Azgan Haklaj

Azgan Haklaj: “Martirë të Lirisë- Kundër Tiranisë”

“Beteja e Qerbelasë si Lufta e Termopileve”

Matemi dhe dita e ashures janë rite tradicionale të bektashinjëve.

Pas 10 ditëve të Matemit kushtuar 72 fajkonjëve të Luftës së Qerbelasë rënë për liri në dyluftimet më të tmerrshme të historisë së njerëzimit me falangat e Kalifit Jezidit në muajn gusht të vitit 680-të, pas Krishtit është festa e Ashures.

Kjo betejë është një kasphanë çnjerëzore, e pamëshirshme e Kalifit zollumqar e barbar ndaj 72 martirëve të lirisë ashtu si Beteja e Termopileve e 300 spartanëve të Leonidhës kundër ushtrisë së Kserksit, me dt 19-21 gusht të vitit 480 para Krishtit.

Matemi dhe dita e Ashures përbëjnë një rit tradicional bektashian përkujtimor për deshmorët e Qerbelasë, të cilët dhanë jetën për të vertetën, të drejtën hyjnore, barazinë, emancipimin shoqëror, për dashuri, paqe, mirësi.

Lufta e Qerbelasë është tragjedia më mizore, më rrënqethëse në historinë e Besimit Islam,

prandaj kujtimi i saj mbetet gjithmonë i gjallë në mendjet e miliona bektashinjëve.

Shumë prej tyre e kujtojnë me ceremoni zie e lotësh.

Ky përkujtim bëhet 10 ditë e quhet Matem (Zi).

Në kujtim të deshmorëve të Qerbelasë besimtarët nuk pinë ujë gjatë 10 ditëve ashtu siç nuk kanë pire ujë ata, për shkak se ua ndalen dhe helmuan ujin e Lumit Eufrat.

Besimtarët bektashianë shkojnë në teqetë dhe kujtojnë ngjarjet e paharruara të Qerbelasë me fjalët:

“Ja Imam- ja Imam”

Gjatë këtyre 10 ditëve kujtohen mundimet e sakrificat e të gjithë profetëve për kryerjen e Misionit të tyre të Shenjtë.

Kujtohen vuajtjet që hoqi Profeti Adam, ngjarjet e Nuhut, vuajtjet e Ibrahimit, i cili u hodh në zjarr prej Nemrodit sepse predikonte rrugën e drejtë të Perendisë, përkujtohen vuajtjet e Jusufit, i cili u hodh në pus nga vëllezërit e tij sepse ishte i pastër e kishte fituar respektin e prindërve, vuajtjet që hoqi Musai prej Fareonit të mallkuar sepse ky donte të sundonte popullin me shtypje dhe të ishte Perendia i tij.

Përkujtohen vuajtjet e Isait “Krishtit” të madh për të vetmin faj se u bë Misionar në sherbim të njerëzimit, duke predikuar rrugën e të vertetës, paqes, drejtësisë, vallazërimit dhe përsosmërisë njerëzore.

Përkujtohen vuajtjet e Profetit Muhamet, i cili hoqi shumë mundime për të nxjerrë popullin nga ërrësira e skllavërisë e urrejtjes në dritën e mirësisë drejtësisë e paqes.

Kujtohet i madhi Ali që ra deshmorë për të udhëhequr botën në rrugën e mbarë. Imam Hasani, i cili u helmua nga njerëzit e pabesë sepse predikonte paqen e rrugën e vertetë.

Natën e pestë kujtohet gjithë jeta e Imam Hysejnit.

Natën e gjashtë emigrimi i tij.

Natën e 7 -të përkujtohet Ibn Akili, i cili ra deshmorë me dy djemt e tij.

Natën e 8- kujtohet Imam Hysejni, i cili shkoi i ftuar nga populli për ta drejtuar në rrugën e mbarë.

Natën e 9-të kujtohet arritja e Imam Hysejnit në Qerbela.

Nata e 10-të është nata e fundit, Lufta e Qerbalase ku Imam Hysejni ra deshmorë së bashku me shokët e tij.

Ne i kujtojmë me lutje fetare, me heshtje të madhe zie, pastaj populli han Ashuren duke përkujtuar me adhurim Imam Hysejnin dhe duke mallkuar Jezidin dhe pasuesit e tij.

Veprën e Imam Hysejnit e shokëve të tij dhe Luftën e Qerbelasë e ka përshkruar me madhështi pena brilante e Ideologut të Bektashizmit dhe Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri:

“Hysejni desh njerëzinë

Dhe për të u vra.

Për të shpetuar njerinë

Ra në Qerbela

Imamët dymbëdhjetë

Nga der’ e Aliut

Hoqën e vuanë ndër jetë

Për nder të njeriut

Kush do Muhamet- Alinë

Edhe e beson Perendinë

Do Hasanë e Fatimenë

Dhe qan Imam Hysenë

Nuk luan jezitërinë

Djallëzinë e ligësinë

Se ata që janë vrarë

E ranë deshmitarë

Ranë për një të vertetë

Q’ajo na nderon në jetë

Lule moj e vertetë

Të qofshim falë për jetë

Me të lanë këtë jetë

Imam Zot i vertetë

Shpirt i madh vate tek Zoti

Tek kish qenë edhe që Moti

Hysejn mir e nder për jetë

Jeziti nëmën e shkretë

Hysejni kish Perendinë

e Jeziti djallëzinë.

Abaz Aliu zu Tomorr’

Erdhi afër nesh

Shqipëria s’mbet e gjorë

Se Zoti e desh

O moj fushë e Qerbelasë

Që më rri ndër sy

Plot me gjak t’Ali- Abazë

Vallë çështë Ay

Ç’është Ai që shkon kaluar

Ikën si veriu

Me dy-tre foshnje në duar

Eshtë Abaz Aliu

Shpije foshnjatë në lumë

Se s’durojn dot

I ka marrë etja shumë

E qajnë me lot”.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …