leoni

Kadri Veseli

Avokati i Kadri Veselit, ka paraqitur mocion, me anë të së cilit ka sfiduar juridiksionin e Gjykatës Speciale

Mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe PDK-së, Kadri Veselit, ka paraqitur mocion, me anë të së cilit ka sfiduar juridiksionin e Gjykatës Speciale mbi bazën se Ligji i Dhomave të Specializuara është “ultra vires” dhe ka shkelur thelbësisht parimin e ligjshmërisë, duke e kthyer Specialen në një gjykatë të jashtëzakonshme de facto, në krahasim me një të specializuar, që shkel nenin 103 (7) të Kushtetutës. Sipas mbrojtjes, Gjykata Kushtetuese nuk e ka shqyrtuar Ligjin e Dhomave të Specializuara  në vetvete, por amendamentin e  propozuar, i cili do të lejonte në një fazë të njëpasnjëshme Kuvendin të krijonte Dhomat e Specializuara.

“Me fjalë të tjera, ai vlerësim paraprak i fazës së Gjykatës Kushtetuese nuk ishte informuar nga niveli i juridiksionit të Dhomave të Specializuara në të ardhmen”, është thënë në mocion.

Sipas mbrojtjes, së dyti, askund as neni 162 i Kushtetutës, ose shkëmbimi i letrave ndërmjet ish-presidentes Atifete Jahjaga dhe ish-përfaqësueses së lartë të BE, Catherine Ashton nuk i referohet mundësisë që Dhomat e Specializuara do të funksiononin në bazë të një  ligji të zbatueshëm të veçantë.

“Përkundrazi, referencat e vetme kanë të bëjnë me çështjet procedurale dhe sigurinë se Rregullat e Provave do të udhëhiqen nga Kodi i Procedurës Penale i Kosovës”, është thënë më tutje në këtë mocion.

Mbrojtja e Veselit, pretendon se tani ekzistojnë arsye të arsyeshme që Paneli i Gjykatës Kushtetuese të rishikojë këtë gjetje.

“Larg nga të qenit një pyetje teorike, natyra e Dhomave të Specializuara  dhe përputhshmëria e juridiksionit të saj me Kushtetutën e Kosovës janë pengesa konkrete ligjore për të drejtat kushtetuese të z. Veseli për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, pa shmangie të jashtëzakonshme dhe arbitrare të procedurave të tilla si ato të caktuara në mocionet paraprake të mbrojtjes së z. Veseli për të sfiduar juridiksionin e Dhomave të Specializuara dhe aktakuzën”, është thënë në mocion.

Më tutje, mbrojtja i ka kërkuar gjykatësit të procedurës paraprake që t’ia referojë çështjen Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar nëse juridiksioni i Dhomave të Specializuara, përputhet me Kushtetutën e Kosovës.

Mbrojtja ka parashtruar se Dhomat e Specializuara janë de facto një gjykatë e jashtëzakonshme, në krahasim me një të specializuar, dhe se si rezultat, juridiksioni i saj shkel nenin 103 (7) të Kushtetutës. Sipas tyre, sipas Komisionit të Venecias, fakti që një gjykatë e themeluar për të gjykuar një numër të kufizuar çështjesh është një tregues i fortë se një gjykatë e tillë është, në fakt, e natyrës së jashtëzakonshme.

“Në rastin e Dhomave të Specializuara , Ligji shprehet hapur në Nenin 1 që qëllimi i tij është të ndjekë penalisht pretendimet e përfshira në Raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës 2011 të z. Dick Marty. Ligji për KSK-në nuk është as i përgjithshëm dhe as abstrakt. Është unike dhe e pashembullt në historinë e drejtësisë moderne penale që një i Akuzuar të jetë një nga arsyet e miratimit të Ligji”, është thënë në mocion.

Mbrojtja e Kadri  Veselit ka thënë se me fjalë të tjera, Dhomat e Specializuara janë krijuar posaçërisht për të ndjekur penalisht një sërë çështjesh të përcaktuara dhe për këtë arsye të të akuzuarve, përfshirë Veselin, ndër të tjera.

Po ashtu, mbrojtja e Veselit ka theksuar se Gjykata Speciale pretendon të jetë një gjykatë plotësisht vendase, megjithatë të gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe personeli i saj janë ndërkombëtarë.

“Procedura e emërimit të gjyqtarëve  jo vetëm që devijon nga procedurat normale të përcaktuara në Kapitullin VII të Kushtetutës, por gjyqtarët e KSK-së nuk kanë asnjë lidhje zyrtare institucionale me gjyqësorin kosovar”, është thënë në mocion.

Në fund të mocionit është thënë se mbrojtja e Veselit i kërkon gjykatësit të procedurës paraprake që urgjentisht ta referojë çështjen në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar nëse kjo gjykatë është kompetente për të gjykuar veprat penale të pretenduara kundër  Veselit në një proces të drejtë dhe të paanshëm, të lirë nga ndikimi i jashtëm politik i jashtëm , dhe bazuar në ligjin e brendshëm të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, është thënë në aktakuzë.

Më tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci./BetimipërDrejtësi/

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …