Frikacaku ka frikë nga hija e tij. Kështu thotë një fjalë e urtë popullore, e cila mendoj se më së miri u adresohet një grupi politikanësh apo opinionistësh të cilët sot po mundohen të faktorizojnë një kauzë politike të nxjerrë nga një shqetësim në opinion duke ndjellë frikën se do të ndodh kështu e ashtu, nëse vijëzimi i kufirit me Malin e Zi kalon në Kuvend, apo edhe Asociacioni i Komunave vihet në proces.
Mendimet e tilla, gjithsesi sugjestive, kanë për bazë konceptin mbi vendimin politik, jo pozitiv të bazuar në elementin e frikës. Frika bazohet në fajësi dhe unë nuk e kam të qartë se cili është faji i Kosovës për të pasur frikë që këto çështje të kenë qëndrime racionale.
Pse gjithë kjo zhurmë, pse gjithë kjo frikë, pse gjithë kjo thirrje për lëngime politike dhe nga kush se? Nga ata që deri dje rrinin me një këmbë, të gatshëm për gjëra të tilla dhe, madje këtë model politikanësh, gjithë kohën i shihje pranë ambasadave, ndërkaq aktivitetin e tillë e kishin shndërruar në profesion.
Të tillëve, siç duket, ky profesion më nuk po u ecën dhe me fajin e tyre kanë mbetur jashtë proceseve e vendimmarrjeve politike. Thonë se gjuha që nuk është e ndëshkuar në mëngjes do të ndëshkohet në mbrëmje.
Politikës në Kosovë nuk i duhen arratitë karshi botës e miqve të saj e aq më pak politika e veshur me petkun e folklorit, nuk i duhen as polarizimet as demonizimet.
Opozitarizmi në Kosovë nuk duket të jetë opozitarizëm që i shtyn proceset përpara, por që i ngulfatë proceset, me mjete nga më vulgaret. Ata që i duan të mirën vendit, triumfojnë mbi frikën e vet, në mënyrë që Kosova të mos mbetet peng i problemit.
Kosova mbetet peng i problemit nëse politikanët nuk e kapërcejmë këtë frikë dhe këtë qasje politike, nëse nuk ndalojnë së instaluari këtë mentalitet opozitar refuzues, nëse nuk reflektohet realisht rreth proceseve dhe pozicionit të Kosovës, që ka nevojë për mbështetje, por edhe për përshpejtimin e hapave drejt konsolidimit të saj.
Vullneti partive politike për t’u reformuar
Nëse bazohemi në klishetë që lexojmë në mediet tona, shohim dy lloje politikanësh. Shohim politikën utopiste e cila realitetin e sotëm të Kosovës e sheh si përbuzje e mohim, ndërsa ana tjetër mendojnë të jetë krejt e bardhë. Mendoj që ka ardhur koha që në Kosovë të dëgjohet zëri i reformave tek partitë politike. Zëri i tillë duhet të dëgjohet mbi të arsyeshmen e asaj që në Kosovë është e nuk duhet të jetë, por pa e humbur vlerësimin për rezultatet e mëdha të arritura. Politikës në Kosovë nuk duhet t’i mungojë politikani reformator, i cili aktivitetin e tillë së pari e fillon në partinë e vet e më pas edhe në atë të shoqërisë. Ndërtimin dhe reformën nuk duhet bërë si një zëvëndësim pa domethënie për shoqërinë e personelin drejtues politik, por në ndërtim në stilin dhe përmbajtjen e politikës.
Është koha që politika në Kosovë ta bëjë kapërcimin e hendekut midis të thënës dhe të bëres. Sot, shoqëria në Kosovë ka para vetes detyrën kryesore, atë të përgjegjshmërisë së veprimit politik, ta detyrojë politikën në reformim dhe më pas të vendos kufij mes demokracisë e sallamadisë. Dikush duhet ta ketë guximin për ta bërë prerjen dhe hapjen e faqes tjetër të librit të historisë së re të Kosovës. Në këtë mes politikanët frikacakë nuk kanë vend. PDK-ja me liderin e saj e në rrethana të reja, mbase ka shprehur gatishmërinë e këtij reformimi dhe shenjat e para po duken. Vendimi që 40 për
qind e strukturës organizative të saj të jenë të përbëra nga gratë, i shërbejnë këtij qëllimi. Hapi për formën e re të komunikimit me anëtarësi gjithashtu janë shenja pozitive dhe mbreslënëse.
Mbetet ende shumë për t’u bërë, pasi siç duket, liderit të kësaj partie, nuk i mungon guximi për reformë.
Politika në fletën e re të liderit duhet të ushqehet nga problemet e një jete më të mirë e më të denjë të qytetarëve që përfaqëson rritja e cilësisë së jetës e që mendoj të jetë standardi që hap rrugën e europës por edhe të Partive Europiane në mënyrë që qytetarët e këtij vendi të ndjehen të barabartë me popujt e tjerë të rajonit e europes. Mbase të jenë krenar me shtetin e tyre.
Ku mbaron fjala e lirë dhe fillon kriminalizimi i saj
Një filozof pyet Homerin “ Ju jeni i verber, pse ikni natën me fener?” “Për të mos u përplasur me mua ata që ecin pa kandil” iu përgjigj Homeri. Është kjo një anekdotë e lexuar e cila mendoj se më së miri përshkruan përdorimin e gjuhës së dhunshme të disa politikanëve në vend. Gjuha arrogante e demonizuese, qoftë ajo e të shprehurit të mendimit publik, të shkruar apo debatues në mediumet elektronike, ka humbur racionalitetin. Dhe, vërtetë shtrohet dilema. A ka ardhur koha që të ecet me kandil të ndezur, për të mos u përplasur me arrogantët e fjalës së lirë, veprimit të lirë dhe qëndrimit politik të lirë?
Thonë që në SHBA, jeta pa rregulla dhe pa respektim të tyre në përpikmëri, sa do t’i ngjasonte kohës së kaubojve e jo një jete në demokraci. Mendoj që ka ardhur koha që edhe në shoqërinë tonë të zgjohen prokurorët nga gjumi i thellë dhe të respketojnë rregullat, e veçanërisht Kodi i Mirësjelljes së Subjekteve Politike. Është mirë që politikanët e guximshëm sot vërtetë të ecin me fener të ndezur.