Bahri Bivolaku

Bahri Bivolaku: Çadra e Bashës po i defaktorizon shqiptarët në Ballkan

Tiranës në rrugën e saj për të marrë pozicionin e duhur në Ballkan nuk i duhen arratitë politike që u servon Lul Basha, e aq më pak politika të veshura me petkun e demonizimeve e polarizimeve për gjoja idenë e një Republike të re.

Një mendimtar pati thënë: “Kush nuk do që të arsyetojë, është fanatik, kush nuk di të arsyetojë, është budalla dhe kush nuk guxon të arsyetojë, është skllav i të tjerëve.” E citova këtë thënie duke menduar se më së miri i përshtatet veprimit politik të Lulzim Bashës, i cili pak di t’i arsyetojë veprimet, e shumë më shumë nuk di, a nuk guxon të arsyetojë. Të krijosh krizën e arsyes së veprimit politik pa elementin e kauzës së qëndrueshme në Tiranë, është lëndim i qëllimshëm i politikës në Prishtinë, Tetovë a Preshevë. Në Ballkanin jo të qetë karshi rirreshtimeve të gjeopolitikës, shkaktimi i tensioneve e problemeve brenda një identiteti i shkakton telashe më së shumti vet atij, pasi humbë rëndësinë dhe peshën që duhet ta ketë.

Politika shqiptare sot e do mendimin në vend të zhurmës, qetësinë, e do alternativën, debatin dhe kundërshtitë programore, e do argumentin e thënë në vend të zhurmës, britmave e klithjeve të çiftit të politikanit të pa identitet Lul Bashës. Temperamentet e rrëmbyera nuk janë çelësi për kapërcimin kualitativ të gjendjes, ato janë vet problemi.

Tiranës në rrugën e saj për të marrë pozicionin e duhur në Ballkan nuk i duhen arratitë politike që u servon Lul Basha, e aq më pak politika të veshura me petkun e demonizimeve e polarizimeve për gjoja idenë e një Republike të re. Prerjet në politikë si ide janë të tejkaluara moti dhe nuk u takojnë shoqërive që zhvillohen brenda sistemit demokratik të vlerave, por revolucioneve apo përmbytjeve. Nuk e besoj që Tiranës i duhet një prerje e tillë e aq më pak kjo prerje t’i shkon përshtati apo t’ju ndihmojë shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni apo Luginë të Preshevës. Mendoj që tendencat e tilla ndihmojnë politikat ruso-serbe të zhvillohen e konsolidohen në Ballkan.

Tendenca e destabilizimit të Shqipërisë cënon interesat e shqiptarëve jashtë saj

Kuazikauza e Lul Bashës, e përcjellur me mjete jo demokratike e jashtë sistemit, me qëllim që për ego personale ta destabilizojë shtetin, tejkalon luftën politike në Tiranë dhe prek ineresat e shqiptarëve jashtë saj si në Kosovë, Maqedoni apo edhe Luginë të Preshevës. Partitë politike shqiptare në këto treva duhet ta kenë mendimin e qëndrimin zyrtar karshi këtyre zhvillimeve. Duhet të ngritet zëri, pasi nga qëndrimet e veprimet e tilla cënohen arritjet e shqiptarëve në shtetin e Kosovës dhe pozicionet e shqiptarëve në Maqedoni. Cënohet përcaktimi i qartë i shqiptarëve në Ballkan për ndjekje të politikave properëndimore si një rrugë e suksesit të ndjekur dhe kaluar në rrugën tjetër, atë të izolimit apo getoizimit.

Duhet përshëndetur qëndrimet e arsyeshme edhe pse të vona të bashkëpartiakëve të Lul Bashës si Eduard Selami, zonjës Jozefina Topalli e Majlinda Bregasit. Kuazikauza e Bashës për zgjedhje të rregullta është vërtetë një improvizim e veçanërisht kur kihet parasysh se po ky politikan me zgjedhje të tilla të mbajtura është zgjedhur kryetar bashkie në Tiranë, por edhe ministër i Punëve të Brendshme. Atëherë, si duket kishin standarde se ai fitonte, e tani kur e ka të qartë rezultatin, bllokon procesin. Kjo në politikë quhet hipokrizi dhe mjerim i një ideje e që thënë popullorqe i bie o na jepni pushtetin në tavolinë, o i vë vendit zjarrin e shkaktoj trazira. Partitë politike në Kosovë, por dhe ato në trevat tjera të banuara me shqiptarë, gjithsesi duhet ta ngrisin zërin me qëndrimet e tyre politike karshi këtyre zhvillimeve në Tiranë. Porosia duhet të jetë e qartë që Partia Demokratike në Tiranë duhet t’i kthehet jetës institucionale, t’i zhbllokojë reformat në drejtësi dhe t’i shërbejë kauzës kombëtare për shqiptarët në Ballkan. Veprimi institucional është çelësi i ndryshimeve kualitative e jo rruga. Çadra e Bashës dhe e mentorit të tij duhet braktisur për t’i lënë vend arsyes së mendimit, veprimit e interesit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …