Azem Galica

Mehmet Bislimi: Azem Galica (1889 -1924), atdhetar dhe prijës i çetave çlirimtare kundër okupimit serb të trojeve shqiptare

Azem Bejtë Galica është ndër luftëtarët më të njohur popullorë, i cili tërë jetën e tij në moshën më të mirë ia kushtoi luftën për çlirim dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Ai me bashkëluftëtarët dhe bashkëshorten e tij Qerime Halil Radisheva e mbiquajtur “Shote Galica” për 12 vjet rresht luftoi kundër regjimit të Nikolla Pashiqit dhe mbajti gjallë idealin për liri dhe bashkim kombëtar.

Azemi,  ishte i biri i Bejtë Galicës. Lindi në fshatin Galicë të Drenicës në vitin 1889. Rrjedh nga një familje bujare me një traditë të trashëguar të atdhetarisë brez pas brezi. Azemi qysh si i ri, duke dëgjuar nëpër odat tona për bëmat e trimave të kohës si: Ahmet Delisë, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit e shumë të tjerëve të cilët po përpiqeshin për një organizim të mirëfilltë mbarëpopullor në luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ai e kuptoi më së çartë fillim e kësaj rrugë, andaj pa hezitim e me përkushtim iu bashkëngjit kësaj lëvizje. Azemi së bashku me shokë së pari formuan çetat e rezistencës, radhët e armatosura e më pastaj kjo Lëvizje mori përmasat e kohës që veproi dhe u njoh tërë kohën si Lëvizja antiserbe e Kosovës, të cilës në fillim i priu Shaqir Smaka i Kastriotit të Drenicës. Pas rënies së Shaqir Smakës, për 12 vite me radhë forcave çlirimtare të Kosovë iu prinë Azem Bejtë Galica.

Me kalimin e kohës, Lëvizja antiserbe në Kosovë u masivizua dhe u bë gjithëpërfshirëse, ndërkohë që Azemi njihej si krye Komandant i të gjitha çetave nën emrin e të cilit luftohej kundër pushtuesit serb, në të njëjtën kohë në shumë pjesë të Kosovës. Azem Bejta para së gjithash, këtë e arriti me autoritetin dhe trimërinë e tij mbështetur fuqishëm nga shokët të tij. Ai me çetat e Drenicës si të thuash ishte bosht i kësaj Lëvizje i cili mbante lidhje të forta më krerët më përparimtare të kohës si: Hoxhë Kadrinë, Hasan Prishtinën, Bajram Currin e të tjerë. Ishte një Lëvizje e masave të gjëra popullore, sepse mbronte interesat dhe aspiratat tona të përgjithshme për liri e bashkim kombëtar. Nga vitet 1920- të Lëvizja antiserbe e Kosovës kulmoi duke u bërë e vetmja forcë reale çlirimtare. Qeveria e Beogradit u shtrëngua që të mos kursej forcat e veta të xhandarmërisë për të asgjësuar Azemin dhe bashkëluftëtarët e tij. Lëvizja e liridashësve të Kosovës kishte orientim demokratik, për këtë meritën më të madhe pa dyshim se e kishte Komiteti i Kosovës dhe personalitetet që drejtonin atë.

Krahas luftërave të një pas njëshme që Azemni i bënte kundër pushtuesit Serb, ai dënonte rëndë edhe “hafijet” të cilët po i shërbenin pushtuesit. Këtë Azemi edhe e kishte zbatuar në disa raste, duke i dënuar bashkëpunëtorët e pushtuesit. Në një rast ai kishte dënuar një të tillë që ishte bashkëpunëtor i Kost Peçancit. Azemi kishte marrë të dhëna të sakta se me 29 janar të vitit 1919, Kostë Peçanci,  me një tog xhandarësh të regjimentit 21 të divizionit të Prishtinës, do të shoqërohej nga një hafije shqiptar, të cilët do të shkonin në drejtim të Pejës, duke kaluar nëpër Runik. Azemi Bejta me shokë i vunë pritë këtij divizioni, duke e vrarë hafijen shqiptar, dhe duke lënë të vrarë po ashtu edhe 29 xhandar Serb. Ky është vetëm një episod nga dhjetëra e dhjetëra luftëra e përleshje të Azem Bejtës kundër forcave të armatosura e pushtuese Serbe.

Azem Bejta bashkëpunonte ngushtë me shokët e tij që drejtonin masat popullore në krahinat të tjera të vendit si me Sadik Ramën e Gjurgjevikut, Hasan Ferrin nga Plava, Isuf Mehanin e Sanxhakut, Adem Ilazin e Reçakut, Idriz Seferin Moravë-Gjilan, Kalosh Danin e Kërçovës etj.

Besohet se në maj të vitit 1919 Azem Bejta, kishte pas veti rreth 8.000 deri 10.000 luftëtarë. Një pjesë syresh në aksionet e para prenë lidhjet telefonike të Mitrovicës me rrethe tjera. Më 12 maj të vitit 1924, Pashiqi ishte për vizitë në Francë dhe atje e alarmojnë nga Beogradi me anë të telegram se: “ Popullata e Drenicës me në krye Azem Bejtën janë ngritur në kryengritje dhe çdo hap për të ndërruar diçka, është i kotë!”… Kryeministri Pashiq i kthen telegramin Qeverisë së tij, ku thuhej: “të merren të gjitha masat për ta shtypur popullin shqiptar të rebeluar!”. Këtu shihet qartë se qeveria serbe me këtë dëshironte të godiste me të gjitha mjetet e veta luftarake kokën e Lëvizjes antipushtuese serbe të Kosovës me në krye Azem Bejtë Galicën.

