Azem Syla

Azem Syla: Abdyl Krasniqi, njëri nga viganët që rriti Kosova për t’i dhënë asaj, lirinë II

Me mua Abdyli kishte ra në kontakt të rregullt nga vitet 1976 – 1977, siç e kam shpjeguar edhe më lartë. Në atë kohë unë punoja si profesor kimie në shkollën ”Luigj Gurakuqi”, në Klinë dhe në paralelen e ndarë në Kijevë.

 Abdyli kishte fëmijët e tij nxënës në shkollën ”Luigj Gurakuqi”, në Kijevë, që kujtoj se ishin Xheva, Servetja, Sabrija. Sabrija ishte e Ibrahimit (axhës) së Abdylit, një i moshuar në atë kohë, por me orientim dhe bindje patriotike të qarta. Ibrahim Krasniqi, axha i Abdylit ishte një burrë i qetë, shumë i ndjeshëm dhe inteligjent në mendime dhe i guximshëm për të mos e dëgjuar regjimin e pushtuesit jugosllav – serb.

 Abdyli me axhën Ibrahimin ishin ra në sy të pushtuesit si kundërshtarë të tij dhe të regjimit që ai kishte instaluar në trojet e pushtuara shqiptare.

 Abdyli ishte i tillë, që pavarësisht nga ne të tjerët, ai furnizohej me literaturë ilegale patriotike nga Republika e Shqipërisë, pasi ai kishte lidhjet dhe linjat e veta të furnizimit prej andej.

 Abdyli kishte lidhje me njerëz dhe me familje të ndryshme shqiptare anembanë Kosovës dhe trojeve të pushtuara nga Jugosllavia – Serbia.

 Unë kalova shkurt nëpër këtë jetë vigani, sepse nuk mundem të detajoj gjithë veprimtarinë e tij, pa thënë se seancat e shumta gjyqësore, torturat psiko-fizike nëpër dhomat e  hetuesive dhe vuajtjet  e gjata në birucat e errëta të burgjeve të ndryshme jugosllavo serbe paraqesin një histori që unë as që mendoj se mund ta paraqes, sepse ajo është shumë e ngarkuar, siç është e ngarkuar edhe jeta ime, por që për këtë kohë e kam lënë në hije, sepse duhet kohë e qetësi në shpirt për t’u marrë me të. Qetësi të cilën akoma nuk e kam e që uroj ta kem kur të përfundojë lufta e të ndihemi plotësisht të çliruar.

 Abdyli si veprimtar publik për atdheun e kombin e tij prej vitit 1971 deri më 1996, është dënuar mbi dhjetë herë nga shtatë ditë e deri me pesë vjet burg.

 E megjithatë bastisjet dhe përndjekjet e familjes së tij nuk kishin të sosur. Kështu vetëm brenda muajit tetor të vitit 1995 pati tetë bastisje në shtëpinë e tij, gjatë të cilave u demoluan të gjitha orenditë duke u kërkuar armë dhe djalin i tij, Fitimin. E ato ditë ishte kidnapuar edhe vajza e tij, Servetja, studente e rregullt e Fakultetit të Bujqësisë në Prishtinë dhe për një kohë të gjatë qe mbajtur në Burgun e Smrekonicës, pa ditur gjë për fatin e saj.

 Ashtu do të vijohej me arrestimin dhe burgosjen e tij me tre të bijtë: Atomin, Hlimin dhe Fitimin, më 14 prill 1994, pastaj maltretimit të djalit të vogël, Kushtrimit në klasën e tetë etj.

 Abdyli në vitin 1981, kur u bënë demonstratat masive në Kosovë, ishte gati të marrë përgjegjësi si kombëtare, organizative, rezistuese e deri në rezistencë të armatosur, për Republikën e Kosovës.

 Në ngjarjet e prillit 1981, ne, grupi ynë i drejtuar nga Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Gani Syla, Nezir Myrta e shumë të tjerë, karshi kohës e ngjarjeve të zhvilluara, bëmë përpunimin prej nga dolën ”Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës”.

 Në këtë organizim unë në territorin Klinë – Kijavë e më gjerë patëm rekrutuar dhe organizuar afër 60 – 70 anëtarë për ”Frontin e Republikës”. Që Abdyl Krasniqi edhe me fëmijët e vet dhe rrethin e gjerë të njerëzve të njohur të idealit, ishte ngarkuar të jetë një prej drejtuesve në këtë territor e më gjerë.

 Unë mbaja lidhje të drejtpërdrejta me shtetin e Shqipërisë, por edhe Abdyli kishte lidhjet e veta të drejtpërdrejta me shtetin e Shqipërisë.

 Në vitet 1978 deri më 1989, lëvizjet për në Shqipëri i bëja sipas nevojës.

 Me Abdylin kishim besim të plotë të bisedonim me njëri tjetrin, por në marrëdhëniet me shtetin e Shqipërisë vepronim secili në veçanti për punët që kryenim.

 Për të krijuar një bindje të qartë se sa i madh ishte besimi dhe lidhja mes nesh, kujtoj se në një moment, Abdyli më thotë, se unë kam nevojë për të shkuar në Shqipëri, por e kam të pa mundur pasi një këmbë e kam të sëmurë e nuk mund të eci. (Kuptohet, në ato kohë rrugët për në Shqipëri ishin me rreziqe të mëdha, pasi përveç që duhej ecur në këmbë nëpër male, në të ftohet, borë e acar, apo të nxehtë e pa ujë e bukë, por ishte edhe më i madh rreziku të diktoheshim dhe të vriteshim ose të ziheshim e të torturoheshim në vijimësi dhe të dënoheshim me burgime të gjata apo edhe të likuidoheshim. E bëra këtë shënim sepse mund të ketë prej atyre që të mendojnë se ka qenë lehtë siç është sot për të shkuar në Shqipëri.) Prandaj më tha, meqenëse ju do të shkoni unë në besim ta jap një fëmijë me vete nëse ma pranoni shoku Azem.

 Unë pranova të marrë me vete një nga fëmijët, që nuk kujtoj cila ka qenë nga vajzat Xheva, Servetja, apo Sabrija, që do të duhet ta saktësoj në kujtimet e mia të mëvonshme, pasi njëra prej këtyre ka ardhur me mua në atë rrugëtim për në Shqipëri.

 Vajza që ishte me mua në atë rrugëtim, kishte me vete porositë e Abdylit, bashkë me një material të shkruar rreth 50 apo 60 faqesh.

 Ndërsa unë kisha çështjet e mia që do të trajtoja dhe për të cilat kisha marrë këtë rrugëtim. Rrugëtimin e bëmë bashkë në vajtje dhe në kthim.

 Shënim: Ishte rregull i përcaktuar rreptë, që lëvizjet në Shqipëri dhe kontaktet të mos t’i dinë as pjesëtarë të grupit në të cilin isha i organizuar. Për mua një veprim i tillë kishte rëndësi të madhe se siguronte fshehtësinë e veprimit. Por siç thash me Abdylin lidhjet ishin shumë të forta dhe ne vepronim bashkë, megjithëse pa e zbuluar plotësisht sekretin e veprimit midis nesh.

 Dalim në vitet 1989 – 1990 – 1991 – 1992 – 1993, kur ishin krijuar kushtet për mendim, veprim të rezistencës së armatosur për liri të Kosovës.

 Tani Abdyl Krasniqi i kishte të gatshëm tërë familjen – apo të gjithë fëmijët e tij për të kontribuar në luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 Në vitin 1993 – 1994, Halim Abdyl Krasniqi, bashkë më vëllain Atomin kapen në Maqedoni, duke bartur armë për përgatitjen e armatosjes së UÇK-së.

 Halimi dhe Atomi në Maqedoni kapen nga policia. Ata në këtë rrugëtim ishin të shoqëruar edhe nga vëllai i Ali Ahmetit – Fakriu dhe vëllai i Fazli Veliut -emri i të cilit për momentin nuk po më kujtohet,dhe Behxhet Luzha.

 Djali i Abdylit i madhi Selajdini ishte punëtor në Zvicër, që edhe ky ishte i organizuar dhe shumë aktiv në radhët e LPK-së dhe kontributdhënës i vazhdueshëm për luftën, lirinë e Kosovës, i pa ndalur deri në pakufi.

 Po kështu Selim Abdyl Krasniqi, i kthyer nga Gjermania angazhohet në UÇK, duke bërë një vepër të madhe për çlirimin e Kosovës. Ashtu edhe Betimi, Kushtrimi etj.

 Abdyli vetë tashmë ndiqte nga afër të gjitha lëvizjet për organizim dhe për aktivitetin luftarak të djemve dhe vajzave të tij e të gjithë shqiptarëve në radhët e UÇK-së. Ai ishte vazhdimisht pranë strukturave të UÇK-së, duke u kujdesur, duke kërkuar, duke ndihmuar, duke këshilluar për të bërë më të mirën për luftën e çlirimin nga pushtimi dhe fitoren e lirisë të cilës i kishte kushtuar gjithçka pa hezitim gjatë gjithë jetës.

 Pra, Abdyl ishte vetë aktiv në UÇK, por edhe djemtë e vajzat e tij të gjithë, siç kujtoj Atomin, Selimin, Halimin, Fitimin, Shqipen, etj.

 Por ai do të bënte thirrje të vazhdueshme për të gjithë që duke vlerësuar e vështruar gjendjeneshtypëse dhe mbytëse në Kosovë, kur dhuna e terrori i pushtuesit serbo-sllav mbi popullin e pushtuar shqiptar vazhdon me përmasa shqetësuese, duke shkelur të gjitha të drejtat: qytetare, njerëzore e kombëtare, të një populli, që kërkon të këtë të drejta dhe barazi si çdo popull tjetër ftohen të gjitha forcat politike në Kosovë, të jenë serioze dhe unike në shërbim të kohës dhe kombit në përgjithësi, në kuadër të përcaktimit, qëndrimit, vullnetit, vendimit dhe fjalës së popullit, që ishte lufta e armatosur për çlirimin e vendit nga pushtimi 100 vjeçar jugosllav e serb.

 Pra, Abdyl Krasniqi ishte nga nismëtarët ekrijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që rrugën për të arritur aty e kishte nisur herët. Ai ishte i njohur, i dashur dhe i nderuar e i respektuar prej të gjithë udhëheqjes së luftës dhe ishte gjithnjë aty pranë me gjithë fuqinë e tij për të bërë më të mirën. Ashtu sikurse gjatë gjithë jetës së tij ai do të ishte i ndodhur gjithkund nëpër trojet shqiptare të pushtuara, duke mbajtur gjithnjë në veprim edhe gjithë formacionin e fëmijëve të tij, që i dhanë gjithë kapacitetet e tyre atdheut dhe vijuan edhe pas çlirimit të kenë probleme me ata që qëndrimi dhe lufta e tyre u ka prishur harmoninë me jugosllavët e serbët. Ashtu siç akuzohet gjithë UÇK-ja, nuk kanë shpëtuar edhe fëmijët – tash burra e gra – të Abdyl Krasniqit.

 Abdyli ndërroj jetë më 20 dhjetor 2009, lindi më 1 maj 1939 në Drenoc të Malishevës. Ai e pa dhe e përjetoj Kosovën të shpallur shtet të pavarur, dhe jam i bindur se ka shkuar me ëndërr të plotësuar ani pse kjo nuk u arrit pa sakrifica edhe të tij e fëmijëve të tij, siç edhe pa sakrificat e gjithë shqiptarëve të ndershëm e patriotë.

 Sot akoma ka shqiptarë që e mallkojnë dhe shpifin për UÇK-në. Tani edhe ushtri kërkojnë një tjetër, edhe luftëtarë kërkojnë të tjerë, vetëm ata që bënë luftën nuk janë të mirë. Lufta u bë. Mirë u bë. Ata që dhanë jetën ishin të mirë. Por këta që na çliruan janë të këqij. Më vjen keq për ata shqiptarë që kanë rënë në këtë nivel. I mëshiroj. Por nuk i fali.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …