Azem Syla: Abdyl Krasniqi, njëri nga viganët që rriti Kosova për t’i dhënë asaj, lirinë I

Azem Syla: Abdyl Krasniqi, njëri nga viganët që rriti Kosova për t’i dhënë asaj, lirinë I

(Disa kujtime shumë të vërteta dhe reale dhe mendime e vlerësime për veprimtarin e çështjes kombëtare të shqiptarëve nën Jugosllavi – Serbi, Abdyl Krasniqi nga Drenoc i Malishevës)

Me Abdyl Krasniqin jam njohur në vitet 1976 – 1977. Ishte ajo një kohë kur të gjithë shqiptarët e kërkonin njëri tjetrin, dhe e gjenin vetvetiu për t’u bashkuar e vepruar e në fund për të luftuar pushtuesin, në atë kohë jugosllav e në fund serb. Ishte ky misioni që i kishin vënë vetes të gjithë shqiptarët patriotë e në mes tyre edhe Abdyli me veçoritë e tij, me veprën e tij dhe me angazhimin e tij dinamik, për të arritur atë që mjaft edhe e dyshonin në atë kohë, por që populli shqiptar i ka besuar gjithnjë idealit të Abdylit e të gjithë patriotëve të angazhuar për ta fituar lirinë e atdheut tonë të pushtuar. Koha i tregoi këto.

Për të bërë një vlerësim për figurën e Abdyl Krasniqin nuk do të jetë punë e lehtë për mua, që e konsideroj veten bashkëveprimtar me të.

Duhet vënë në evidencë pra, se Abdyli u lind më 1 maj 1939 në Drenoc të Malishevës. I cili pasi mësimet e paranë vendlindje, do të vijonte mesmet në shkollën Normale të Prizrenit. Ndërsa studimet për histori-gjeografi i kreu në Shkollën e Lartë të Përgjithshme në Gjakovë, kurse Fakultetin e Historisë në Tiranë. E pas kryerjes së studimeve, krahas punës do të merrte mbi supe edhe veprimtarinë për çështjen kombëtare, që do ta çonte në dyert e papunësisë, UDB-së, torturës e burgut, por pa ia cenuar vullnetin për të bërë atë që ishte më me vlerë për lirinë e vendit të tij dhe të bashkëkombësve të tij.

Abdyli ishte mësues në shkollën e fshatit Drenovc. Ishte një edukator i shkëlqyer i fëmijëve edhe për dituri e edhe edukim kombëtar. Ai realisht ishte një hero i veçantë i kohës së tij. Puna e tij, vepra e tij kishte dinamikë të veçantë. Jeta e tij kishte karakteristikat e një njeriu të sakrificës për të tjerët. Ai dukej se ishte i prirë për të bërë punë që të tjerët e kishin, të vështirë, të pa mundur ose nuk guxonin t’i bënin.

Ishte pikërisht ai, që fati do ta kishte caktuar, ose më mirë të them, e kishte marrë në dorë vetë fatin e tij, për të bërë edhe nxjerrjen e eshtrave të Azem Galicës, heroit të shqiptarëve, kryekomandantit të lëvizjes kaçake shqiptare, i cili qëndronte prej rreth 50 vjetësh i varrosur si askush tjetër në botë në një varr të thellë, prej nga nuk kishte guxuar askush të futej e ta nxirrte.

Abdyli prej kohës kur i pati nxjerrë eshtrat e heroit – luftëtarit për lirin ga shpella e maleve të Gllarevës, do të kishte një jetë ndryshe. Ai tashmë ishte vënë në evidencat e pushtuesit dhe mekanizmit të tij të torturës, UDB-së, si nacionalist i deklaruar, si irredentist, si kundër-sllav, si shqiptar patriot që nuk do të duronte pushtuesin dhe nuk do të ishte i bindur dhe i nënshtruar ndaj këtij pushtuesi.

Duhet theksuar se që në hapat e parë Abdyli nuk ishte vetëm. Ai kishte edhe shokë të cilët ishin me të, ishin pranë tij dhe vepronin bashkë me të. Ai duke qenë se kishte krijuar lidhje edhe në Shqipëri kishte mundësi plus për të zgjeruar në vijimësi veprimtarinë për çështjen kombëtare. Ashtu veproi ai gjithë jetën për të qenë në pozicionin që ishte me interes për atë që duhej bërë në shërbim të atdheut e të kombit.

Abdyli e kishte dhenë provën e sigurisë dhe të fuqisë fizike, shpirtërore, psikologjike dhe morale, që atë ditë kur mori përgjegjësinë të zbriste në varrin më të thellë në botë, për të nxjerrë në dritë një element të rëndësishëm të vlerave historike kombëtare siç ishte nxjerrja prej asaj thellësi e eshtrave të Azem Galicës.

Ai arriti të futet në atë shpellë, ku përveç Azem Galicës nuk kishte zbritur askush tjetër. Kjo do të ndodhte më 22 maj 1971. Kur ai me guxim do të ndërmerrte veprimin që pakkush mund ta kuptonte a ta imagjinonte në atë kohë. Ajo shpellë për të gjithë ishte një enigmë, askush nuk mund ta dinte cila ishte thellësia e saj apo struktura e saj. Aty kishte kaluar para tij veç Azem Galica, pasi e kishte dorëzuar shpirtin.

47 vjet kishin qëndruar në atë varr të veçantë eshtrat e kryetrimit. Deri kur të atë varr me thellësi prej 73 metrash, zbriti Abdyl Krasniqi, ai kishte qenë thuajse një legjendë. Kurse tashmë do të kthehej në një realitet të prekshëm.

Unë në atë kohë si 20 vjeçar, e kam përjetuar me krenari këtë veprim simbol, që na dha vërtetë forcë, për të kuptuar se prej këtej do të ishim më të fortë. Ishte arritur të ngrihej Azem Galica nga nëntoka në dritë të diellit e kjo donte të thoshte shumë për ne të rinjtë, por sidomos për të rinjtë që kishin marrë mbi vete një mision, për të luftuar për atdhe e liri kombëtare. Në këto kushte, Abdyli do të bëhej synimi ynë për t’u bërë shok e veprimtar me të.

Kjo vepër madhështore e Abdyl Krasniqit bëri përshtypje të madhe për të gjithë shqiptarët. U kuptua se tashmë mund të bëheshin edhe veprime që na mbushnin kombëtarisht. Por as që mund të mendohej se punë të tilla mund të bëheshin lehtë. Sot mund të duket si një rrëfenjë dimri, për të mbushur kohën. Por në atë kohë të pushtimit të egër jugosllavo serb, për veprimtari kombëtare më e pakta që mund të të gjente, të shkonte dëm jeta. Megjithatë kishte të tillë mjaftueshëm, si Abdyl Krasniqi që nuk e përfillnin rrezikun.

Kuptohet që për veprën e Abdylit ishte informuar edhe pushtuesi. Kështu që ai vetëm 3 muaj më vonë do të largohej nga puna, duke i hequr të drejtën në mënyrë arbitrare për të vijuar më tej mësimdhënien, për fëmijët, detyrë të cilën ai e kishte me pasion të veçantë.

Kuptohet, Abdyli po bënte veprime që e gjallëronin shpirtin kombëtar shqiptar. Por këto bënë që ai personalisht dhe familja e tij, e fëmijët të pësonin shumë. Megjithatë ai trung familjar i dhanë vazhdimisht vetes dhe kombit krenari me qëndresën dhe me veprimtarinë e tyre në interes të atdheut e kombit.

Më lejohet të them, se veprimtari si të Abdyl Krasniqit janë madhore e madhështore. Janë të tilla që na japin krenari. Janë të tilla që na japin siguri. Janë të tilla që na bëjnë të qartë vizionin për të ardhmen kombëtare. Bota i krijon nga asgjëja figura të tilla kombëtare.

Kurse ne kemi privilegjin t’i kemi në mesin tonë. Kemi privilegjin të jemi bashkudhëtar, bashkëkohës e bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar me ta. Prandaj me këtë rast edhe do të apeloja që të bëjmë kujdes me figura të tilla. Ata nuk na kërkojnë asgjë, përveç se të vlerësojmë veprën e tyre, të mbajmë të freskët veprën e tyre dhe të mos harrojmë sfidat e historisë nëpër të cilën kemi ardhur. Të ndihemi mirë për të folur edhe në orën e mësimit me fëmijët në shkollë për aspektet e historisë heroike të shqiptarëve në tërësi e të luftës kundër pushtuesve në veçanti, duke ardhur deri te lufta më e fundit, Lufta Çlirimtare e Kosovës e cila na dha lirinë dhe na jep krenari në të gjitha kohërat e ardhshme, si model, për të përballuar çdo lloj rreziku që mund t’i kanoset atdheut e kombit.

Guximi i Abdylit kishte një veçori nga guximi i shumëkujt. Guximi i tij ishte publik. Ai nuk përtoj për asnjë moment të ndeshet me pushtuesin publikisht. E gjithnjë pa e shkëputur veprimtarinë e fshehtë për çështjen kombëtare të cilës i ishte kushtuar. Kështu, ai bëri 19 seanca gjyqësore me mekanizmat shtetërore të pushtuesit, derisa më në fund u kthye në punë si i pafajshëm. Dhe të ndërmarrësh veprime të tilla publike akuzuese ndaj pushtuesit e njëkohësisht të vazhdosh luftën ilegale duke e shtrirë atë në gjithë hapësirat e pushtuara, kjo vërtetë është një veprimtari jo vetëm e guximshme, por edhe me një strategji të studiuar të sigurisë së vijimësisë së aktivitetit atdhetar.

Ai amaneti i Azem Galicës në momentet e ndërrimit jetë lënë shokëve të tij: ”Vëllezër! Amanet atdheun, ruajeni dhe luftoni të bashkuar për lirinë e tij. Të plagosurit dhe fëmijët jetimë i përcillni në Shqipëri. Ti Shotë, mos iu ndajë çetës. E di që kurrë s’ke me e korit emrin dhe trimërinë tënde. Lamtumirë vëllezër! Kosova dhe ju më dhatë fuqi, zemër e krah lufte. Edhe i vdekur kam dëshirë me luftue bashkë me ju. Prandaj trupin më ma djeg ose më ma qit në një pus të pafund. Armiku nuk duhet ta marrë vesh vdekjen time. Trimat nuk kanë kohë të përlotën. Shtrëngoni fort armët, lufta nuk duhet ndërprerë …”. Duket se në shpirtin, në moralin dhe në forcën e Abdyl Krasniqit, kishte zënë vend më shumë se te çdo shqiptar tjetër. Ai dukej se jetonte edhe praktikisht me viganët e historisë shqiptare. Bënte të gjitha përpjekjet të ishte në lartësinë e heronjve nëpër histori. Prandaj edhe nuk u ligsht asnjëherë.

Bashkëpunimi im me Abdylin ka qenë intensiv. Megjithëse me kalimin e viteve prej 1976 e deri më 1989, ishte arrestuar shumë herë e burgosur dhe mbajtur në burgun e Pejës. Ai mbeti publikisht i pa dëgjueshëm i shtetit jugosllav – serb, që mbante të pushtuar tokën tonë dhe nën zgjedhën e ligjeve të tij gjithë shqiptarët e këtyre trojeve.

Vlerësoj, se ai ishte një veprimtar shumë shumë i vendosur, për ta luftuar pushtuesin jugosllav – serb, e për t’ia sjellë lirinë popullit të Kosovës së pushtuar. Nuk vërehej asnjë lëkundje në gjithë veprimtarinë e tij. Ai ishte gjithnjë me ngutje. Donte ta bënte gjithçka menjëherë, sot dhe të pa asnjë cen. Që në atë kohë dukej sikur ai e shikonte Kosovën të çliruar, sikur i shikonte të gjitha trojet shqiptare të bashkuara. Ishte modeli i moralit kombëtar.

Vuajtjet e tij ishin të mëdha. Pushtuesi e kishte në çdo kohë nën vëzhgim. Por edhe ai i rrinte gjithnjë pa u lëkundur përballë. Dhe me këtë përballje publike, mendoj se kishte gjetur mënyrën më të sigurt për të kryer detyrat në kuadër të veprimtarisë ilegale, të cilën e kishte shumë intensive dhe të pandalshme e të pa ndërprerë. Sikur kishte gjetur çelësin për të fshehur veprimtarinë e tij kombëtare ilegale. Pasi ishte krijuar mendimi se Abdyli është ashtu rebel, i pa bindur, i pa nënshtrueshëm, deklarativ, i pa mbajtshëm, por nuk ka asgjë më tej prej tij. Kështu, në atë kohë nuk mund të mendohej se ky Abdyli deklarativ, kishte lidhjet e tij në gjithë hapësirat e tokave të pushtuara e edhe deri në Tiranë, për të plotësuar misionin e tij të cilin e kishte marrë mbi vete të organizonte me të gjitha mënyrat veprimtarinë kombëtare për çlirim.

Mirëpo, kjo mënyrë veprimi thashë se e vuri në vijimësi nën prangat e UDB-së e të policisë jugosllave – serbe. E vuri nën torturë të vijueshme, të cilat i përballoj me shumë forcë shpirtërore. Por ai gjithnjë ishte shumë vigjilent. Me gjithë bastisjet e vijueshme në familje, asnjëherë nuk arritën të gjejnë ato gjëra që nuk duheshin gjetur. Ai ishte mjeshtër i ilegalitetit nëpërmjet legalitetit. Sidoqoftë, maltretimet dhe torturat e mëdha që i bëri UDB-ja, e bënë të vetën, në tortura u dëmtua shumë fizikisht. Aq dëme iu shkaktuan në trupin e tij, deri sa e bënë të pa aftë për punë.

Por nuk arritën ta bëjnë të pa aftë për të vijuar luftën për çlirimin e atdheut e bashkimin e kombit. E megjithëse i pa aftë për punë UDB-ja në vijimësi do të qëndrojë në vëzhgim të tij, por nuk do të arrij në asnjë rast të bien në gjurmët e punës së tij ilegale. E megjithëse në këto kushte dhe i diferencuar politikisht, siç ndodhte në atë kohë për të gjithë ata që nuk ishin të nënshtruar ndaj pushtuesit, ai qëndroi në këmbë për të ecur drejt lirisë për të cilën kishte vepruar gjithë jetën duke qenë i bindur se do të arrinte një ditë te ajo, liria për të cilin nuk kishte ëndërruar, por kishte investuar gjithë jetën e tij dhe gjithë familjen e fëmijët e tij për ta mbërritur.

Kujtoj me shumë ndjenjë atë thënien e tij që nuk e kishte vetëm në gojë, por edhe në mendje, në shpirt e në zemër: ”Për të lindur- lypset vdekur!” Pra ai e shihte vdekjen për atdhe si lindje të atdheut, si lindje të lirisë. Kujtoj një moment në kohën e Luftës Çlirimtare të Kosovës, kur u takuam. Ishte menjëherë pasi kishin rënë në frontin e luftës duke luftuar heroikisht Fehmi Lladrovci dhe Xheva. E pasi tha ato fjalët e shpirtit se ata i takonin atdheut dhe ranë për të, i doli një zë nga zemra do të thosha: Ajo në ishte thjeshtë vajza ime, atë e kisha shok. E kujtoj atë moment me shumë ndjenjë edhe sot, sepse atë vajzë – Xhevën vërtetë edhe unë e kisha shok.

Por unë mendoj se Abdyli të gjithë fëmijët e tij djemtë dhe vajzat i kishte shokë. Gjithnjë i vlerësoj, gjithnjë u besoj, gjithnjë u ngarkoj detyra, të cilat ata i kryen me dinjitet, por që edhe ai asnjëherë nuk bëri të shqetësuarin a të kujdesshmin, për t’i shmangur fëmijët e tij dhe familjarët e tij nga rreziku. Për të e para ishte detyra për atdheun, pastaj të tjerat. Prandaj edhe gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës ai vetë i pari dhe të gjithë familja e fëmijët pas tij ishin në radhët e ushtrisë aty ku ishte rreziku më i madh, aty ku ishte nevoja më e madhe aty ku ishte situata më e vështirë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …