Misionarë të ruajtjes së trojeve iliro-dardano-arbërore e identitetit kombëtar.
Luftëtarë të pamposhtur, qëndrestarë të paepur për përmbushjen e kauzës kombëtare.
Në shekuj’ e ruajtën të pashuar zjarrin e lirisë.
Dishepuj të demokracisë e vlerave europiane, promotorë të finalizimit të endrrës nacionale.
Shqiptarët e Malit të Zi janë trashëgimtarë të drejtëpërdrejtë të iliro -dardano -arbërorëve, banorë prej mijëra vjetësh në trojet e tyre kur nuk kishte Rusi, Serbi e as Mal të Zi.
Në antikitet ai që sot quhet Mali i Zi ishte Mbretëria Ilire e Ardianëve, e cila është qeverisur nga Agroni, Teuta dhe Genti.
Aty kanë banuar fiset e tjera të Ilirëve, labeatët dhe diokleatët, në zonën midis Zetës dhe Bjelopavliçit rreth tre-katër km në veripërendim të Podgoricës së sotme, ku bashkohen lumejtë Zeta dhe Moraça.
Ata ishin ngulitur aty që nga shekulli i tretë para lindjes së Krishtit
Pas vërshimeve romake e pushtimit të ketyre trojeve qyteti i Diokles ishte qyteti më i madh i kësaj krahine.
Keshtu e cilëson historiani Kostantin Jiriçek, por ai thekson se këtu gjendej qyteza ilire.
Për të kanë shkruar edhe historiani, Plini në shekullin e parë pas Krishtit dhe gjeografi Ptolemeu në shekullin e dytë pas Krishtit.
Në këto troje të ilirëve, që shtriheshin deri në Danub, nga fisi i diokles (dukles) lindi perandori i famshëm i Romës, Diokleciani.
Ai pasi i dha shkëlqim dhe lavdi Perandorisë Romake dha dorëheqjen dhe i kaloi vitet e fundit të jetës në pallatin e tij në Dubrovnik.
Shprehja e tij e famshme se “E gjeta Romën me baltë e qerpiç dhe e lashë atë të veshur me mermer” është treguesi sinjifikativ i dijenisë shqiptare dhe i aftësisë së tyre qytetare qeverisëse.
Shqiptarët e Malit të Zi janë të shquar historikisht për vokacionin e tyre perëndimor dhe kontributin e madh të dhënë në qytetrimin Europian.
Që në shekullin e lll-të pas Krishtit, Shën Jeronimi i lindur në këto anë, në Dalmaci, me origjinë nga fiset ilire u bë një ndër njerëzit më të famshëm e më të ditur të Perandorisë Romake, me përkthimin integral të Biblës nga greqishtja e vjetër.
Ai u bë një ndër intelektualët më të famshëm në histori.
Në shekullin e shtatë pas Krishtit keto krahina dhe qyteti i Diokles u shkatërruan nga dyndjet sllave.
Dioklea është quajtur krahina dhe shteti që u krijua në shekullin e nëntë që përfshinte territorin e Tivarit, Ulqinit, Shkodrës, Drishtit.
Në fillim të shekulit të trembëdhjetë Dioklea ra nën pushtimin serb, të Perandorisë së Stefan Nemanjes dhe mbeti nën kthetrat sllave deri në vitin 1355 kur vdiq Stefan Dushani, atëherë u përfshi në Principatën e Balshajve.
Në Mesjetë, pas çlirimit nga pushtimi serb, dinastia e fuqishme arbërore, Balshajt sundonin jo vetëm Malin e Zi të sotëm, por shtriheshin në kufijtë e një perandorie dhe kontrollonin një territor njëqindmijë kilometër katrorë.
Pas rënjes së Balshajve principata e vogël e Zetës, siç quhej në atë kohë, në shekullin e katërmbëdhjetë, Dioklea, Mali i Zi i sotëm, u qeveris nga nipi i Gjergjit ll Balsha, nga Stefan Cernojeviçi.
Nuk është rastësi që në Besëlidhjen e princërve shqiptarë, që u mbajt në Lezhë më 2 mars 1444, Stefan Cernojeviçi erdhi në këtë Kuvend historik bashkë me dy djemtë e tij.
Ai ishte martuar me princeshën Mara, motrën e Gjergj Kastriotit, por dhe vet ishte me gjuhë e gjak arbëror dhe pinjoll i dinastisë së ndritur të Balshajve.
Pas epopesë 25 -vjeçare të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut e pushtimit turk të Ballkanit, shqiptarët e Malit të Zi, përfaqësues të fiseve të fuqishme të Vasajoviçëve, Kelmendasve, Pipërit, Kuçit e Palabardhit e mbajtën të pashuar zjarrin e luftës për liri.
Ata jo vetëm nuk i ulën armët, por u bënë iniciatorë të kuvendeve mbarëballkanike dhe hartuan strategjinë e luftës çlirimtare.
Nga korriku deri në shtator të vitit 1614-të u mbajt në Kuçin shqiptar, që ndodhet në Mal të Zi, Kuvendi i Kuçit i kryesuar nga prijësi i kësaj treve, Lala Drekali.
Në këtë aleancë ballkanike antiosmane pati përfaqësues edhe nga Bosnja, Hercegovina, Maqedonia e Serbia.
Kuvendi vendosi për fillimin e luftës çlirimtare sipas modelit të strategjisë fitimtare të Skënderbeut në shekullin e XV dhe kërkoj ndihmën e Papatit e të Mbretërisë së Spanjës.
Edhe në Kuvendin Ballkanik të Prokopit të vitit 1615-të e atë të Beligradit të vitit 1620-të krerët shqiptarë Lala Drekali, Gjeç Bardhi, Gjon Renësi e prelati Pjetër Budi, ishin jo vetëm truri e shpirti i këtyre ngjarjeve të mëdha, por edhe të ngarkuar si ambasadorë në Vatikan, Venedik, Spanjë e Francë për të siguruar armë e aleatë për luftën çlirimtare.
Për disa dekada me rradhë, këtu në Mal të Zi, qeverisën Bushatllinjtë.
Kara Mahmut Pasha organizoj Kuvendin e Podgoricës në pranverën e vitit 1786-të ku morën pjesë prijësit shqiptarë dhe prijës ballkanikë, të cilët themeluan Konfederatën Ilirike.
Malazezët jo vetëm që nuk u treguan mirënjohës ndaj të zotëve të shtëpisë, pra shqiptarëve etnikë, por që nga dalja në skenë e Rusisë si fuqi europiane në kohën e Pjetrit të Madh e të Katerinës së Madhe, me anë të popëve malazezë, me agjentë, para e dhunë u munduan të shkombëtarizojnë shqiptarët vendas e t’i kthenin në besimin ortodoks për t’i asimiluar.
Akti heroik i vetëflijimit të Oso Kukës në qershorin e vitit 1862, ku me shperthimin e kullës u vranë qindra forca malazeze deshmoi qartë se shqiptarët do të rezistonin e nuk do të thyheshin por do të mbronin me jetën e tyre trojet e veta dhe kauzën kombëtare.
Me krijimin e Principatës së Malit të Zi oreksi i shovinistëve të Knjaz Nikollës erdhi duke u shtuar.
Në memorien historike të shqiptarëve dhe mbarë Europës kanë ngelur përjetë betejat legjendare të ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, të Hotit e Grudës, të Ulqinit e Tivarit, nga ushtritë malazeze të asaj kohe të udhëhequra nga Mark Milani.
Nëse Ulqini i Agronit, Teutës e Balshajve më 25 nëntor 1880-të ra në në kthetrat e përgjakshme malazeze, kjo nuk ndodhi për shkak të pazotësisë të tyre, por u desh një ushtri turke prej 20000 vetash dhe flota ushtarake e Fuqive të Mëdha për ta detyruar të dorëzohet qytetin krenar iliro–arbëror dhe u shua shpresa e shqiptarëve për ta mbajtur qytetin.
Në Ulqin u shua edhe jeta e prehen eshtrat e Ymer Prizrenit, Kryetari i Qeverisë së Perkohëshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ushtria e të cilës kishte luftuar për mbrojtjen e tij por që nuk ia arriti dot ta shpëtonte nga pushtimi.
Ai kishte shkuar aty për të shpetuar nga perpjekjet e Portës së lartë për ta burgosur ku do të jetonte deri sa vdiq në mënyrë tragjike, larg familjes që ia kishte internuar Dervish Pasha në Turqi.
Në pranverën e vitit 1866, kur shqiptarët po përgatiteshin për një tjetër kryengritje i derguari i Portës së Lartë i shkoj në barakën ku jetonte në Ulqin Ymer Prizrenit dhe i kerkoj të ndikonte në Prizren, Dibër, Tetovë për të shuar këto përgatitje me qëllim shterrimin e një kryengritje të re në shkëmbim të faljes së jetës së tij dhe ofrimit të shume qeseve me flori.
Kësaj oferte komprementuese por shumë fyese për të burri i shquar i Kombit Shqiptar iu përgjigj atë kohë:
“Shko nga ke ardhë se edhe sikur në fron të vet të më verë sulltani nuk dua t’ia di për Turqinë”.
Disa ditë me vonë u gjet i masakruar në mënyrë barbare në barakën e tij.
Ai e mbylli jetën në mënyrë tragjike por e nënshkroi emrin e tij në Panteonin e Kombit, përjetësisht në pavdekësi.
Gjatë një shekulli të pushtimit sllavë shqiptarët pësuan një genocid e dhunë të egër, spastrim etnik dhe mohim të të drejtave elementare e njerëzore, mohim të gjuhës e të kombësisë së tyre.
Në vitin 1913 në Plavë e Guci, në Tuz e Ulqin, me një akt të pashembullt barbarie çetnikët serbo–malazezë me bekimin e eprorëve të tyre, masakruan qindra burra shqiptarë pasi nuk pranuan të ktheheshin me forcë në besimin ortodoks sllav me qëllim për të fshirë nga kujtesa qëndresën heroike dhe ngadhënjimin e shqiptarëve të udhëhequr nga Dedë Gjo’ Luli në vitin 1911 ku për herë të parë pas qindra vitesh u ngrit i lirë flamuri i simbolit të identitetit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), në Kryengritjen e Deçiçit.
Akoma më e tmerrshme ishte masakra që u projektua nga Beogradi e u zbatua jo rastësisht në Tivarin shqiptar kur brenda një nate u ekzekutuan me mijëra djemë të Kosovës, në mars – prillin e vitit 1945-të, 75 vite më parë.
Kjo barbari e Masakrës së Tivarit të kujton kohën e kanibalizmit të Çengis Khanit e të Timur Lengut , Vlad Dragulës [hungulësi], Erik qimekuqit të Vikingëve, apo Ivanit të tmerrshëm të Rusisë.
Pas katër dekadash shqiptarët ranë nën diktaturën e Titos e të Millosheviçit, ku provuan një genocid të paparë dhe torturat më çnjerëzore mesjetare duke iu vendosur kryqin e hekurt të skuqur në shpinë, fytyrë e zemër.
Por pasuesit e iliro-dardano-arbërorëve qëndruan të pamposhtur e të paepur në mbrojtje të trojeve të të parëve, për të siguruar vazhdimësinë dhe per t’i shpetuar asimilimit.
Me durim e sakrificë kristiane stërnipat e Gjergj Kastriotit u shnderruan misionarë të ruajtes së Identitetit kombëtar, dishepuj të demokracisë e vlerave europiane, promotorë të finalizimit të endrrës nacionale.
Shqiptarët e Malit të Zi janë qytetarët më të denjë në këtë republikë të vogël dhe artificiale.
Ata me votën e tyre përcaktuan shkëputjen nga Serbia dhe i dhanë goditjen e fundit Sllobodan Millosheviçit në referendumin e vitit 2006.
Falë vokacionit të tyre historik përendimor përcaktuan kursin euroatlantik të qeverisë malazeze, antarësimin e Malit të Zi në Nato dhe hapjen e negociatave për në BE.
Falë lidhjeve të ngushta me SHBA-në për shkak të diasporës së madhe që kanë në këtë vend mik, janë faktorë themelor për të sotmen e të ardhmen e bashkimit të natyrshëm të trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm.
Ata dhunë kontribut të jashtëzakonshm në mbështetjen e UÇK-së për çlirimin e Kosovës dhe iu imponuan qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së saj.
Në shekuj shqiptarët nuk luftuan që tokat e tyre të qeveriseshin nën emblemën serbo-malazeze, por që në qiellin e kaltër mbi fortesat e tyre të fluturojë e lirë e krenare shqiponja Iliro-Arbërore dhe të valvitet flamuri i Kombit të tyre.
Ky është flamuri i Lekës së Madh, Pirros, Teutës Agronit, Balshajve, Gjergj Kastriotit, Dedë Gjo’ Lulit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit e Hasan Prishtinës të cilin e mbrojtën simbolet e qëndresës shqiptare të shekullit të XX-të Adem Jashari, Ramush Haradinaj e Ali Ahmeti në betejat për liri në Kosovë, në betejat për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe çertifikimin e kësaj Kauze hyjnore në Hagë.
Dhe kështu ndodhi në marsin e vitit 2019 kur shqiptarët e Tuzit jetësuan mesazhin e thuprave të Gjergj Kastriotit dhe korrën fitoren spektakolare në zgjedhjet e pushtetit lokal, ku pas një shekulli e një dekade u valëvit krenar Flamuri Kuqezi i Gjergjit të madh Oso Kukës dhe Ded Gjon Lulit.
E suksesi vazhdoj me miratimin e simboleve kombëtare e lirisë fetare dhe çpronësimin e zhupanëve serbë mbi kishat ortodokse të Malit të Zi.
Shqiptarët me herët kishin parandaluar grushtin e shtetit dhe me votën e tyre përcaktuan formimin e qeverisë propërendimore.
Ata në shekuj ruajtën rrenjët iliro- dardane dhe me stoicizëm permes një sage të gjatë, në beteja shumëfrontëshe ruajtën identitetin kombëtar dhe shpëtuan nga asimilimi e sot janë shembulli me i mirë i qendresës, durimit dhe i fitoreve të njëpasnjëshme.
Ata nuk kanë reshtur per asnjë moment duke punuar për finalizimin e endrrës nacionale.
Falë qëndreses, durimit, vizionit, largpamësisë, vokacionit perëndimor dhe mbeshtetjes nga aleati tradicional SHBA erdhi dita që sot shqiptarët të udhëheqin qeverinë e Malit të Zi me Dritan Abazoviçin.
Kombi shqiptar prej 10 milionësh në Ballkan është i ndërgjegjshëm të kryejë mirë rolin që i ka caktuar historia e Mileniumit të ri (Mijëvjeçarit të Tretë) dhe të mbrojë me vendosmëri të drejtat e bashkatdhetarëve të tij e të zgjidhë përfundimisht çështjen shqiptare dhe bashkimin e tyre, atë që kombet tjera e kanë kryer me kohë dhe krijimin e Shtetit Komb të shqiptarëve.