Azem Bejtën, hordhitë serbe e rrethuan disa herë me qëllim për ta likuiduar si në: Abri, Radishevë, Kotorr, Çiçavicë etj. Por Azemi gjithherë doli fitimtar. Veçojmë rrethimin që ju bë më 1920 në muajin shkurt në fshatin Gradicë. Një rrethim i hekurt, luftë e ashpër që filloj herët në mëngjesin e asaj dite nga forca të mëdha xhandarmërish serbe rreth 500 veta. Nga ana tjetër; Azemi me Mehmet Delinë e Radishevës, Fazli Beranin, Ajet Çaushin e dhjetëra shokë të tjerë rezistuan tërë atë ditë të ftohtë shkurti, madje duke i lënë të vrarë armikut rreth 30 ushtarë. Azemi me shokë çau rrethimin duke i mbetur një bashkëluftëtar i vrarë, por edhe disa të tjerë të plagosur. Me veprime të matura e të vendosura, Azemi arriti që palën serbe ta bindi se ka të bëj me një forcë reale me të cilën duhet biseduar e dialoguar, pasi që me forcë nuk e shtypën dot. Si rezultat i tërë kësaj u njoh zona e lirë e Drenicës që nga populli atë kohë u quajt: “Arbëria e Vogël”, kjo marrëveshje ndodhi në qershor të atij vit, madje kishte edhe një mori zonash të tjera të lira si ajo e Junikut, Hasit etj.

Si gjithmonë, edhe kësaj radhe pushtuesi serb veproi me prapaskenë: Kushtet e marrëveshjes mbi “zonat e lira” ishin që prijësit të merreshin me qetësimin e rendit, që të mos merreshin me aksione të armatosura, që të respektohej marrëveshja mbi “paqen e zonave të lira” etj. Autoritetet e Beogradit si Neshiq e Vujqiq u munduan që me dredhi të bisedojnë edhe me udhëheqësit e tjerë të çetave si me Mehmet Delin, Fazli Beranin etj. Por pa sukses. Gjatë kësaj kohe Azem Bejta ngriti edhe kullën në Galicë dhe deri diku respektoj marrëveshjen mbi atë “paqe”… Edhe përkundër këtij pasiviteti të çastit, Azem gëzonte autoritet të gjerë tek masat, sepse gjatë gjithë atyre luftërave me okupatorin Serb, ai kishte dalë gjithmonë fitimtar dhe ishte treguar strateg i mirë, kështu që doli edhe fjala se Azem Bejta po fluturon me kalin e tij, se është i pa kapshëm, se nuk e merr plumbi etj. Ndërkaq populli i thuri edhe këngë lavdie që akoma janë në kujtesën tonë kombëtare.

Azem Galica me luftëtarë

Me dy trima që i ka Shqipnija, si ka mbreti as shtatë krajlia. Azem Bejta e Mehmet Delija, me ta në sherr ka ra Serbia…Gjatë tërë kësaj kohe, Serbia bënte plane e veta për likuidimin e krye parëve të çetave dhe për shtypjen e lëvizjes në përgjithësi. Kështu që përfitoj në kohë e me armatimin më të rëndë, më 14 korrik 1924 rrethoi Galicën, Lubavecin dhe Mikushnicën. Filloi një luftë e pabarabartë dhe e pa mëshirshme. Pas një kohe, Azemi me disa shokë arrijnë ta çajnë rrethimin, mirëpo në tërheqje e sipër, në afërsi të fshatit Mikushnicë, Azemi goditet rënde nga një plumb ogurzi. Disa nga shokët e tij vriten e shumë të tjerë i plagosen. Shokët, Azemin e plagosur e marrin mbi supe e diku sigurojnë një qerre me që dhe marrin rrugën në drejtim të Gjurgjevikut e më tej për të shkuar në drejtim të Shqipërisë së pavarur, ku sapo kishte triumfuar Revolucioni Demokratik i qershorit. Këtë e kishte dëshiruar edhe Azem Bejta pasi që paraprakisht ishte njoftuar në detaje nga patriotët demokrat si Hasan Prishtina e Bajram Curri. Shokët e Azemit, pasi kryetrimi i Drenicës dhe i tërë Kosovës në atë kohë kishte ndërruar jetë trupin e tij e lëshuan në një shpellë të thellë të fshatit Perqevë, rreth 30 metra. Vdekjen e tij e mbajtën sekret. Në këtë mënyrë nën emrin e Azemit, vazhdoj edhe për disa kohë rezistenca e lëvizjes kaçake. Ndërkaq bilanci i egërsisë serbe mbi Arbërinë e vogël ishte me pasoja të rënda me mbi 75 shqiptarë civil të vrarë, qindra të plagosur, mbi 123 shtëpi të djegura e të bëra rrafsh me tokë së bashku me to edhe Kulla e Azemit, qindra bagëti të grabitura etj.

Nami për Azemin jetoi gjatë edhe pas vdekjes së tij. Lëvizja antiserbe vazhdoi rezistencën nën emrin e tij, nga Mehmet Deliu, që njihej me emrin Mehmeti i vogël së bashku me Shotën duke dhënë kushtrimin: “Oooo prite, prite Azem Galicën…” Kujtimi për të do të rrojë për herë. Azem Bejta me luftën dhe sakrificat e tij për çlirim kombëtar, zuri vendin e nderit në faqet e historisë sonë të ndritur e të shkruar sa e sa herë me gjak. Ai ishte dhe mbeti simbol i rezistencës kundër armikut për liri kombëtar, ishte dhe mbeti prijësi i Lëvizjes gjithëpopullore antiserbe. 

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …