Hasan Prishtina

Bahri Bivolaku: Në 83-vjetorin e vrasjes së kolosit të kombit, Hasan Prishtina

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, si duket e zënë me punët tjera, nuk e ka ndërmend që me asnjë aktivitet, qoftë edhe modest ta shënoj 83-vjetorin e vrasjes së kolosit kombëtar, Hasan Prishtina. As drejtoritë komunale të kulturës së paku nuk kanë lajmëruar se ia kushtuan një aktivitet për të shënuar e nderuar këtë kolos të atdhedashurisë, humanizmit, shkollimit e edukimit të kombit. Eshtrat e këtij kolosi nga Selaniku u vendosën ndoshta qëllimisht në Kukës, pra në Shqipëri, ku prehen bashkë me dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore të këtij rajoni. Ideatorët e përzgjedhjes së Kukësit, si vend ku do të preheshin eshtrat e Hasanit, mbase kishin menduar se ky qytet është më së afërmi me vendlindjen e tij dhe se një ditë do të vie që shqiptarët e Kosovës do të kenë mundësinë e nderimit, pasi nuk është shumë larg rrugës së kombit.

Padyshim që ishte lajm i mirë vendimi i menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës që të ngrejë shtatoren e ish diplomatit, patriotit e luftëtarit, Hasan Prishtina para rektoratit të këtij universiteti në Prishtinë. Shtatorja me siguri se do t’i bëjë nder rektoratit, universitetit, Prishtinës por edhe shumë më gjerë. Shpresoj që veç nderit të ketë edhe mesazhe përgëzuese për personelin universitar, studentët e pse jo edhe politikanët. Të gjithëve u duhet të marrin diçka nga virtytet e patriotit Hasan Prishtina për të ndryshuar për të mirë gjendjen në Kosovë si në politikë-bërje, mësimdhënie e mësim-marrje apo edhe me çështjet humanitare. Shtatorja, obligon për të ndjekur shembullin, e të tillë nuk di të ketë.

Hasan Prishtina, kolosi kombëtar

Sipas historianëve, familja Berisha e Hasan Prishtinës në vitin 1771 nga Polaci i Skenderajt vjen në Vushtrri. Këtë lëvizje e bënë gjyshi i Hasanit, Aliu. Hasani u lind në Vushtrri në shtator të vitit 1879. Ai shkollimin fillor e kreu në vendlindjen e tij, gjersa të mesmen në Selanik, e fakultetin e drejtësisë në Stamboll. Xhaxhai i tij Zejnullah Begu, dispononte pasuri të madhe në atë kohë, po edhe ishte shumë patriot dhe ndihmoj në edukimin atdhetar e shkollimin e Hasanit. Hasani në moshën e rinisë së tij arriti t’i flas 10 gjuhë të huaja. Në vitin 1908, Hasani mori mbiemrin Prishtina, pasi përfaqësonte rajonin në parlamentin e Perandorisë Osmane. Ishte ideator i lëvizjeve për formësim të kombit shqiptar siç edhe kontribuoi me idenë e krijimit të alfabetit, kongresi i Manastirit në nëntor të vitit 1908.

Në maj të vitit 1912, Hasani la Stambollin dhe kthehet në vendlindje për t’i filluar kryengritjet shqiptare për pavarësinë. Takohet me trimat e kohës si Azem Galica, Isa Boletini etj. Bashkë me familje ishin ideatorët e Kuvendit të Kurillovës dhe ngritjes së flamurit kombëtar në Vesekoc, pastaj kontribues i madh i Kuvendit të Junikut dhe besatimeve të shqiptarëve në luftën për pavarësi. Ndihmoj shumë Ismail Qemail Vlorën në përgatitjen e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Në dhjetor të vitit 1921 iu besua ta formoj qeverinë shqiptare, por që fatkeqësisht lëvizjet politike të kohës bënë që ai kabinet ishte shumë jetëshkurtër. Më 14 gusht 1933, Hasan Prishtina u vra në një pritë të organizuar me atentat nga Ibrahim Çelo nga Resna e Maqedonisë në rrugën Çanisku të Selanikut. Ai në Selanik kishte ardhur pët të jetuar vite më parë nga Viena në shtëpinë e tij, ku edhe kishte nënën dhe vëllanë.

Kontributi i Hasan Prishtinës në arsimimin e brezave

 Hasan Prishtina ndihmoi shumë në përhapjen e mësimit shqip në alfabetin latin duke hapur shkollat fillore, të mesme e të larta në gjuhën amtare. Edhe sa ishte deputet në Perandorinë Osmane, me shpenzime të veta dërgonte të rinjë nga vilajeti i Kosovës në normale të Elbasanit. Dërgonte edhe në vende tjera, pasi që e kishte të qartë se arsimimi i të rinjëve është perspektivë e zhvillimit të vendit. Ja se si e tregon këtë rrëfim të tij, xha Nesim Ispahiu(rreth të 80-ave) për këtë çështje: “Axha im Nazmiu ishte një i ri këpuctar, por që me insistimin e patriotit Hasan Prishtina, ai së bashku edhe me 35 të rinjë të kësaj ane dhe në shpenzime të Hasanit shkojnë në Hungari për t’i ndjekur mësimet në degën e bujqësisë. Hasani u kishte mbushur mendjen se kësaj treve i duhet njerëzit e shkolluar për të punuar si duhet toka, thotë Ispahiu. Ai madje tregon një ndodhi interesante, të cilën ia kanë treguar shokët e axhës së tij që kanë ndjekur mësimet në Hungari. “ Drejtorit të shkollës ku i vijonin mësimet gjatë pushimeve, xhaxhai im Nazmiu ia maron një palë çizme shumë të bukura punim dore dhe ai mahnitet nga bukuria dhe duke mos ditur se si ta shpërblej thërret nga kati sipër vajzën e tij dhe i tregon për mjeshtrinë e djaloshit shqiptar dhe i thotë të shkon ta përqafon shqiptarin, ajo gjersa niset me vrap në drejtimin e tij xha Nazmiu nga turpi ik me vrap nga mësonjëtorja” tregon për ngjarjen e dëgjuar xha Nesimi.

Enciklopedia vushtrriase e fotografisë nxjerrë të dhëna të reja të veprimtarisë së patriotëve tanë. “ Letërkëmbimet nga Stambolli në mes Hasan Prishtinës e Bajram Currit bëheshin përmes vushtrriasit Bajram Beçiri që ne e njohim si Bajram Shotani, ai vajzën e kishte të martuar për patriotin Mehmet Gradica ” tregon Nesimi. “ Gjatë riparimit të shtëpisë së berberit vushtrrias Shyqyri Shotanit, djalit të Bajramit në oxhakun e tij janë gjetur shumë letra të tilla të këtyre patriotëve të këmbyera dhe që nga frika që mund t’i ndodhte nga represioni i pushtetit të atyre viteve, ato letra i djeg Osman Tunuzliu bashkë me pronarin e shtëpisë ” thotë xha Nesimi. Gjithashtu ai tregon që qytetari vushtrrias Et’hem Gara gjatë kohës së Perandorisë Osmane ishte mësues në Stamboll i djemve të Padishahut, përfundon xha Nesimi.

Kontributi i  Hasan Prishtinës në Kuvendin e Kurilloves dhe ngritja e flamurit në Vesekoc

Me at ditë qi u ba hyrjeti

Isa Begu krye n’veti

Ah s’e due kit fare hyrjeti!

Zo ai Isa ça kish marue

Të tanë krent i kish tubue

N’ Kurillovë janë tubue

…………..

Me këto vargje nis rapsodi këngën popullore të Rilindjes Kombëtare për ta pasqyruar një ngjarje, përkatësisht një histori kombëtare të ndodhur 102 vjet më parë. Luftërat ballkanike në fillim të viteve 1900, fillimi i rënies së Perandorisë Osmane dhe fati i trojeve shqiptare në gjithë këtë kontekst e bëjnë këngën e rapsodit të jetë e një rëndësie të veçantë. Jehona e vendimeve të kuvendit të Junikut të mbajtur 21-25 maj u shtri në çdo cep të hapësirës shqiptare. Rapsodi i kësaj kënge aktivitetet kombëtare të Isa Boletinit por edhe shaljanëve e llapjanëve trima të asaj kohe, i paraqet si aktivitete që i zhvillojnë krye në vete (Isa Begu krye n’veti), pasi si duket nuk ka pasur njohuri për obligimet që Isa kishte marrë në Kuvendin e Junikut. Para Kuvendit të Junikut në Boletin më 27 prill 1912 u mbajt një mbledhje në mes të Isa Boletinit dhe Hasan Prishtinës, në ndërmjetësim të Zejnullah beg Vushtrrisë. Aty vendoset që takimi vendimtar për kryengritje çlirimtare të të gjitha viseve shqiptare të mbahet në Junik të Gjakovës. Të çohet në këmbë krejt Shqipëria e jo me kaçakllak thoshte Isa. Isa Boletini sipas njohurive që paraqesin historianët e shkrimtarët tanë në Junik shkon me 300-400 kalorës. Në këtë kuvend Isa Boletini e Bjaram Curri e hartojnë planin kryengritjes shqiptare duke krijuar tri komanda

  1. Isa Boletini dhe Xhemail Prishtina-Berisha për Sanxhak, Jeni Pazar, Mitrovicë,Vushtrri, Drenicë, Podujevë dhe Fushë Kosovë deri në Shkup.
  1. Bajram Curri e Hasan Prishtina për anën e Pejës dhe Gjakovës dhe
  1. Idriz Seferi dhe Hasan Hyseni për anën Gjilanit.

Kuvendi i Junikut kishte porosit e adresuara politike: 1. Caktimi i kufijve të Shqipërisë, 2. Krijimi i një administrate shqiptare, 3. Ngritjen e flamurit kombëtar, 4. Njohjen e shqipes si gjuhë zyrtare, 5. Caktimin e një guvernatori të përgjithshëm, i zgjedhur nga një familje e njohur e vendit, 6. Plotësimi i këtyre kërkesave të garantohet nga fuqitë e mëdha.

Isa Boletini përveç më të tjerët mbante lidhje edhe me veprimtarinë kombëtare Hasan Prishtina përmes axhës së tij Zejnullah Begut. Thuhet që një takim të mobilizues të këtyre tre luftëtarëve të çështjes kombëtare të jetë mbajtur edhe në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë në çifligjet e Zejnullahut. Sipas historianëve Besa e Burrave të Shalës për kryengritje u lidh më 15 maj në Boletin, pastaj me 16 maj në Drenicë e kështu me radhë. Pas përfundimit të Kuvendit të Junikut Isa Boletini menjëherë fillon t’i zbatojë vendimet. Në fund të muajit qershor ai fton shaljanët e llapjanët për t’u mbledhur dhe lidhur besën e kryengritjes shqiptare. Ky tubim-kjo mbledhje e rreth 1500 burrave luftëtarë të Llapit e 400-500 shaljanëve njihet si Kuvendi i Kurillovës. Aty vendoset që ai që shkel besën e lidhur t’i digjej shtëpia.

Raste të tilla kishin ndodhur në disa nga familjet beglere të kësaj zone. Lidhur me pjesëmarrjen jo adekuate të shaljanëve në këtë kuvend dëshmitarët, por edhe kënga e rapsodia flasin për pikëpamje të ndryshme për kryengritjen e Isa Boletinit dhe Beqir Vocës, lidhur me atë se a duhet të luftohet Turqia në kohën kur Serbia ishte e gatshme për t’i sulmuar viset shqiptare. Në Kuvendin e Kurillovës si fillim i kryengritjes shënohet edhe me një ngjarje tjetër të madhe, duke ngritur flamurin kombëtar në majën bjeshkës të njohur në popull “Kodra e Flamurit”.

Flamujt kombëtar në Kosovë për kryengritësit i sollën veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nga kolonitë shqiptare. Për Shalë flamurin ia kishte dorëzuar Xhemajl Prishtinës patrioti i shquar kombëtar Hoxhë Kadri Prishtina, i cili kishte ardhur në Kosovë. Sipas disa historianëve në majën e Vesekocit në “Kodrën e Bajrakut” e ngriti luftëtari e patrioti Hys Popova bashkë me shokët në fund të qershorit, të vitit 1912. Në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut fillojnë aksionet luftarake të luftërave shqiptare. Më 29 qershor shpartallohen dy batalione turke tek Ura e Silnicës në Vushtrri, e më pas me 10 korrik rrethohet Podujeva nga luftëtarët shqiptarë të prirë nga Xhemajl Agë Berisha, Hys Popova, Bel Bajqinovci, Ramë Vllasa, Mehmet Konjuhi, Feriz Klinaku, Fejzullah Saraçi, Hazir Agë Maxhuni, Zejnullah Beu etj. Më 22 korrik 1912 nga këto lufta çlirohet Novi Pazari, gjersa Isa më 10.000 ushtarë hyn në Mitrovicë. Në fund të korrikut çlirohet Prishtina ………..

Për kalendarin

 

Më 13 gusht të vitit 1933 u vra mizorisht në Selanik, Hasan Prishtina, njëri ndër ideologët kryesor të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve. Ai  u lind në vitin  1873, në Vushtrri. aktivist shqiptar nga Kosova (Perandoria Osmane). Ishte patriot e demokrat revolucionar i shquar që luftoi për lirinë e pavarësinë e atdheut, për demokratizimin e jetës së vendit, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Mësimet e para (mejtepin) dhe disa klasë të progjimnazit (iptida) i mbaroi në Vushtrri, me sukses të shkëlqyeshëm. Qysh si nxënës u tregua i vrullshëm dhe i guximshëm. Ai pati fat që mësues letërsie ta kishte profesorin nga Prekazi, Hafëz Arifin, nga i cili edhe u frymëzua me ide atdhedashurie. Meqë ishte nxënës i mirë dhe kishte mundësi materiale, ai vazhdoi shkollimin në gjimnazin grek të Selanikut ku mësoi edhe gjuhën frënge e u njoh me veprat e iluministëve francezë, Volterit, Monteskie, Zhan Zhak Rusos. Në Stamboll, ku u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike. Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë dhe u brumos me ide revolucionare e përparimtare evropiane, sidomos sa ishte në Selanik. Ishte ithtar i ideve të Revolucionit Francez (1789-1794). Të gjitha këto u gërshetuan harmonishëm me edukatën e tij të lartë e të thellë familjare, me shumë tipare atdhetare duke formuar kështu një personalitet liridashës. Ai njihte shumë gjuhë: anglishten, arabishten, gjuhën çerkeze, frëngjishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten e turqishten. Brenda një kohe të shkurtër zuri pozita të rëndësishme në administratën turke dhe arriti të bëhet edhe kryekonsull në shtetin e Turqisë. Në kryeqytetin otoman krijoi lidhje të ngushta me bashkatdhetarë të dalluar dhe lexonte veprat e vëllezërve Frashëri, Pashko Vasës, Hoxhë Tahsinit. Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Financoi gazetën “Ora e Shqipnisë” që Dom Lazër Shantoja nxirrte në Vjenë. E vazhdoi luftën kundër regjimeve diktatoriale e monarkofashiste, kundër qeverisë të Zogut në Shqipëri dhe zgjedhës shoviniste serbomadhe në Kosovë. Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës” i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Hasan Prishtina luftën çlirimtare në Kosovë u përpoq ta lidhë e ta bashkërendojë me luftën e popujve të shtypur ballkanikë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …