Azem Breznica: Hafizi që i zmbrapsi bullgarët nga Prishtina

Adem Breznica: Hafizi që i zmbrapsi bullgarët nga Prishtina

Hafizi që i zmbrapsi bullgarët përtej Prishtinës

Beteja e Lisicës (1941/42) shënon zmbrapsjen e depërtimit të mëtejmë bullgar nga Lindja në drejtim të Prishtinës dhe Rrafshit të Kosovës, ndërkohë që Bullgaria, si aleate e nazi-fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, kërkonte “hisen” e vet në trojet shqiptare.

“Luftën kundër bugarit” e kishte drejtuar me sukses të plotë Hafuz Imeri (Ymer Gërguri) i Bellaqevcit (Bardhi i Madh). Ashtu siç është përcjellë në gojëdhënat popullore në Gollak, Anamoravë dhe Rrafsh të Kosovës, Hafuzi (hafizi) kishte arritur të mobilizonte një grup të konsiderueshëm vullnetarësh shqiptarë nga fshatrat Bardh, Miradi e Lismir si dhe Prapashticë e fshatrat e tjerë të Prishtinës e Gollakut, duke formuar një çetë të konsoliduar e cila do ta vendoste fatin e qytetit të Prishtinës dhe Rrafshit të Kosovës, nëse kjo zonë do të administrohej nga Bullgaria apo nga Mbretëria Shqiptare, që asokohe ishte bërë pjesë e protektoratit perandorak të Italisë.

Duke qenë se bullgarët konsideroheshin të egjër, të dhunshëm, plaçkitës e zullumqar, që shqiptarëve u mohonin edhe të drejtat më elementare njerëzore, dhe për këtë kishte dëshmi jo shumë të largëta kohore, hafizi me çetën e tij ngarendi që t’u prente përparimin e mëtejmë forcave bullgare dhe t’i mbante ato sa më larg Prishtinës, e cila prej shumë kohësh ishte qendra kryesore tregtare e Rrafshit të Kosovës (edhe sot e kësaj dite rruga kryesore, përmes pjesës së vjetër te fshatit Bardh, mbanë emrin “Udha e Shehrit”, gjë e cila tregon rëndësinë e lidhjeve me Prishtinën).

Mësymja bullgare për të marrë Prishtinën kalonte përmes Prapashticës, gjegjësisht futjes nën kontroll të Majës së Lisicës, kodër kjo, në malin me të njëjtin emër, nga e cila do të kontrollohej dhe mbikëqyrej Prishtina.

Mirëpo, mësymja drejt Prapashticës ishte shndërruar në ferr për trupat bullgare, sepse ato hasen në çetën e Hafuz Imerit të pozicionuar mirë në Prapashticë e Lisicë. Trupat bullgare “u korren”, ashtu siç është përcjellë në traditën gojore, nga prita e hafizit, i cili kishte vënë një disiplinë strikte ndër vartësit e tij. Në një fragment të rrëfimit popullor thuhet se disa ushtarë të çetës i kishte kapluar paniku, kur kishin parë ushtarët e shumtë bullgarë duke hyrë në Prapashticë, dhe për pasoj kishin filluar të zmbrapsen duke dashur të iknin dhe ta linin frontin. Mirëpo, hafizi iu kishte përgjigjur me breshëri mamzeri para këmbëve të tyre duke ju thënë se plumbat e anmikut kishin për t’i kapur nga prapa dhe se kush vdiste i qëlluar në ikje pas shpine shkonte pa dinë e pa iman. Kjo këmbëngulje e drejtuesit të çetës i kishte bërë ushtarët shqiptarë që të qëndronin në pikat e tyre dhe kështu ata e mbrojtën me sukses kodrën e Lisicës dhe Prapashticën duke e shpartalluar divizionin bullgar…

Jo vetëm kaq por, siç ka treguar Bajram Hajdin Breznica, nga fshati Bardh i Madh, i cili kishte marrë pjesë në këtë betejë, për të ngritur moralin luftarak të ushtarëve hafizi sulej i pari dhe gjuante mbi armikun duke qëndruar në këmbë, pa u shtrirë. Kur në një rast ushtarët i kishin thënë se mund të qëllohej ashtu i ekspozuar, hafizi ua kishte kthyer se atë nuk ka plumb armiku që mund ta kapë, por edhe nëse e zinte plumbi, ai do të ishte i kënaqur se është goditur në gjoks e jo pas shpine dhe si i tillë do të binte dëshmor (shehid). Në këtë mënyrë hafizi iu dha edhe më tepër zemër luftëtarëve të tij duke i bërë edhe më të qëndrueshëm përball ushtrisë bullgare, pavarësisht se kjo e fundit ishte e armatosur rëndë dhe bombardonte pareshtur me artileri.

Sipas po këtij protagonisti, humbjet e armikut ishin aq të rënda sa që kur ishin tërhequr këmbësoria e mbetur bullgare, vija e tyre mbështetëse e artilerisë kishin lënë mbrapa 40 topa, të cilët ushtria e hafizit i shtinë në duar por që detyrohen t’ua dorëzojnë italianëve për faktin se para braktisjes ato armë të rënda ishin amortizuar nga bullgarët duke ua hequr gjilpërat ndezëse.

Luftëtarë të tjerë të dalluar të kësaj beteje, që kanë lënë gjurmë apo dhe kanë përcjellë rrëfime autentike, e që deri më tani kemi arritur t’i identifikojmë, ishin edhe Bahtir Sheqë Breznica e Idriz Sheqë Breznica nga fshati Miradi e Epërme, Ahmet Dragusha, Bajrush Kostanica, Bajram Breznica, Salih Kolludra, nga Bardhi i Madh, Ali Tërnava nga fshati Lismir, ?? Bytyqi nga Sllatina, Alush Sokol Krasniqi, Dalip Hajdin Krasniqi, Fazli Krasniqi, Rexhep Sfarqa, Feriz Krasniqi, nga fshati Bardh i Vogël, si dhe Rexhep Lushaku nga Prishtina. Ajo që vë theksin më të madh tek rreptësia e kësaj beteje është se luftimet ishin zhvilluar për më tepër se një javë dhe, megjithëse fitimtare, në të ranë dëshmorë dy luftëtarë të denjë nga fshati Bardh i Madh: Ahmet Dragusha dhe Bajrush Kostanica. Sigurisht, në një luftë të tillë kishte dhe dëshmorë të tjerë. Rasti më i rëndë kishte qenë kur një gjyle topi bullgar kishte goditur në kuzhinën e improvizuar, me ç’rast kishte vrarë një numër më të madh të luftëtarëve.

Siç mund të vërehet, lufta dhe rezistenca e çetës së Hafuz Imerit e bëri të pamundur depërtimin bullgar në zonat më të thella të Kosovës, dhe Prishtina mbeti nën zonën italiane të viteve pasuese të Mbretërisë Shqiptare. Se sa e rëndësishme ishte mbrojtja e Prapashticës dhe prerja e depërtimit bullgarë në zonën e Rrafshi të Kosovës e tregon më së miri gjendja e tmerrshme e popullsisë shqiptare në pjesën veri-lindore të Shqipërisë etnike që kishte mbetur nën pushtimin bullgar. Në ato zona ishin të ndaluara të gjitha aktivitetet me karakter kombëtar, duke përfshirë përdorimin e flamurit shqiptar si dhe hapjen e shkollave shqipe; ndërkaq në zonën italiane të Mbretërisë Shqiptare, pra edhe në zonën e Prishtinës që e mbrojti me aq këmbëngulje dhe sakrificë Hafuz Imeri me çetën e tij, shkollat shqipe dhe aktivitetet e tjera kombëtare lulëzuan deri në atë shkallë sa që, në periudhën e pasluftës, regjimi jugosllavë e pat të pamundur ta kthente gjendjen mbrapa.

Në këtë mënyrë, suksesi i Betejës së Lisicës e ka bërë hafizin një komandant real, të vendosur dhe të suksesshëm në stopimin e ambicieve bullgare, ndërkaq në popullatën e Rrafshit të Kosovës emri i tij është përcjellë si një legjendë e cila nuk mund të fshihej dot nga rrëfimi. Pikërisht për këtë arsye, në vitet e pasluftës, Hafuz Imeri, nuk ishte parë kurrë me sy te mirë nga UDBa duke u konsideruar armik i mundshëm e potencial edhe kundër Serbisë e Jugosllavisë komuniste. Në vazhdën e rrënimit të autoritetit të tij, edhe pse plak, hafizi ishte përndjekur dhe burgosur duke u mbajt për ditë të tëra në bodrumin-qelinë e mbushur me ujë të stacionit të xhandarmërisë në Bellaqevc, duke e dëmtuar shëndetin e tij. Në gjendje të rënd, hafizi lirohet nga burgu nën vëzhgimin e vazhdueshëm deri në rënien e Rankoviqit.

Pas vitit 1966/67, ai më në fund dëshiron ta bëj realitet një pjesë të ëndrrës së tij jetësore – shkuarjen në haxh. Hafizi ishte pjesë e grupit të dytë të pelegrinëve nga Kosova kur, pas rënies së Rankoviqit, iu lejua shqiptarëve të vizitonin Qabenë. Ëndrra e tij u realizua. Meqë në luftë nuk e pati fatin të binte, ai vdiq dëshmor në vendet e shenjta…

***

Ymer Gërguri nuk ishte hoxhë por kishte mësuar Kuranin përmendsh dhe për këtë arsye iu dha titulli hafuz (hafiz). Përndryshe ai ishte i biri i mulla Osmanit dhe nipi i mulla Aliut. Gjithashtu Hufuz Imeri kishte të birin – Hasimin dhe nipin – Dautin, hoxhë, ky i fundit njëherësh ishte edhe jurist i diplomuar. Për këtë arsye, edhe pse kanë mbiemrin Gërguri, familjet e tyre, në shenjë respekti, janë quajtur Hoxholl-Hoxhaj dhe ashtu quhen edhe në ditët e sotme.

Hafuz Imeri, dhe familja e tij, veç përshkrimit të cekur si më lartë, ka një bagazh edhe më të gjerë kombëtar, fetar e emancipues.

Ai, sikurse dhe babai e i biri, ishin në krah të organizimeve patriotike e atdhetare, me para dhe vetën e tyre. Veç gatishmërisë për të luftuar në çështjet e interesit kombëtar, Hoxhajt kanë dhënë një kontribut të madh edhe financiar në të gjitha kauzat. Hafizi ishte një përkrahës i madh i Azem Jashanicës, dhe luftëtarëve të tjerë të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare – LNDSH (Dan Berishës, Ramiz Qyqallës, Sylë Berishës etj.) kundër Serbisë, si dhe kishte kontribuar në strehimin dhe fshehjen e Azemit nga përndjekja e UDBsë. Kjo ishte edhe një prej arsyeve pse ai u dërgua në qeli. Një sekuencë domethënëse lidhet dhe me gjyshin tim, Bajram Breznicën, të birin e Mulla Hajdin Fazli Breznicës, intelektualit të parë të asaj zone, që kishte diplomuar në Universitetin e Stambollit në vitet ’90 të shek. XIX.

Pas hyrjes së partizanëve, dhe në vazhdën e shtypjes së kryengritjes shqiptare kundër Jugosllavisë komuniste, Azem Jashanica – Bellaqevci detyrohet të strehohej në familjet e tjera në fshatin e vet dhe jashtë tij. Ndër ato familje që e kishin strehuar qenë edhe familja e Gërgurve, Breznicëve, Sogojevëve, Tërnavëve etj. Kur më nuk i kishte mbetur vend për strehim në rrethinën e tij, Azemi detyrohet të largohet akoma më larg. Për t’i ikur gjurmëve të UDBës, Azemi strehohet në Llap tek dajat e babës së tij Behës, njëkohësisht dhe dajat e Bajram Breznicës – Babatincët. Mirëpo, shërbimi inteligjent serb më në fund i bie në gjurmë ku gjendej dhe kush e strehonte. Prandaj një njësi udbashësh e marrin vesh se familja që kishte lidhje afërsie me Azemin, jashtë familjes “lëçitëse” Jashanica (familjet e të përndjekurve duheshin shtirë lëçitës për t’iu shpëtuar torturave të pushtetit serb), ishte familja Breznica, gjegjësisht familja e Bajramit, i cili ishte tezak (djalë tezeje) i Behës (babës së Azemit). Xhandarmeria serbe shkojnë në shtëpinë e Bajramit dhe e pyesin se ku ishte Azemi dhe kush e strehonte atë. Ai u ishte përgjigjur se e kishin ngatërruar adresën dhe se Azemi ishte nga fisi tjetër e jo na fisi i tij. Ata ia kishin bërë të qartë se dinin çdo detaj dhe se e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar “përgjegjësisë” dhe torturave që rridhnin nga “mosdija” ishte të shkonte në Podujevë dhe t’i thoshte Azemit të kthehej dhe se pushteti do ta falte nëse ai do të dorëzohej. Bajrami ishte përpjekur t’i ikte këtij detyrimi duke u thënë se nuk kishte me se të shkonte aq larg dhe se kishte një familje që e mbante i vetëm pa vëllezër. Xhandarmeria ia bëjnë me dije se pikërisht refuzimi për të shkuar tek Azemi do ta rrezikonte atë dhe familjen e tij, ndërkaq për të shkuar në Podujevë e kishin detyruar të merrte atin (kalin e shalës) e Hafuzit. Ato ditë Bajrami diskuton me hafizin dhe ai e këshillon të mos refuzonte, përkundrazi të shkonte e të qëndronte disa ditë tek dajat, në mënyrë që të humbte tragë, si dhe t’i thoshte Azemit të largohet në një strehim tjetër. Gjyshi merr atin e hafizit dhe shkon tek dajat e tij, Babatincët në Podujevë. Aty e takon Azemin dhe ia përcjellë ofertën kërcënuese të UDBës dhe njëkohësisht këshillën e hafizit. Azemi ia rikonfirmon se nuk dorëzohej për së gjalli dhe i thotë ta ndiqte këshillën e hafizit për qëndrim tre ditorë në Podujevë, ndërkaq kur të kthehej t’iu thoshte xhandarmërisë se nuk e kishte takuar dhe as parë Azemin, edhe pse disa ditë kishte qëndruar në Llap për këtë qëllim.

Pas këtij sinjali, Azemi strehohet edhe për gati dy vite të tjera gjithandej nëpër Kosovë, derisa vritet në fshatin Prapashticë duke refuzuar dorëzimin. Ndërkaq, për fajin e strehimit dhe fshehjes së gjurmëve të Azemit, por edhe për faje të tjera kundër pushtetit (kundërshtimit të pritjes së Fadil Hoxhës si dhe kundërshtimit të kooperativizmit), hafizi dënohet me vuajtje burgu në qeli, ndërkaq Bajrami, së bashku me një grup përgjegjësish të fshatit, duke marrë shkas sidomos nga kundërshtimi i hapur ndaj shtrirjes së kooperativës, dërgohen për punë të detyrueshme në maden (minierë thëngjilli) të Hadës…

Post Scriptum:

Në përpilimin e këtij shkrimi jam mbështetur në rrëfimet e familjeve: Gërguri, Jashanica, Breznica, Sogojeva, Bajçinca, Tërnava, Podvorica, Babatinca, Govori, Lushaku, Kolludra, Krasniqi.

/Adem Breznica, profesor i historisë/

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …