dhe të merr edhe dy ushtar të tjerë dhe të bënë tërheqjen e të plagosurve dhe ti vendos në ndonjë vend të sigurt derisa të vjen ekipi mjekësore nga Burica. Nëpër atë breshëri plumbash Enveri kalon në anën tjetër të rrugës ku ishin të plagosurit dhe menjëherë kupton se njëri nga të plagosurit ishte vëllai i tij Avniu. Ai bashkë me tre ushtarë tjerë marrin të plagosurit Avniun, Fatmirin të cilët ishin të plagosur rëndë si dhe Avdyl Cakiqin që ishte i plagosur më lehtë. Ata i tërheqin deri në lagjen e arbanashëve dhe i vendosin në shtëpinë e Ramadan Abdullahut që menjëherë u është dhënë ndihma e parë nga mjeku Ali Lahu. Më vonë aty kishte arritur edhe babai i Avniut dhe pasi e kishte parë djalin e plagosur nga djali tjetër Enveri kishte kërkuar që ai menjëherë të kthehet tek shokët në vijën e frontit. Ai po ashtu i kishte porositur ushtarët tjerë se edhe nëse vdes Avniu nuk dua të ju shoh të mërzitur sepse liri pa gjak nuk ka dhe kjo është vdekja më e mirë. Enveri menjëherë ishte kthyer prapa tek shokët ku me vete kishte marr edhe një ekip të gazetarëve të cilët kishin arritur në atë kohë për të përcjell nga afër luftimet. Rreth orës 15-të Fatmiri kishte ndërruar jetë ndërsa Avniu ende ishte gjallë por mundësi për ta dërguar në spitalin ushtarak nuk kishte në ato rrethana ngase nuk mund të kalohej në atë rrugë që shpinte për fshatin Llapashticë ku ishte spitali ushtarak sepse vija e frontit ishte deri tek fshati Kastrat. Babai i Avniut, Neziri dhe axha Ejupi morën një makinë të një bashkëfshatari dhe Avniun e Avdylin i nisën për në spitalin “Nëna Terezë” në Prishtinë ku pas arritjes në spital mjekët konstatuan se edhe po të bëhet intervenimi kirurgjik Avniu nuk ka shpresë të mbijetoi. Atëherë Neziri kërkon që mjekët të përkujdesen për Avdylin i cili ishte më pak i plagosur dhe Avniun e vendos prapë në makinë duke menduar ta dërgoi diku tjetër mirëpo ende pa dal nga oborri i spitalit Avniu ndërron jetë.

Luftimet ishin ashpërsuar edhe më shumë dhe nuk mund të depërtohej në magjistrale për të arritur deri në fshatin Vendenis ata detyrohen që Avniun ta vendosin tek dajë në fshatin Shakovicë deri të nesërmen në mëngjes.

Në mbrëmje kur forcat serbe panë se kishin pësuar humbje të mëdha në njerëz dhe teknikë luftarake dhe nuk kishin mundur të thyejnë forcat UÇK-së vendosin të tërhiqen. Pas tërheqjes së tyre Enveri bashkë me komandant Shpatin kthehen në shtëpitë e lagjes së llapashticve për të kontrolluar shtëpitë ku kishin qëndruar forcat serbe dhe pasi ishin të informuar se nëpër shtëpi kishin mbetur disa pleq e plaka në mesin e të cilëve edhe nënat e Avniut dhe Fatmirit. Kur e pa axha Zeqë, Enverin e pyeti ku ishin djemtë dhe ai duke mos e ditur se dy djem të axhës Zeqë ishin të vrarë i kishte thënë se janë lartë në male. Ai i tha dy djemtë e mëdhenj i kamë këtu të vrarë po ku janë të tjerët a janë gjallë Enveri i kishte thënë se tjerët janë mirë janë tek UÇK-ja. Duke i shprehur ngushëllime axhës Zeqë i kishin thënë të jetë i fortë dhe ai u ishte përgjigjur “unë jam i fortë kur ju shoh juve se jeni të fortë”. Më pas Enveri me një grup ushtarësh shkojnë në shtëpinë e tij për të ngrënë darkë sepse nuk kishin ngrënë tërë ditën dhe darkën ua kishte përgatitur nëna e Avniut, Vahidja.

Në atë kohë në shtëpi arrin edhe Neziri dhe Ejupi dhe Nerziri ua kumton lajmin se Avniu kishte vdekur por ai i thotë Vahides që të mos mërzitet sepse Avniu ka vdekur ashtu si ka pasur dëshirë. Të gjithë ushtarët që ishin aty prindërit e Avniut i ngushëlluan me lot në sy ndërsa ata qëndronin të fortë sepse nuk donin ta thyenin porosinë që ua kishte dhënë Avniu ditë më parë. Ushtarët deshën të shkojnë mirëpo këmbënguli nënë Vahidja dhe nuk i lejoi ushtarët të shkojnë pa ngrënë darkë. Ndërsa për vëlla Enverin kjo ishte një ditë e vështirë sepse njëri vëlla Avniu tashmë kishte shkuar në përjetësi kurse për vëllain tjetër Afrimin 17 vjeçar që ishte në njësitin special nuk dinte asgjë se ku ndodhej që nga mëngjesi kur kishte shkuar me shokët në frontin e luftës tek Tabet e Llapashticës.

Familja e Brahë Selmanit këtë ditë dha katër djem për lirinë e Kosovës dy nga ta Avniu e Fatmiri tashmë dëshmor dhe vëllezërit Hetemi e Zeçiri martirë të lirisë.

Më 25 dhjetor në varrezat e fshatit Vendenis për një kohë u varrosën Avni, Fatmir, Hetem e Salih Selmani dhe Mirsad Abdullahu.

Pas përfundimit të luftës për këta dëshmorë dhe martirë familjarët ua ngritën një lapidar aty ku janë të varrosur, ndërsa fotot e Avniut dhe Fatmirit janë të skalitura edhe në lapidarin tek Tabet e Llapshaticës bashkë me dëshmorët tjerë të rënë në betejën e 24 dhjetorit dhe në betejat tjera të zhvilluara në këto anë.

Për dëshmorin Avni Selmani janë thurur këngë dhe poezi ndërsa familja ka marr mirënjohje nga SHP i UÇK-së. (MK)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …