leoni

Azem Deliu: Ja pse nuk pajtohem me z. Shvarc për Kadarenë dhe krijimtarinë e tij

Kisha vendosur që për njëfarë kohe të mos shkruaja publikisht për Kadarenë, sepse nuk ishte në interesin tim publik, të merresha si servilist i tij. Por reflektimi i Stephen Schwartz ndaj Kadaresë më shtyu që ta thyej këtë parim dhe të kunderpërgjigjem seriozisht duke dashur të argumentoj krejt të kundërtën e pretendimeve të tij.


 


Z.Schwartz tha në intervistën e tij mes të tjerash se: Kadare mundohet ta paraqesë veten si disident, shkruan noveleçka që janë të vlefshme vetëm për lexime pushimi, është i vdekur dhe i paaftë për të çuar më shumë pluhur prandaj do të harrohet shpejt dhe me meritë, dhe kryesorja, puna e tij është shumë e dobët (Ka shkruar edhe ca marrëzi tjera, me të cilat s’kam asnjëfarë vullneti të merrem). Këto pohime, do t’i hedhim poshtë një e nga një, pasi janë tendencioze, dhe, për shumicën prej tyre edhe ai vet e di se nuk ka të drejtë.


 


E para: Kadare mundohet të paraqesë veten si disident.


 


Në këtë rast do t’i lutesha Z.Schwartz që të më gjente diçka që e ka shkruar Kadare (e kam fjalën për shkrim të Kadaresë, jo për interpretime idioteske të të tjerëve për prezentimet e tij) ku ai e shprehë veten si disident. Përkundrazi, ndonëse një pjesë e mirë e veprave godasin alegorikisht sistemin, ka qenë vet Kadare ai i cili e ka mohuar një gjë të tillë. Kadare ka thënë: Unë nuk jam disident dhe, nuk kishte “disident klasik” në kohën e Hoxhës në Shqipëri. Pra, pavarësisht se ju mund të mos jeni emocionalisht i përgatitur, pohimi juaj i parë, del komplet jashtë loje me këtë deklaratë, të cilën Kadare e ka përsëritur jo-rrallë.


 


E dyta:Kadare shkarravit noveleçka që janë të vlefshme vetëm si lexime pushimi.


 


Më falni, por, a nuk janë këto noveleçkat e shkarravitura e të pavlera të përkthyera në më shumë se 40 gjuhë të botës? A nuk janë po këto të vlerësuara lartë e më lartë nga kritika botërore? Nuk besoj se do të shkoni aq larg sa të na pohoni se edhe kritikët e rangut botëror që e vlerësuan kaq lart artin e Kadaresë, janë të pavlerë, dhe vlerë të mirfilltë na prezentoka vetëm opinioni juaj. Si ka mundësi që një shkrimtar që “shkarravit noveleçka” të merret si vlerë globale dhe të nominohet çdo vit për Nobelin e letërsisë (për të cilin tashmë dihet që arsyet e mosmarrjes nuk janë letrare)? Si mundet që një “shkarravitje” e tillë të rezultojë me krijimin e njërës prej veprave më të kompletuara të shekullit të kaluar? Pra, megjithë keqardhjen, më duhet t’u dëftoj se edhe pohimi juaj i dytë, është i pavlefshëm, i pasaktë dhe tendencioz.


 


E treta: Kadare është i vdekur dhe i paaftë për të çuar më shumë pluhur, prandaj do të harrohet shpejt dhe me meritë.


 


Vepra e Kadaresë gjatë sistemit komunist (sistem në të cilin u krijua) u lexua dhe u përshtat mjaft mirë edhe me botën e lirë, duke dhënë kështu, një prej provave që i kërkohen një shkrimtari të tillë. Ajo provoi se ndonëse u shkrua nën një sistem, ishte e aftë t’i përshtatej edhe sistemit tjetër, dhe njëkohësisht të lexohej e të nxirrej ana tjetër e kësaj vepre. Ju e kuptoni besoj se çdo të thotë kjo: Nuk kemi ndonjë arsye të qartë sipas të cilës do të besojmë se ajo vepër që u shkrua në komunizëm dhe i’u përshtat demokracisë (flasim për dy sisteme krejt të ndryshme) nuk do t’i përshtatet edhe sistemit tjetër që mund të vijë ne botë pas demokracisë. Kjo përshtatje na jep mesazhin e qartë se vepra e Kadaresë do të jetojë gjatë. Dhe kjo, pa pasur nevojë që ta them unë, e bën edhe konkludimin tuaj të radhës, të pasaktë dhe rrjedhimisht edhe të pavlefshëm.


 


E fundit: Puna e tij është shumë e dobët.


 


-Të thuash:”Puna e tij është shumë e dobët” është sikur të thuash:”Ai s’ka vlerë artistike”. Dhe këtu do të ndalemi. Ky pohim s’ka nevojë për argumente të shumta për t’u hedhur poshtë. Mbi çfarë teorie, apo thënë më mirë, pseudoteorie Z.Schwartz ngrit një pohim të tillë? Në këtë rast do ta ftoja atë publikisht, që përveç “Dasmës” të zgjedhë cilëndo vepër të Kadaresë (qoftë edhe nëse ajo është vepra e vetme që ka lexuar), dhe jam i gatshëm për debat publik mbi veprën në fjalë. T’i shohim parimet botërore mbi të cilat një vepër është e vlefshme si art apo s’është e vlefshme ndryshe veçse si lexim pushimi, dhe të gjykojmë sipas materialit që na dhurohet në vepër. Tek po shkruaj këto radhë, unë e di që Z.Schwartz nuk do ta pranojë ofertën time. Nuk e kam të vështirë ta marr me mend as justifikimin e tij, të tipit:”Unë nuk merrem me adoloshentë”. Fort e saktë që unë jam vetëm 17 vjeç, por, dyfish rëndues fakti që edhe një 17 vjeçar jo aq i aftë si puna ime, ka arritur të shohë, atë që Z.Schwartz e sheh, por bëhet i verbër para saj. Më lejoni që në fund fare, duke ju kërkuar ndjesë që hodha poshtë një e nga një pohimet tuaja, ta mbyll me kaq këtë artikull, duke pritur me padurim hapjen e debatit që e kërkova më lart.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …