Shpërthimi i luftës në Drenicë, sidomos pushka lajmëtare e kryetrimit të kësaj ane, Adem Jashari, bëri që brenda një periudhe të shkurtër kohore shumë të rinj të rrokin armët dhe të inkuadrohen në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për të shporrur njëherë e përgjithmonë nga këto troje armikun shekullor. Njëri ndër ata të rinj që iu bashkua këtij uragani liriprurës ishte edhe i riu Azem Hajdaraj nga Abria e Epërme e komunës së Drenasit.
Azemi lindi më 9 korrik 1973 nga nënë Hala e babë Miftari. Azemi shkollën fillore e kreu në Baicë, ndërsa të mesmen në Drenas, në drejtimin teknik i makinerisë. Familja e tij, edhe pse jetonte në varfëri të thellë, tek Azemi qysh në fëmijëri kishte mbjellë urrejtje ndaj armikut, i cili ua kishte mbyllur të gjitha shtigjet të rinjve shqiptarë dhe ua kishte bërë të padurueshme jetesën. Edhe pse i ri nga mosha, në vitet ’90 ai mori pjesë gati në të gjitha protestat që organizoheshin kundër pushtuesit serbosllav. Ishte i ndjekur nga regjimi i këtij pushtuesi.
Azemi, kur merr vesh se në Drenicë vepronte në ilegalitet një forcë ushtarake, që më vonë do të quhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës – pa u hamendur shkon për t’u takuar më nga afër me këta trima të lirisë. Azemi, kontaktet e para me pjesëtarë të UÇK-së i pati në mars të vitit 1998 dhe që nga ai moment ai do ta ndihmojë UÇK-në në transportimin e ushtarëve, si dhe në furnizimin e kësaj ushtrie brenda Kosovës me armatim dhe me mjete të tjera të nevojshme për luftë. Para se të merrte pjesë në aksione të shumta luftarake, Azemi ka kryer stërvitjet ushtarake te vendi i ashtuquajtur Arat e Hajdarëve në Abri. Pas kryerjes së këtyre ushtrimeve, ai bëhet pjesëtar i Togës së dytë të Kompanisë së parë të brigadës 113 Mujë Krasniqi.
Pesëmbëdhjetë maji i vitit 1998 ishte dita më e lumtur në jetë për Azem Hajdarajn, sepse mu në këtë ditë ai u rreshtua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në pikën Guri 1. Shokë të pandashëm të luftës Azemi ka pasur luftëtarët: Zenë Hajdaraj, Avdullah Hajdaraj, Gëzim Hajdaraj, Nuhi Hysenaj, Enver Kurtaj, Isa Mulliqi e shumë shokë të tjerë. Azemi ka marrë pjesë gati në të gjitha luftimet që janë zhvilluar në zonën e Drenicës, si në Abri, Likoc, Baicë, Rezallë, Morinë, Tërstenik etj.
Kur më 11 shtator të vitit 1998 në Abri filloi njëra ndër ofensivat më të ashpra që kishte ndërmarrë armiku kundër ushtrisë sonë, duke sulmuar pozicionet e UÇK-së nga të gjitha anët, Azemi kishte treguar heroizëm të rrallë, duke i shkaktuar armikut humbje të konsiderueshme. Atë ditë bie heroikisht në vijën e parë të frontit eprori i Njësisë Speciale, Afrim Kiçina dhe plagosen edhe disa bashkëluftëtarë të tjerë të brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Po atë ditë, nga një predhë e minahedhësit të armikut, merr plagë të rënda në krahun e djathtë edhe Azemi.
Më 18 prill 1999, disa civilë shqiptarë alarmojnë se kishin vërejtur disa paramilitarë serbë në zonën që kontrollohej nga UÇK-ja. Me të dëgjuar këtë lajm, Azemi së bashku me vëllanë, Habibin, oficer i njësisë speciale për furnizim, Ferat Hajdaraj, edhe ky toger i njësisë speciale e disa bashkëluftëtarë të tjerë të njësisë speciale, niset nga Abria për t’i zënë ata kriminelë, të cilët masakronin për çdo ditë civilë të pafajshëm shqiptarë. Papritmas, Azemi, te vendi i quajtur Butësina, ndeshet ballë për ballë me njërin prej kriminelëve, i cili kishte qenë i fshehur aty. Që të dytë shtien në njëri- tjetrin nga një afërsi prej 10 metrash dhe nga plagët që i kishin shkaktuar njëri – tjetrit, paramilitari zvarritet edhe disa metra dhe aty vdes, ndërsa Azemi bie heroikisht në tokën, që aq shumë e deshi dhe për të cilën s’e kurseu as jetën. Azem Hajdaraj varroset po atë ditë, më 18 prill 1999, në varrezat e Lagjes së Hajdarëve, ndërsa më vonë rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve të fshatit Abri.
E tërë familja e Azemit, vëllezërit Habibi, Rifati, Ymeri, Xhemajli dhe Ferati, si dhe motrat Hava, Zadja, Sabria dhe Sania, ka qëndruar gjatë gjithë luftës në vatrën e vet dhe ka përjetuar katrahurat e kësaj lufte. Azemi ka qenë i martuar me shoqen e jetës, Sofien, dhe ka lënë pas dy fëmijë, Florentinën 7-vjeçare dhe Kastriotin 6-vjeçar, të cilët do të rriten në liri , por pa shijuar dashurinë atërore.
Pas rënies, Azemi ka marrë Mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe nga Kuvendi Komunal i Drenasit, për gjakun e dhënë për lirinë e Kosovës. (Sh.K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …