Avni Shabani u lindi më 8 maj të vitit 1972, në fshatin Dedi të Mitrovicës. Ishte djali më i ri i babë, Rasimit dhe i nënë, Hatixhe Musës nga fshati Bajgorë. Prindërit Rasimi dhe Hatixheja lindën e rritën bijtë: Qamilin, Adilin, Samiun dhe Avniun si dhe bijat: Sofijën, Razien, Elhemen, Nexhmien dhe Mejremen.
Kjo familje fisnike, bujare dhe atdhedashëse është e njohur jo vetëm në Dedi, por edhe në mbarë Shalën e gjetiu për mikpritje, bujari dhe autoritetin që e gëzonte nga e kaluara deri në ditët e sotme.
Prindërit e kishin pagëzuar me emrin, Avni, sepse iu pëlqente emri dhe shëmbëlltyra e pa shoqe e patriotit, Avni Rrustemi dhe kjo u dëshmua në kohën, kur Avni Dedia u radhit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Fëmijërinë e kaloi në gjirin familjar si të gjithë fëmijët tjerë, ndërsa kur i mbushi shtatë vjet filloi mësimet e para në shkollën e fshatit (një shtëpi private e destinuar për shkollë). Më vonë vazhdoi mësimet në shkollën amë, tetëvjeçaren në fshatin Zabërgjë.
Ishte shtathedhur, i edukuar si duhet, i sinqertë dhe i dashur për shokët.
Shkollën fillore e kreu me sukses të shkëlqyer, duke qenë nën ndikim të ideve kombëtare të viteve ’80-të të shekullit të kaluar.
Pastaj mësimet i vazhdoi në shkollën teknike “Boris Kidriç” në Mitrovicë edhe pse në rrethana të vështira ekonomike e përfundoi me sukses.
Pas përfundimit të shkollës së mesme në mungesë të kushteve ekonomike nuk pati mundësi t’i vazhdojë studimet. Familja me shumë anëtarë e Rasim Shabanit nuk kishte asnjë burim të ardhurave. Vëllezërit e Avniut i kishin larguar nga puna dhe ishin dënuar me nga 2 muaj burg, të akuzuar nga regjimi se kishin bojkotuar punën, në Trepçë.
Këto rrethana të krijuara nga pushteti okupues serb edhe më shumë ia vështirësuan jetën Avniut, por edhe atyre furtunave u bëri ballë duke punuar punë të ndryshme vetëm për të mos ia shtrirë dorën askujt.
Në shtator të vitit 1991 merr thirrje për të shkuar në shërbimin e detyrueshëm e të dhunshëm ushtarak serb, të cilin e urrente.
Me 16 shtator 1991 Avniu dërgohet në radhët e Ushtrisë Jugosllave, në Travnik të Bosnjës e Hercegovinës. Aty filloi një jetë e re për të në kushte dhe rrethana krejt të padurueshme, në radhët e një ushtrie okupatore e cila po i përgjakte popujt jo serbë, në ish Jugosllavi.
Dy muaj më vonë e dërgojnë në Slloveni si njësi plotësuese, vetëm pse ishte shqiptar, ndërsa në nëntor e dërguan, në Vukovar të Kroacisë.
Si ushtar i dalluar në stërvitje në artin luftarak e dërgojnë në njësitin për reagime të shpejta dhe atje qëndroi plot tre muaj duke përjetuar tmerret e luftës dhe barbaritë që i bënte ushtria kundër popullatës civile kroate.
Avniu ashtu sikur edhe shumë shqiptarë të tjerë dezerton nga ushtria okupatore dhe kthehet në vendlindje, por policia serbe vazhdon ta gjurmojë, meqë konsiderohej se kishte dezertuar nga ushtria.
Pas një kohe vendosi që të shkonte në Gjermani te axha i tij, por rruga ishte e rrezikshme dhe i kushtonte. Rrugës për në Hungari dhe aty bie në pusi të rojës kufitare dhe mbajnë tri javë në burg. Pasi e lirojnë nga burgu kthehet në vendlindje.
Në vitin 1995 Avniu fejohet me Zaden, të bijën e vetme të Muharrem Elezit nga fshati, Cerajë dhe pas një viti martohet me të.
Në paraqitjen e njësitit të parë të UÇK- së, në fshatin Zabërrgjë, më 18 prill 1998 për rajonin e Shalës, iu bashkohet radhëve të çlirimtarëve i pari nga fshati Dedi së bashku me 12 shokë dhe kushërinj.
Ishte data 15 maj 1998 kur veshi uniformën shumëngjyrëshe të UÇK-së, në fshatin Zabërrgjë. Aty qëndroi për një kohë të shkurtër duke i mësuar dhe duke i stërvitur ushtarët që vinin për herë të parë, sepse kishte njohuri të mjaftueshme ushtarake
Me 15 gusht 1998 ai transferohet nga Zabërrgja në Mazhiq, meqë atje kërkoheshin përforcime me rastin e sulmeve, që kishte ndërmarrë ushtria serbe nga objekti ushtarak, në fshatin Kutllovc.
Avniu në Mazhiq gjeti edhe shokë tjerë. Aty ishte edhe komandanti i Batalionit, Ajet Bajrami, i cili rrëfen për trimërinë, guximin dhe vendosmërinë që tregoi Avniu deri në ditën e flijimit.
Në Mazhiq qëndroi plot një muaj dhe çdo herë ishte në vijën e parë të frontit.
Dëshira e tij dhe e shokëve për fitore ishte më e madhe se armatimi i ushtrisë serbo-sllave. Ofensivën e madhe që e mori armiku ndaj popullit të Shalës e veçanërisht në Mazhiq me 15 shtator 1998, në betejën që u zhvillua te “Shkoza e Madhe” armiku përdori armatimin e të gjitha llojeve. Granatimet nga minahedhësi nuk kishin mundësi për t’u mbrojtur, kështu nga mina e cila ra afër istikamit të Avniut dhe shokëve të tij, nga shpërthimi i armës armike Avniu goditet për vdekje ndërsa plagosen rëndë: Fadil Hyseni, Sherif Rama, Hysni Haxha dhe Burim Idrizi të cilët tërhiqen nga fushëbeteja dhe dërgohen në spitalin ushtarak, në Bajgorë.
Avniu ishte dëshmori i parë i Brigadës 141 i Zonës operative të Shalës, i cili me gjakun e tij djaloshar e ujiti tokën e Kosovës.
Bashkëluftëtarët e tij si: Besi, Rexha, Emini, Zogu e të tjerë, bënë përpjekje për të ia marrë trupin por nuk kishin arritur, për shkak se serbët kishin forca shumëfish më të madha në luftime.
Lajmi për vdekjen e Avniut i pikëlloi të gjithë bashkëluftëtarët e tij, familjen, farefisin si dhe mbarë zonën e Shalës.
Varrimi ishte kryer me 20 shtator 1998, në varrezat e fshatit të lindjes, në Dedi, me përcjelljen e familjarëve, në praninë e shokëve të idealit e të luftës si dhe shumë bashkëvendësve nga Dedia dhe Shala.
Avniu, iu bashkua radhëve të dëshmorëve të këtij fshati: Rifat Rexhep Sadikut, Abit Dedisë, Habib Isufit, Sadri Shalës e Mursel Dedisë, të cilët luftuan për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.
Për merita dhe flijimin për atdhe, Avni Rasim Shabanin, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi e ka shpallur “Hero të Kosovës”. (Niman Nimani)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …