Avokati i Popullit

Avokati i Popullit ka publikuar Raportin me rekomandime drejtuar Ministrisë së Arsimit…

Avokati i Popullit ka publikuar Raportin me rekomandime drejtuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me, sikur thuhet, dështimin e këtij institucioni për të shqyrtuar brenda afateve të parapara ligjore, ankesën e  parashtruar nga pala, lidhur me shkarkimin nga pozita e Prorektores për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” në Prizren. Qëllimi i Raportit është tërheqja e vëmendjes së MASHT-it, lidhur me të drejtën e palës për t’u informuar për ankesën e parashtruar në maj 2015, kundër vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit, me të cilin është shkarkuar nga pozita e lartpërmendur. Avokati i Popullit në Raportin e tij, vëren se, zvarritja e procedurës ka ndodhur si pasojë e dështimit të MASHT-it, për të trajtuar ankesën e ankueses ashtu siç e parasheh Ligji për Procedurën Administrative.

 

Për më tepër, në Raport konstatohet se, Komisioni për Parashtresa dhe Ankesa i MASHT-it, përsëri në kundërshtim me LPA, trajton ankesën e palës si ankesë të ushtruar në emër të saj nga ana e Avokatit të Popullit. Në analizën ligjore në këtë Raport qartësohet se Avokati i Popullit nuk është palë dhe as përfaqësues i palës që ankohet dhe nuk përpilon parashtresa në emër të palëve e as nuk i përfaqëson ata në procedurat gjyqësore apo administrative. Së këndejmi, Avokati i Popullit saktëson se mos përgjigja e ministrisë, si dhe akti administrativ me të cilin Komisioni për Parashtresa dhe Ankesa e shpall veten jo kompetent për trajtimin e lëndës, i është drejtuar gabimisht Avokatit të Popullit, në vend se t’i drejtohet palës në këtë raport juridiko – administrativ, duke rënë në kundërshtim të plotë me nenin 18, paragrafi 1 të LPA nr.02/L-28, i cili shprehimisht precizon ; “ a) organi i administratës publike, të cilit gabimisht i drejtohet kërkesa, brenda 2 ditësh pune nga dorëzimi i kërkesës, merr vendim me anë të të cilit konstaton jo kompetencën nga ana e tij për çështjen”.

Ligji për Arsimin e Lartë, e po ashtu edhe Statuti i UPZ, parashohin që ankesa fillimisht duhet t’i drejtohet ministrisë, e pastaj një gjykate kompetente, prandaj pala me të drejtë i është drejtuar MASHT-it për shqyrtimin e rastit, përderisa MASHT-i nuk e ka trajtuar ankesën, duke e hedhur përgjegjësinë tek Komisioni për Parashtresa dhe Ankesa dhe për pasojë, palës i është mohuar realizimi i të drejtës, me zvarritje të paarsyeshme të procedurës për shqyrtimin dhe vendosjen e lëndës. Avokati i Popullit thekson se e drejta e palës për një proces administrativ, pa zvarritje është e garantuar edhe me LPA, ku saktësohet afati kohor prej 30 ditësh i shpalljes së akteve administrative. Fakti se pala në fjalë, edhe pasi kanë kaluar afër 18 muaj, ende nuk ka marr përgjigje, dëshmon për shkelje të së drejtës, të garantuar me kushtetutë dhe ligj. Kjo përbën po ashtu shkelje të standardeve të vëna ndërkombëtare, specifikisht Nenit 6, në lidhje me nenin 13, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Duke  e theksuar se zvarritja dhe jo-efikasiteti i procedurave sjellin në situata që janë në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit, parim ky i sanksionuar me aktet më të larta ligjore si dhe instrumentet ligjore ndërkombëtare, që autoritetet e Kosovës kanë për obligim t’i respektojnë pa përjashtim, Avokati i Popullit i rekomandon MASHT-it që të garantojë shqyrtimin e ankesave për të gjitha palët, brenda një afati të arsyeshëm kohor; Të shpallë të pavlefshëm aktin administrativ të nxjerrë nga Komisioni për Parashtresa dhe Ankesa, si dhe, në pajtim me ligjet në fuqi, për rastin konkret, të  nxjerr akt administrativ në bazë të Ligjit për Procedurën Administrative.

Kontrolloni gjithashtu

Forumi Ndërkombëtar i Sigurisë në Halifax të Kanadës, synon forcimin e bashkëpunimit strategjik midis vendeve demokratike

Forumi Ndërkombëtar i Sigurisë në Halifax të Kanadës, synon forcimin e bashkëpunimit strategjik midis vendeve demokratike

Forumi Ndërkombëtar i Sigurisë në Halifax të Kanadës, synon forcimin e bashkëpunimit strategjik midis vendeve …