Diçka në politikën e Kosovës duhet të ndodhë, është e nevojshme të ndodhë dhe ne duhet ta gjejmë duke e kërkuar atë, dhe gjetja më e mirë është ajo e dialogimit të vazhdueshëm nga të gjithë akterët në vend të barrikadimeve.
Deputetët e Partisë Vetëvendosje ishin kundër krijimit të Gjykatës Speciale, gjersa vazhdojnë me akuza për krime drejtuar kundërshtarëve politikë, veçanërisht drejtuesve të luftës së UÇK-së. Në këtë fushë po i bashkohen institucioneve të sigurisë së shtetit të Serbisë për të hartuar sa më shumë libra të bardhë. Vërtetë kjo e bënë hipokrizinë politike të një subjekti politik. Ta quash dikë kriminel, ose duhet pasur fakte të mëdha, ose guxim të tepruar dhe kjo gjithsesi duhet të argumentohet, ndryshe akuzuesi (Dardan Molliqaj e më herët Visar Imeri) duhet të përfundojë në burg për shpifje, lëndim të reputacionit për të akuzuarin dhe familjen. Zoti Imeri e Molliqaj, a e dini se me deklaratat e tilla po lëndoni së pari familjen e zotit Veseli, fëmijët e tij dhe qindra mijëra anëtarë e simpatizantë të një partie që mendojnë ndryshe nga ju?
A e dini se reaksioni karshi deklaratave të tilla të papërgjegjshme mund t‘ju vjen, apo këtë edhe e kërkoni për të fituar peshë politike?
Zotërinj, fjalori juaj publik shkon përtej politikës, apo ndoshta do të thoni qëllimi arsyeton mjetet. Duhet ta keni të qartë se gjuha e tillë që nuk ndëshkohet në mëngjes, ndëshkohet në mbrëmje. Mos bëni argatin e djallit në këtë lojë. Përpiquni të bëheni të vlefshëm për vendin në vend se të jeni të dobishëm për një kauzë partiake. Nuk e kuptoj gatishmërinë e drejtuesve të LDK-së për të hyrë në koalicion qeverisës me partinë Vetëvendosje, kur qartë shihet se koncept bazë kanë veprimin politik në përmbysjen e shtetit të Kosovës si projekt ndërkombëtar, për ta bërë sipas një projekti vendor (Këtë konstatim e gjeni në fjalën e D.Molliqajt në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes).
Poshtërsia ka njollosur metodat, e metodat dallojnë demokracinë nga anarkia. Filozofia rugoviane vërtetë tregon të kundërtën e kësaj gatishmërie të LDK-së. Të angazhohet për eksperimentimin me fatin e Kosovës në kohën kur rajoni po ndryshon duke filluar me Serbinë, është tejet joproduktive e mbase edhe mund të jetë rrugë njëkahore që dikush mendon të hyjë. Politika e tillë po humbet të nesërmen.
Të gjithë jemi fitimtarë karshi gjendjes se ku ishim
Uilliam Xhejms, mendimtar i madh nga SHBA-ja në një fjalim të tij pat thënë: “Zbulimi më i madh i gjeneratës sime është se qeniet njerëzore mund ta ndryshojnë jetën e vet, nëse e ndryshojnë mënyrën e të menduarit”. Fjalia përkthyer në politikbërjen në Kosovë konsideroj të ketë shumë domethënie, madje qëndrimi i tillë është esencial për të dalur nga ngërçi i futur i partive pas zgjedhjeve nacionale. Është koha që partitë të lirohen nga mendimet e vjetra e të shpenzuara, të cilat edhe e kanë lodhur qytetarin e vendit. Është koha për të hapur derën mendimeve të freskëta, kreative, të cilat nxisin shpresën, besimin e dashurinë për të nxjerrë më të mirën për momentin dhe që i shërben Kosovës, zhvillimit dhe perspektivës së saj.
Ne në Kosovë të gjithë jemi fitimtar karshi gjendjes se ku ishim dhe në këtë gjendje duhet t’i hapim rrugën mendimit pozitiv që mos ta shohim vetëm të keqen e së tashmes, ta eliminojmë defetizmin dhe mbyllim shtegun e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit. Shpëtimi ynë është këtu dhe në mesin tonë. Diçka në politikën e Kosovës duhet të ndodhë, është e nevojshme të ndodhë dhe ne duhet ta gjejmë duke e kërkuar atë, dhe gjetja më e mirë është ajo e dialogimit të vazhdueshëm nga të gjithë akterët në vend të barikadimeve.
Politika ka kuptimin më shumë se pushteti. Nuk kemi nevojë të themi vazhdimisht se gjërat e mira janë për të ardhmen. Sot kemi nevojë si kurrë më parë për të krijuar gjërat e vlershme për vendin tani e jo në të ardhmen. Polaritetet mund të zhvillohen me pavarësinë e tyre, por në suazat e një kornize që i shërbejnë të mirës së shoqërisë së vendit e jo barikadimeve. Barrikadimi politik i krijuar për momentin krijon përshtypjen se në Kosovë mungon alternativa e zgjedhjes dhe se ka krizë të bashkëjetesës me mendimin tjetër, krizë idealesh të përkufizuara apo edhe krizë të etikës. Një fjalë e urtë thotë: “Për dashurinë e trëndafilit duhet t’i durosh edhe gjembat e tij.” Andaj, për të kapërcyer gjendjen dhe për të dalë përtej vetës duhet t’i durojmë ca gjemba dhe thithur aromën e trëndafilit.
Reaksioni për momentin duhet lënë anash pasi nuk i duhen vendit, lëvizjet e tilla distancojnë dhe sjellin urrejtje e përçarje, humbje të pozicionit dhe rikthim prapa. Duhet treguar kujdes e maturi që mos t’i hapim rrugë shkatërrimeve duke menduar se po rregullojmë diçka.